Fatos Arapi, një prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë

Qendra Kombëtare e Librit dhe Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë kujtuan poetin Fatos Arapi, në datëlindjen e tij.

Fatos Arapi i cilësuar si një prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit XX, ai ra në sy për figuracionin, stilin dhe mesazhin që çuan në emancipim të poezisë. Që sa e dallonte nga realizmi socialist, po aq i kthehej në një lak.

Poetja Mimoza Ahmeti u shpreh se: “Vura re që Fatos Arapi kishte qenë partizan. Dhe ai ka marrë pjesë me idealin e tij, në ndërtimin e një qenieje që erdhi më pas dhe ai me sa duket nuk ishte fort dakord”.

Studiues, shkrimtarë e pedagogë folën për veçantitë e poetit. Që mundi të nxjerrë njeriun nga konteksti mbytës, duke përcjelle me gjuhë ambige ankthin dhe pasiguritë e shoqërisë.

“Ai i kishte shkruar ndërkohë, unë kam lindur në kohë tjetër, kandil lirie, në tempull të vjetër. Ai ishte kritikuar në mënyrë të vazhdueshme për hermetizmin e tij dhe vepra e tij ishte cunguar pareshtur. Por edhe jeta e tij ishte mbajtur në një kërcënim të pandërprerë duke ia vështirësuar skajshmërisht ekzistencën. Hermetizmi ishte klasifikuar politikisht si fenomen kundrarevolucionar që do të thotë se bartësit e tij ishin objekt i sigurimit. Fatos Arapi nuk u thye megjithatë”, tha shkrimtari Besnik Mustafaj.

“Veprat iu cungua, ndërsa jeta e tij ishte në kërcënim”.

Ai vijoi të shkruajë me ardhjen e lirisë, për të kapur kohën e humbur duke e ditur që nuk kishte shumë kohë. Dhe sa më shumë lartohej poeti, po aq fshihej njeriu, që deri në fund të jetës, u kthye sa në një eremit, po aq në një mit./(BalkanWeb)

LEXO EDHE: Poezi nga Fatos Arapi: Ti do vish, e dashur, si s’do vish?

Biografia e Fatos Arapit: Klikoni këtu