Fatmir R. Gjata: Trokashkë

fatmir r. gjata

Bie një trokashkë, bie trok e trok
Kush erdhi tek dera, ndoshta është zok
ndoshta është ëngjëll, e ndoshta njeri
Bie një trokashkë, bie përsëri…

Bëj të hap kanatat po nuk hapen dot
Nuk i ngopi shiu, e ngopën ca lot
Bëj të hap kanatat kur dielli po bie
Shpërthejnë që të dyja e hapen një fije

Bie një trokashkë, bie trak e trak
Kush do jetë në derë, kush erdhi në prag
E hapen një çikë, e mbyllen nga pak
Ndoshta është fëmijë, e ndoshta një plak.

Dera është e ngrënë bie një trokashkë
Të mbushura pluhur brenda edhe jashtë
Muret janë pa ngjyrë, çatia po bie
Një trokashkë po loz, në dritë edhe hije.

Bie një trokashkë kush do jetë tani
Është një dorë e lehtë jashtë bie shi
Trok e trok trokashka bie trak e trak
Do jetë erë e jugut troket për merak.

ObserverKult


Lexo edhe:

LEGJENDA E RRALLË DHE TRADITA E DITËS SË VERËS… ÇFARË KA NDRYSHUAR SOT…