Fatos Arapi: Lamtumirë…

fatos arapi
Fatos Arapi (Zvërnec, 19 korrik 1930 - Tiranë, 11 tetor 2018)

Poezi nga Fatos Arapi

Lamtumirë.
Marr me vete
djegie perëndimesh nëpër muzgje të qeta,
silueta qiparisash nëpër sfonde të murrme ullinjsh.
Dhe blloqet e hijeve të Çikës,
që përkunden netëve
mbi kostelacione yjesh Jonit përposht.
Lamtumirë.
Kudo që shkoj
jam një copëz peizazhi nga vendi im.

Fatos Arapi

FATOS ARAPI, POETI I MONOLOGUT TË SHQETËSUAR

Një poet i njohur ballkanas e ka quajtur poezinë e Fatos Arapit vertikalja estetike e poezisë shqipe bashkëkohore. Ky është një vlerësim i lartë, por dhe i merituar për tiparet e kësaj krijimtarie, e cila, në harkun e lëvrimit të saj, përmbi gjysmëshekullor, ka synuar jo nga tekstet përshkruese/deklarative, por e orientuar drejt prirjes zhbiruese, refleksive, shpesh dhe provokuese, duke depërtuar deri nëpër zonat e mjegullta të njeriut, që poeti i projekton dhe i fikson sipas vizioneve të veta poetike, origjinale.

Një poezi e tillë, me këtë model artikulimi, të përndezur nga ritme dhe nga një shkallë e lartë emocionaliteti, nuk mund të mbetej kurrsesi larg vëmendjes së kritikës letrare. Qysh në fillim të viteve ‘60- të, ajo e vendosi atë në treshen e madhe të poezisë shqipe të pas Luftës së Dytë Botërore, përkrah I, Kadaresë e D. Agollit dhe e spikati për ligjërimin që priret të fiksojë të paarritshmen, të pafundmen, të paskajshmen, çka arrin të përcjellë te lexuesi edhe një dozë enigmatizmi e paqartësie, me artikulimin specifik për të kumbuar si monolog maksimalisht i shqetësuar dhe si një verb poetik që tërhiqet ngultazi drejt depërtimit në kompleksitetin e enigmave të jetës.

Tekstin e plotë mund ta gjeni KËTU

ObserverKult

Lexo edhe:

FATOS ARAPI: TI DO T’MË DASHUROSH PATJETËR!