Fatos Lubonja si ciceron i lagjeve të ferrit

kim mehmeti fatos

Përderisa e lexon librin e Fatos Lubonjës, ‘Jetë burgu’ të duket se je duke shëtitur nëpër lagjet e ferrit. Dhe autorin e ndjenë si shoqërues tëndin që ka jetuar aty dhe mirë i njeh ato lagje, andaj edhe e dinë me cilët banorë të tyre duhet të takohesh që ta kuptosh se edhe ata që jetojnë në atë ferr din të duan, të urrejnë, të ëndërrojnë… dhe të vdisnin duke e marrë me vete të vërteton se njeriu është vetëm sekreti i tij për vetveten.

Kim Mehmeti

Ky libër i Lubonjës ngjan edhe në hartë topografike të ferrit, e vizatuar nga topografi që e dinë cilat janë ‘ngrehinat’ që duhet shënuar në të që të shpërfaqet e vërteta e plotë se jo vetëm dikur, por në masë të madhe edhe sot, nëpër shoqëritë shqiptare ka qenë fatkeqësi të jesh njeri. Por njeri me të gjitha që e përbëjnë të padukshmen e tij, atë që e definon atë si të tillë: të jesh i urtë, i moralshëm, i ndërgjegjshëm, i dinjitetshëm…të ndjesh përgjegjësi edhe për fatin kolektiv, e jo vetëm për atë vetjak.

Kur e përfundon së lexuari këtë libër vetvetiu të vjen pyetja: nëse Enveri me shokët ishin projektuesit dhe ndërtuesit e këtij ferri, atëherë cilët ishin baltaxhinjtë dhe bartësit e tullave që i ndihmuan muratorët. Si dhe cilët ishin mirëmbajtësit e tij, pra cilët ishin ata që jetonin në burgun e madh të quajtur Shqipëri, duke e heshtur të vërtetën për burgjet e vegjël ku kalbej ajka e shqiptarisë.

Ku ta dish, mbase ka ardhur koha kur duhet të shkruhet libri për ata të ‘burgut të madh’, libri që do e shpërfaq të vërtetën se mirëmbajtës të lagjeve të ferrit të Enverit nuk ishin vetëm drejtuesit e shërbimeve sekrete, as vetëm drejtuesit e kooperativave bujqësore apo planifikuesit e pesëvjeçarëve të industrializimit të Shqipërisë, por edhe artistët dhe banorët e kalasë kulturore shqiptare. Pra duhet të rrëfehet e vërteta se pa mbështetjen e artit dhe të kulturës, Enveri kurrë nuk do t’ia dilte të bëhej ai që ishte.

Duhet shkruar pra libri që do e shpërfaq të vërtetën se mirëmbajtësit e dikurshëm të lagjeve të ferrit enverist ishin si këta të sotmit që heshtin kur Piktori rrënon Teatrin Kombëtarë, kur e kriminalizon dhe e bënë Shqipërinë vend të pajetueshëm për shqiptarët. Pra duhet dikush të rrëfej për lagjet ku jetojnë ata që i shërbejnë çdo regjimi e çdo sunduesi, që bëhen akademikë e drejtues të institucioneve kulturore e shkencore ngaqë kanë një vlerë që i bënë të përdorshëm për gjithë kohët e gjithë sistemet: Janë varr i njerëzores në vetvete.

Ku ta dish, mbase edhe atë libër askush nuk mund ta shkruajë më mirë se Lubonja i cili me rrëfimet për jetën e burgut dëshmon se e din që ndjenjat njerëzore nuk flasin me gjuhën me të cilën përshkruhen ngjarjet dhe njerëzit, se ato shpërfaqen vetëm nëpërmjet fjalëve e fjalorit që nuk janë mjet për të gënjyer e për ta shtrembëruar të vërtetën, që nuk të shërbejnë që të tregohesh i tillë siç nuk ke qenë.

Pra vetëm nëpërmjet fjalëve e fjalorit që nuk e njohin shumë nga projektues e sotëm të së ardhmes shqiptare, shumë nga ata që u ngutën t’i shkruajnë biografit e veta jo për të qartësuar të shkuarën, jo për të ndihmuar popullin që të kuptonte se çka i kishte ndodhur, por për të kundërtën: për ta përdorur fjalën si mjet për të gënjyer e për ta shtrembëruar të vërtetën, për ta mbuluar të shkuarën e tyre kur nëse jo muratorë, atëherë kishin qenë mirëmbajtës të lagjeve të ferrit komunist./sakte.net

ObserverKult

Lexo edhe:

SI U IZOLUA FATOS LUBONJA