Sabit Rrustemi: Fjalët e mbetura netëve

Poezi nga Sabit Rrustemi

Ikën akrepët si buzët në çast u tremben
ia kthyen shpinën ditës që erdhi e shkoi pa ne
natës që vjen prej neonëve larg nuk shoh
mes rreshtash më fshihen fjalët e s’i gjej
ëndrrat që i rrëfenim e tash ndizen zjarreve.

Mos më thuaj gjë shpjegime s’dua
lermë të qetë t’i rikthehem vetmisë sime
t’i marrë e t’i shijoj ato që më munguan
kësaj jete që zbehet pa ty njëjtë si unë
ngjashëm me atë lis të zhveshur maje kodre
që e memorova thellë bebëzave që përmallen.

Akrepët ikin kthehen e puqen ditën natën
orë pas ore orareve njëzetekatër orëshe
përmes ritmit të tik-takeve vallëzojnë
shkëmbejnë dhe puthjet njëminutëshe
derisa ne ditë pas dite vetëm largohemi
largohemi sikur t’mos ishim as njiheshim
e pas na vijnë fjalët e mbetura netëve
jetimet pa adresë që s’i ngrohë çatia dora.

Dashuria si një xixëllonjë vere errësirën pret
për t’i dritësuar herë pas here kujtesat tona.

ObserverKult


Lexo edhe:

(VIDEO) NIMON MUÇAJ LEXON NJË CIKËL TË ZGJEDHUR POEZISH TË ADEM GASHIT/ FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS 2