
Rrjedh lumi Guadalkivir
ndër ullinj edhe limonë.
Të dy lumenjtë e Granadës
në grurë zbresin nga bora.
Ah, dashuria
që iku përgjithmonë!
Lumi Guadalkivir
i ka mjekrat shegë all.
Nga dy lumenjtë e Granadës-
njëri lot e tjetri gjak.
Ah, dashuria
që fluturoi larg!
Për anijet me pëlhura
një rrugë ka Sevilja jonë.
Nëpër ujin e Granadës
veç psherëtimat remojnë.
Ah, dashuria
që iku përgjithmonë!
Guadalkivir, pirg i lartë
dhe erë mes portokajsh.
Dauroja e Henili-kullëza
vdekur përmbi pelgjet pranë
Ah, dashuria
që fluturoi larg!
Kush më thotë se ujët marrka
zjarr’ e klithmave, kush thotë ?
Ah, dashuria
që iku përgjithmonë!
Ullinj çoji, Andalusi,
detit tënd, dhe portokaj.
Ah,dashuria
që fluturoi larg!
Përktheu: Aurel Plasari
*Titulli i origjinalit: “Baladëzë e tre lumenjve”