Federiko Garsia Lorka: Ah, dashuria që iku përgjithmonë…

Federico Garcia Lorka
Federiko Garsia Lorka

Nga Federiko Garsia Lorka

Rrjedh lumi Guadalkivir
ndër ullinj edhe limonë.
Të dy lumenjtë e Granadës
në grurë zbresin nga bora.

Ah, dashuria
që iku përgjithmonë!

Lumi Guadalkivir
i ka mjekrat shegë all.
Nga dy lumenjtë e Granadës-
njëri lot e tjetri gjak.

Ah, dashuria
që fluturoi larg!

Për anijet me pëlhura
një rrugë ka Sevilja jonë.
Nëpër ujin e Granadës
veç psherëtimat remojnë.

Ah, dashuria
që iku përgjithmonë!

Guadalkivir, pirg i lartë
dhe erë mes portokajsh.
Dauroja e Henili-kullëza
vdekur përmbi pelgjet pranë

Ah, dashuria
që fluturoi larg!

Kush më thotë se ujët marrka
zjarr’ e klithmave, kush thotë ?

Ah, dashuria
që iku përgjithmonë!

Ullinj çoji, Andalusi,
detit tënd, dhe portokaj.

Ah,dashuria
që fluturoi larg!

Përktheu: Aurel Plasari

*Titulli i origjinalit: “Baladëzë e tre lumenjve”

————————————–

LEXO EDHE: Federiko Garsia Lorka: MEQË NUK U SHQETËSOVA PËR LINDJEN, NUK KAM PSE TË SHQETËSOHEM PËR VDEKJEN

Ja disa nga thëniet më të bukura të poetit spanjoll, Federiko Garsia Lorka:

“Ndjenja më e tmerrshme nga të gjitha është ndjesia e humbjes së shpresës”.

“Çdo udhëtari, kur shkon nëpër qytete të mëdha, i tërheqin vëmendjen dy elemente: arkitektura e jashtëzakonshme dhe ritmi i lartë i jetesës. Me pak fjalë: gjeometria dhe ankthi”.

“E kam humbur shpesh veten… në mënyrë që të gjej atë flakën që më mban shpirtin ndezur”.

“Në thelb të çdo vepre të njohur arti është një melankoli e thellë”.

“Meqë nuk u shqetësova për lindjen, nuk kam pse të shqetësohem për vdekjen”.