Fatos Arapi: Nuk mundem t’mos mendoj për ty…

fatos arapi

Poezi nga Fatos Arapi

Nuk mundem të mos mendoj për ty.
I vetëm, pështetur te dritarja e dhomës,
kam marrë kryet ndër duar
e lexoj gjurmët e guguftuve
mbi copën e diellit,
që ka rënë atje poshtë.
Këmbana funeralesh të mëdha.

ObserverKult

—————

Lexo edhe:

FATOS ARAPI: DUKE SHKELUR NËPËR GUACA TË DETIT

Duke shkelur nëpër guaca të detit
ndjeva ditën e sotme, të çelë
nëpër trupin tim, si një gjethe dafine…
Fëshfërinte e gjelbër…. e gjelbër.

Dhe mendova:
nesër,
këto gurëza do t’i shoh ndryshe,
këto brigje të kohës së bardhë;
nesër,
fjoll’ e dridhshme, inkandeshente
e orbitave, që sapo feksën
nëpër qiej të virgjër të njerëzve,
do të lidhë ditët e mia,
porsi sot… edhe pakëz më ndryshe;
nesër,
dashurinë që drejt meje po vjen,
do ta puth në buzë, në ballë;
nëpër zëra të flokëve të saj
gishtërinjtë do përshkoj, do t’i them:
hyrë tek unë, pa frikë se një ditë
mund të vdesësh (si të tjerat?) edhe ti.
Dhe e vdekur atje, dashuri,
përjetësisht do të mbetesh e gjallë;
nesër,
ndryshe pyetjen e jetës: “Cili je?”
do dëgjoj edhe ndryshe pastaj
zërin tim: Unë jam…

Duke shkelur nëpër guaca të detit
ndjeva ditën e sotme, të çelë
nëpër trupin tim, si një gjethe dafine.

ObserverKult