
Faik Konica është një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të periudhës së Pavarësisë.
Ai, para Andon Zako Çajupit dhe Atë Gjergj Fishtës, me shkrime të shumëllojshme ndihmoi dukshëm për krijimin e vetëdijes kritike të popullit shqiptar, vetëdije që është një nga nivelet më të larta të të menduarit njerëzor. Ai mbetet një nga intelektualët më të njohur shqiptar të fillimshekullit të XX.
Shumë i njohur për shkrimet e tij, polemikat dhe punën e tij si diplomat, Faik Konica ishte një erudit i jashtëzakonshëm, për të cilin Guillaume Apollinaire thoshte se i njihte 200 gjuhë. Profilit të tij poliedrik i është shtuar edhe një dimension i panjohur, ai i një prozatori, autor romanesh. Është autor i dy romaneve të shkruar në gjuhën frënge me nofkën Jean de Croia (sq. Gjoni i Krujës), “Le mariage de Leila suivi de Sotiri et Mitka” (Martesa e Lejlës pasuar nga Sotiri dhe Mitka) botuar më 1911 në Paris.
Ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e përkohshmja e tij Albania ka qenë ndër tribunat e publicistikës shqiptare për trembëdhjetë vjet. Vetë Konica është i njohur për erudicionin, publicistikën, stilin dhe ndikimin që pati në kulturën dhe politikën shqiptare. Shqetësimi kryesor i Konicës lidhej me çështjet e alfabetit dhe shkrimin e shqipes, apo “gjuhën letrare” siç e quante ai ARKIVA PRIVATE Më 14 mars 1912 u regjistrua pranë Zyrës së Emërimeve të Universitetit të Harvardit, pra gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor.
Në arkivin e tij privat më 13 mars 2006 iu gjet kërkesa për punësim, përmes së cilës mëtonte të punësohej si “pedagog në kolegj, shkollë normale ose shkollë tetëvjeçare; në lëndët: gjuhë romane, kryesisht frëngjisht dhe italisht”. Pyetjes se në cilat pjesë të SH.B.A.-së dëshironte të punonte, ai iu përgjigj: “Në 1912- 1913, në rrethinat e Cambridgeit; në vitet e mëpasshme kudo”.
Sipas studiuesit Alibali synimi i tij për të mos u larguar nga Bostoni në një periudhë kritike të lëvizjes shqiptare në Amerikë përkon edhe me veprimtarinë e ethshme të Konicës e Nolit gjatë këtyre dy viteve në kuadrin e “Vatrës”. Fakti që formulari i punësimit është gjetur në arkivën private të Faikut dhe jo në arkivën e universitetit tregon se Konica nuk e dorëzoi atë tek zyra përkatëse.
Sipas Kastratit, Konicës iu ofrua në fund të studimeve një vend pune si pedagog i anglishtes në Universitetin e Pekinit në Kinë. Me efektin domino të shpejtë të ngjarjeve të gjysmës së dytë së 1912 dhe shpërthimin e Luftës Ballkanike, Kuvendi i Jashtëzakonshëm i “Vatrës” i 16 shkurtit 1913 vendosi të dërgonte Faik Konicën si delegat në Kongresin e Triestes. Kongresi filloi më 1 mars 1913 nën kryesinë e Faik Konicës.
Ai zgjati tri ditë dhe në të morën pjesë përfaqësues nga të gjitha kolonitë shqiptare, të cilët morën vendime të rëndësishme dhe miratuan një rezolutë në mbështetje të Qeverisë së Përkohshme dhe kundër përpjekjeve për copëtimin e Shqipërisë.
Në gusht u kthye në Shqipëri, ku pasi e kishte quajtur “njeri të papërgjegjshëm, ambicioz dhe më të urryerin nga shqiptarët” Faik Konica është një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të periudhës së Pavarësisë në Vjenë, iu bashkua tarafit të Esad pashë Toptanit, në tetor ndihu në formimin e Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme.
Më 3 nëntor në rrugët e Durrësit u shit numri i parë i gazetës së Pleqësisë, “Ushtimi i Krojës”, që drejtohej nga Konica. Pas diskutimeve për ardhjen e princit, Konica pati një zënkë me Toptanin. Më 7 mars 1914 priti Princ Vidin i veshur me fustanellë të bardhë deri te gjunjët, xhokën e zezë krahëve dhe këpucë allafrënga.
Gjatë një qëndrimi dyvjeçar në Vjenë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Konica u takua me Ahmet bej Zogollin të internuar nga austro-hungarezët dhe u bënë miq. Së bashku u takuan sërish në Itali, ku Konica ishte përfaqësues jo shumë aktiv si delegat i Vatrës dhe kish refuzuar një ofertë për t’u emëruar përfaqësues diplomatik i qeverisë shqiptare në Romë.
Në shtator të 1921, Faiku u kthye nga Napoli në Boston me ftesë të “Vatrës” për t’u bërë kryetar i saj. Konica nisi të kritikonte Zogun kur u emërua kryeministër më 1922 me pendën e tij të vrerosur. Më 1923 u takua në Boston me 20-vjeçarin Gjon Mili, të cilit do t’i ofronte miqësinë e tij. Pas takimit me mikun e vjetër Fazlli Frashëri më 1925, Konica ndërroi qasje kundrejt Zogut duke u shprehur gjithnjë e më tepër si edukator përmes publicistikës së tij.
Më 13 korrik 1926 dorëzoi letrat kredenciale si Ministër Fuqiplotë i Republikës në Departamentin e Shtetit Amerikan. Në vitin 1926 Ahmet Zogu e emëroi Konicën ministër fuqiplotë në SHBA, post që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë. Pas kësaj u shfuqizua nga qeveria amerikane ngaqë delegata e diplomacisë shqiptare ishte zhytur në borxhe. Prish raportet përfundimisht me Ahmet Zogun, që i ristabilizon më 1942 në verë për çështjen shqiptare nën okupacionin italian. Vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale.
Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar. Në “Testamentin” e tij, shkruar në Boston, në 1942, Konica ngarkon Nolin, për t’i dërguar trupin pa jetë “të tretet në tokën mëmë”. Mbasi ndenji katër vjet i konservuar në një frigorifer morgu, trupi i vdekur i Konicës u varros. Po për gati gjysmë shekulli “u harrua” nga sistemi totalitar, madje i anatemuar si rrallë kush. Rikthimi i Faik Konicës më në fund në Shqipëri është rikthimi i një simboli të veçantë. Ky simbol nuk mund të shpërbëhet, as të tjetërsohet.
Konica është emblemuar te ky simbol përjetësisht. Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare. Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Malëshova) nuk mund të bënin asgjë. Më 4 mars 1946 Noli i shkruante Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës. Pasi Malëshova nuk mundi të bënte gjë, ndërhyri vetë tek autoritetet shqiptare dhe fatkeqësisht, për arsye politike, nuk gjeti mirëkuptim.
Eshtrat e tij u kthyen në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu u plotësua amaneti i Konicës, të anatemuarit, njeriut “që hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare”, “shkrimtarit reaksionar”, sikurse u quajt paturpësisht, i cili u letua nga letrat shqipe për motive politike.
Në këtë turp morën pjesë edhe shkrimtarët e kritikët letrarë, të cilët kurrë nuk do të kenë forcë, përmes kritereve estetike, ta zhvendosin nga maja e kulturës shqiptare. Atje është i përgjithmonshëm. I veçanti– Faik Konica. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe eseist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.
Njeri me dituri të madhe dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.
Faik Konica ishte polemizuesi më i madh shqiptar i kohës së tij, i cili është kritikuar shpeshherë për këtë “ves” që kishte, nga bashkëkohësit e tij. Në morinë e polemikave dhe sulmeve ndaj personazheve të kohës nga ana e Faik Konicës, ka rënë edhe Ismail Bej Vlora. Studiuesi Aurel Plasari para disa kohësh ka publikuar një letër të Faik Konicës, në të cilën ai sulmon egërsisht Ismail Bej Vlorën, duke e quajtur hajdut.
“Ditët e para të luftës Ismail Qemal Beu i shkoj në Stamboll, i hequr më nj’anë, dyke heshtur e dyke përgjuar punët. Pas Lule-Burgazit u kuptua se Turqia e humbi luftën edhe urdhërimin e saj në Ballkan. Ismail Qemali doli nga vrima, u hoth në Bukuresht, e andej në Vjenë ku, që të përdorim një fjalë të popullit, “i kish rënë era kërmë”.
Plaku zëmër-thatë e i vdekur nga çdo ndjenjë, s’humbi kohë me prralla idealiste, po nisi të shtrojë listën e harxheve: harxhe që s’kish në mëndje t’i bëjë, as i bëri kurrë. Berchtold-i, kërrusur nën barrën e mejtimeve, s’kish ngè të bëjë pazarllëqe me një Armen të Bezistenit, po me sy të mbyllur dha ç’i kërkuan. Ismail Qemali, torbën me flori nënë sqetull, edhe doli në Durrës.
Atje mblodhi edhe ca njerëz të tjerë, edhe të gjithë, ca kaluar e ca më këmbë, ca në qerre të hequra prej buajsh, u nisnë për në Vlorë. Kjo karvanë, e përzjerë, e varfër, e qelbur, në çdo rast tjatër do t’ish për të qeshur, po tani shpinte fatin e një kombi të vjetër e, nga madhësia e barrës, merrte një farë madhësie edhe vetë. Passi Sërbët ishin në rrethet e Elbasanit, karavana kish zgjedhur një udhë të vështirë ngjat detit. Ismail Qemali, i ngrysur e i rëndë, me maskën e Moisuit të ngjitur mirë në faqe, mbahej si një profet i theatros edhe kalonte pa folur.
Me në funt Dheu i Premtuar u duk: Vlora e lodhur, e shtrihur në zall të detit. Çdo njeri ka orën e tij, një orë që i kapërxen të gjitha të tjerat nga bukuria e nga forca edhe është si maja më e lartë e një jete. Padyshim, më 28 të Vjeshtës së Tretë 1912, kur dora thonjë-mbrehur e tij ngriti në Vlorë flamurin e vjetër të Skënderbeut, katërqint vjet të harruar, çasti i math për Shqipërinë ka qënë edhe më i bukuri në jetë të turbulluar t’Ismail Qemalit. Sikur të kish vdekur të nesërmen, do të kish mbetur i rritur dhe i paharruar në zemër të popullit. Po rrojti. Rrojti mjaft sa të çbëjë me rrënjë atë që kish nisur edhe sa t’a ndyjë flamurin gjithë me atë dorë me të cilën e kish ngrijtur.
E para punë që bëri në Vlorë ish të dërgojë njerës në Janinë t’u këshillojë ushtarëve shqipëtarë të mos lëftojnë më kot për Turqinë, po të kthehen në shtëpit’ e tyre, se Evropa do t’i jipte Shqipërisë lirinë. Aqë budalla nuk ish Ismail Qemali sa të mos kuptonte që luftërat që bëheshin në Bezhan nuk ishin për të mbajtur Turqinë, rolli i së cilës ish i mbaruar: ishin për të ruajtur Shqipërinë nga invazioni.
Po ca vjet më parë Ismail Qemali kish shënuar me grekët një rimarrëveshje, pas së cilës kufiri i Greqisë edhe i Shqipërisë do t’ish një ditë Vjosa; më i besës te Greqia se të Shqipëria, ky “disfattista” para se të krijohet fjala i çponte Shqipëtarët të dezertojnë ballët e Bezhanit që t’u hapej Grekëve udha e Shqipërisë. Një tjatër pun’ e bukur e Ismail Qemalit ish këshilla që u dërgonte shqiptarëve të mundojnë ushtarët e thyer të Turqisë, që xvarrniseshin të urët e të lodhur nga sheshet e luftës.
Kur ish kundër Turqisë, pse nuk e goditte sa ish Turqia e gjallë dhe e fortë? Turqët pa dyshim që na kishin bërë dëme, po a i ka hije një populli fisnik të shkelë e të shajë ata që janë mbë dhè? Kur del tjatri me dorën të zgjatur për lutje e me “amanin” në gojë, s’ke më një mik a një armik përpara, ke vetëm një njeri.
Ç’mësim qytetërie për një popull t’i këshillosh t’u përgjigjet me shkelme njerësve të plagosur që kërkojnë një kupë ujë! Jo, Ismail Qemali nuk u dëftua si një stërvitës i lartë i popullit, po si një negër me instinkte shumë t’unjura. E poshtër moralisht, sjellja e tij ish politikisht e lajthitur. Sa me atë mënyrë mbolli në zemër të Turqve dëshirën e çpërblimit. Dhe s’është aspakë një paradoksë të thomi se kryengritja e Shiakut më 1914 u gatit më 1912 në Vlorë.
Që të mos mbetej asnjë dyshim në mëndje të Turqve se Shqipëria e re u kish deklaruar sheshit e gjer në funt luftën, një njeri i sëmurë, i cili kërkoi dhe mori lejë zyrtare për të shkuar nga Vlora që t’i hipij vaporit, u vra mu në mes të qytetit kur e shpijin të shtrihur në një shtrat. Ismail Qemali kujtonte se kjo vrasje do t’pëlqehej, sepse i vrari quhej Njazi, po edhe një malok e di se është gjë e poshtër të ngitet një njeri që shkon nga kufiri yt i siguruar me fjalën, me besën, me nderin tënt.
Me të tilla, dhe me qint të tjera si këto, Ismail Qemali e filloi Shqipërin’ e re, nxiu vetëdijat e Shqipëtarëve që prisjin dritë, edhe fëlliqi flamurin t’onë në sy të botës. Pakë nga pakë i dolli turpi, hoqi maskën, u duk hajduti sheshit, gjer sa më në funt një oficer i Hollandës i vuri hekurat në dorë e, mes dy zaptiesh me sungji përpjetë, e futi në vapor edhe e nxori për gjithnjë nga sheshi i politikës.
Po, me gjith’ këto turpe, dora e Ismail Qemalit do t’kujtohet për jetë në histori, se ngrijti e para flamurin e unjur katër shekuj më parë. Me këtë veprë Vlora u bë më tepër se një qytet historik: u bën simboll i pavdekur dhe një copë e pandarë e shpirti shqiptar.” Nga: Faik Konitza, 28 Vjesht’ e Tretë / 3 Qershuar 1917, në “Kuvendi”, Romë, 30 nëntor 1919.
ObserverKult
Lexo edhe:






