Fazıl Hüsnü Dağlarca: Zi dhe terr

Nga Fazıl Hüsnü Dağlarca

Këndonte Kuranin kajherë em atë,
ndoshta kur ishte Natë e Madhe,
prej zanit të tij tanë bindje, ne fëmijët
baheshim gjithmonë e ma të vegjël
në qoshen ma të largët të dhomës.

Idhnoheshim si dallëndyshet kur shohin dimnin,
pa kuptue gja prej tingujve të çuditshëm.
Eme motër, sa kishte fillue shkollën, urtë urtë:
Arabisht, thoshte tuj fshâ.

Arabisht. Në terrin e zgjatun,
zi çull kur kandili fikej… zgjatej ma tej.
Dhe zemrat tona prej fëmije mbanin jazë,
për vorre të vdekunish të panjoftun.
E kishim inat arabishten, mirëpo
çka këndonte em atë na e merrte me të mirë fantazinë.

E në atë dynja të re trazimi dhe mahnitjeje,
me siguri imani do të na bante zap.
Mbas nji tingulli vinte një tjetër tingull,
por në një mënyrë tjetër, e pashpjegueshme.
Në mesin e ahengut të papramë të babës
sikur kishte edhe ma pak jetë.

Dhe kishim një fëmini të papërshkrueshme në shtat,
për një arsye të caktueme, edhe ma të gjatë.
Ai zgjonte në bodrumet e terratisuna
tana trashëgimitë, shpirtin tonë.

Dhe frymëmarrja e babës avashsohej, përherë i njëjtë
vinte zani i tij, me tevekyl* dhe akël, kahdo.
Duert e babës vijshin tue u zmadhue dhe
Musafi*** në duert e tij, po ashtu.

Dhe mbas sa kohe, m’hatron mendja
për disa net’, apo për tana netët,
arabishten e t’em atë, dhe e të shtrenjtëve tjerë,
Kur mendoj për gjana të pangushëllueshme.

Fazıl Hüsnü Dağlarca, Siyah ve karanlık / Zi dhe terr

Përktheu: Sait Saiti

*Tawakkul – në saje në opinionit të mirë për Zotin, besimit dhe dorëzimit ndaj planit të tij.

*akël, ‘aql – urti, arsyetim dialektik.

*Musafi a mus’haf, përmbledhje e riprodhueme e Kuranit. Zoti i referohet Kuranit (si dhe Ungjijve, Psalmeve, Torahut dhe Avestes) si “qitap”, ndërsa “mus’haf” asht hedhja në letër e qitapit.

ObserverKult


Lexo edhe:

ÖZDEMIR ASAF: NUK TA NDIE MUNGESËN MA SI PËRPARA

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult