Federiko Garcia Lorka: Nuk dua ta shoh!

frederico garsia lorca shoh teatri

Nuk dua ta shoh!

Thuaj hënës të vijë
s’dua të shoh gjakun e Injacios
mbi arenë.

Nuk dua ta shoh!
Hëna pësëmbëdhejtëshe.
Kalë prej reshë të qeta
dhe arena gri nga gjumi
me shelgjet mbi gardh.

Nuk dua ta shoh!
Kujtimi im digjet.
Thuajani jaseminëve
me të bardhën e tyre të vogël!

Lopa e botës së vjetër
kalonte gjuhën e saj të trishtuar
mbi buzën me gjak
përhapur mbi arenë
dhe demat e Guisandos,
gati të ngordhur e gati gur,
pëllitën si dy shekuj
të lodhur së rrahuri tokën.
Jo,
nuk dua ta shoh!
Injacio hipi mbi shkallë
me gjithë vdekjen e tij mbi kurriz.
Kërkonte mëngjesin,
por mëngjesi nuk ishte.
Kërkon profilin e tij të drejtë
por ëndërra e orjenton.
Kërkonte trupin e tij të bukur,
por gjeti gjakun e tij të hapur.
Mos më thoni ta shoh!
Nuk dua të dëgjoj çurkun
përherë më me pak forcë:
ky send që shkëlqen shkallët
dhe rrokulliset
mbi vellon dhe lëkurën
e turmës së etur.
Kush më thërret të shfaqem!
Mos më thoni ta shoh!

Nuk dua ta shoh!

S’u mbyllën sytë e tij
kur pa brirët pranë,
por nënat të merruara
ngritën kokat.
Dhe nga ferma
erdhi një erë zërash sekretë
që u bërtisnin demave qiellorë,
barinj prej mjegulle të zbehtë.

S’pati princ të Seviljas
që mund të krahasohej më të,
as shpatë si shpata e tij,
as zemër kaq të vërtetë.
Si një lumë luanësh
forca e tij e mrekullueshme
dhe si një tors i mermertë
maturia e tij harnonike.
Ajri i Romës andaluze
i parfumonte kokën,
ku e qeshura e tij ishte një livande
kripe dhe inteligjence
Ç’toreador i madh në arenë!
Ç’malësor i mirë mbi male!
Sa delikat me kallinjtë!
Sa i fortë me mamuzet!
I butë me vesën!
mashtrues në panair!
I llahtarshëm me shtizat
e fundit të errësirës!

Por tani fle pa fund
Myshqet dhe barërat tani
hapin me gishta të sigurt
lulen e kafkës së tij.
Dhe tashmë vjen duke kënduar gjaku i tij:
këndon ligatinave dhe kullotave,
duke rrëshqitur mbi brirë të ngrirë,
duke u lëkundur pa frymë në mjegull,
duke ecur me mijëra thundërra

Si një gjuhë e gjatë, e zezë, triste,
për të formuar një pus agonie
afër Guadal kuivirit të yjeve.
O mur i madh i Spanjës!
O dem i zi mundimi!
O gjak i fortë i Injacios!
O bilbil i venave të tij!
Jo.
Nuk dua ta shoh!
S’ka kupë që ta mbajë
as dallëndyshet nuk e pijnë,
s’ka brymë drite që ta ngrij akull,
as këngë, as rrebesh zambakësh,
s’ka kristal ta mbulojë me argjend.
Jo.
Por s’dua ta shoh!

Përktheu: Faslli Haliti

ObserverKult

———————-

aurel plasari lorca

Lexo edhe :

FEDERIKO GARSIA LORKA, POETI QË U POSHTËRUA, TORTURUA DHE NË FUND U PUSHKATUA

Një nga shkrimtarët spanjollë më të vlerësuar në rang kombëtar dhe ndërkombëtar ishte Federiko Garsia Lorka.

Krijimtaria është thelbësore për studiuesit e letërsisë. Ndërsa figura e tij është bërë një model referimi.

Një muaj para se të vdiste, kur miqtë e nxisnin të largohej nga lufta civile në lindje, Lorka u rikthye në Granadë. Ai do të pushkatohej më 19 gusht 1936.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult