“Fëmijë i dhembjes”, cikël me poezi të Afrim Maliqit, gazetarit e poetit të vrarë nga shërbimi sekret serb

Cikël me poezi të Afrim Maliqit

DRITARE PA PERDE

Në dritaren time perde mos lëshoni
Shikim i përmallshëm të mos këputet
Në hapësirën e kobit thonj përgjakur.

Mbi kujtime rritet bar i gjelbër
Formën e fytyrës të së dashurës merr
Në krye të çdo dite thirren kosarët
Mjekrën e ëndrrës së vjetër kositin.

Nëpër rigën e verdhë të pikëllimit
Lumon lutja, thirrja, dëshpërimi
Ikin në fshehtësitë e mallit.

Në rrugën deri te rrënja e etjes
Buzët dhe shpirti ujë kërkojnë
Përplasen në dymijë vjetët e etura
Thurin këngën për burimin e kulluar.

Zhveshin sy e këngë e eshtra
Buzëqeshje që shpojnë si shigjetë
Grisin perden në dritaren e jetës
Dritarja e shpirtit perde të mos ketë.

PARA BUKURISË

Krejt çka këndoj te këmbët e këtij muri
Vaj s’është as këngë e gjatë klithmë
Është mall shqetësim fati e dëshire
Derisa etja ndizet flakë në fërkimin e heshtjes
E rritet pylli futë përtej qelqit të vetmisë
Te këmbët e murit që lartësohet akull i ftohtë
Vargjet s’janë kërpudha me këmbë në lagështi
Labirinteve gjurmët e ngjitjeve janë
Stoli malli etje e heshtje të krisur
Vazhdës së bukurisë vazhdës së tragjikes
Deri te maja e jetuar rastësisht
Ku Zoti i mirë është afër çmendurisë
E njeriu takohet sy më sy me veten
Në një mijë beteja të humbura
Kundruall jetës e vdekjes e harrimit
Te këmbët e atij muri të papushtuar
Dëshira është e shqetësuar dridhëruese është
E malli rrit lumin e shpresës me shikim në zemër

FËMIJË I DHEMBJES

Nëpër muzikën e fatit të kurdisur me pahir
Udhëtimin e bëre bukur majë gishtash me drojë
Balerinë e heshtjes së rëndë heshtjes symadhuar
Zymtisë së kësaj skene hidhesh tërë shkëlqim
E lehtë e rrezore e tejdukshme qelq i larë
Mbi këtë rrafsh të përçudshëm e të vrarë mallkimi
Ku mëkati erdhi para nesh e lëshoi rrënjë thellë
S’di ç’do të gjejmë për të puthur për të sharë e vrarë
Drama luhet vetëm një herë e tërë jetën është premierë
Balerinë e heshtjes së kobshme heshtjes së bukur
Fluturake e lehtë nëpër skenën e kuqe gjak
T’i krijojmë sytë shpinës në këtë lojë tehianë
Rrugës duhet t’iu biem deri në fund pa i humbur ëndrrat
Premierë është gjithçka jeta dhe vdekja premierë
E secili gabim është i ri i krijuar rastësisht
Edhe pylli i zi përtej zemrës e mallit e zjarrit
Ç’do gjë është më e re se ne në këtë rrafsh shqetësimi
E udha duhet të bëhet deri në krye të shkallëve
Edhe zvarrë po t’hiqemi deri në ballkonin e
Lumturisë

MËRZI

Kthej në katin e panjohur të ëndrrës
Pluhuri mbulon librat në shuplakat e jetës
Gramafoni zërin nga kolla e natës
Në dhomën e verdhë të shtëpisë sonë
Ndal orën t’i shpëtoj shiut të ndyrë
Ndërroj vendin e gjërave sipas teorisë së harrimit
Fëmijëria më gjuan me troha buke e fije bari
E zgjon një erë ma shkund pluhurin prej flokësh
Të gjitha pasqyrat e poezisë i thyen mllefi
Ajo nisë këngën për sytë e kaltër qiej të larë
E ma shan verdhësinë në shikimin e butë
Unë ia tall kuajt e pafre në livadhin e pafund
Një grimcë pluhuri ia tregoj në tavolinë
Pastaj shkretëtirën e paanë të përgjakur
Rrezesh të kuqe dielli nga perëndon
Nëpër mure shpërndaj pikturat e mërzisë
Në trajtë mllefi urrejtje dashurie
Duke nxituar tehianës humb portretin tënd e dashur
Zë e harroj ecjen këngën shteret mëngjesi
Simfoni e rëndë vazhdon t’m’i rrahë tëmthat
Duke kërkuar derën në katin e panjohur të ëndrrës
Humb portretin tënd e dashur zë e shteret mëngjesi

PESIMISTE

Do të herremi ngapak fluturimesh të kota
Fëmijësh rebelë të pangopësisë njerëzore
Njëri – tjetrin do ta shohim me sy mungese
Për ta mbytur kohën që na bartë territ
Kurthave të mashtrimit do të shkelim sërish
E vetes s’do t’ia pranojmë deri në fund
Se kemi ecur bulevardeve të erës
Për jetën e të vërtetën do të flasim lakmisht
Si për gjërat që i kemi parë mbrëmë në televizor
Si për rrugët që janë ndërtuarb e mbetur shkretë.

PORTRETI YT

Ke mbetur këngë
Që mallëngjen shiun, rrëfimet e babait
Kur flet për shokët e fëmijërisë.

Ke mbetur lule
Që ma kujton pranverën
Edhe kur përreth shoh borë
Kur ngricë bën.

Ke mbetur fjalë e zjarrtë
Që djegë gjithçka
Që i vë hije të kaluarës.

Ke mbetur shikim
Që nuk din për mplakje
Kah rruga që shpie në amshim.

Hapësirës shëtitë portreti yt
I buzëqeshur dhe krenar
Përshëndetë rritën tonë.

ME JETËN

Çdo mëngjes dritare krahëhapur
Nga ëndrrat e dhembjet e dashuritë
Të harruar natën kur na shtrydhë vetmia
Të heshtur e me mall mbyllemi në një përrallë.

Në përjetësinë e shpirtit të vet
Fisi im ende të dielave bën dasmë
Konstandinin ende s’e treti dheu
Doruntinës ka zënë t’ia thajë lotët era.

Flasim me gjuhën e gurëzuar në legjendë
Projektojmë qytetin e bardhë të dashurisë
Me duart tona qëndisim fytyrën e fatit
Një buzëqeshje dhe një shikim të përmallshëm.

KRONIKË NGA SPITALI

Ka ndodhur në kohë të pakohë
Të jetohet jeta shtrirë në krevat
Në dritare ta kundroj qytetin gjatë
E verdhësia të zbresë në pikë vere
Spitali në ëndrra a ëndrra në spital të futet
Një fëmijë të qeshë me hijen e vet
Të zbresë shkallët e ftohta drejt bardhësie
E qyteti çdo herë i qetë në iluzionin e sëmurë
Jeton jetën e vet mos përfillë harrimin
Nga dritarja vrapoj bulevardeve të erës
E kthehem me ëndrrën e mëngjesit befasisht
Dikush tërheqë sandalet në asfalt
Gërvishtë qetësin e madhe në bregun përtej jete
Ku shkelet ngadalë në kujdes të gjatë
Spitali në ëndrra a ëndrra në spital është futur
Portreti në dritare s’i ngjan jetës as ty.

GJAK E FUND

Udhët litarë rreth qafe gjerdan
Bukuri e trishtë ky kënd kjo këngë
Shikim i butë e i çmendur sysh të zmadhuar

Me buzë të fryra
Etshëm po e puthim atë sipërfaqe të përgjakur
Unazë e çuditshme ankthi

Më në fund të gjithë u bëmë vrasës
S’ka kuptim më bregu i larë vese
Idealet e bukura që vdesin
Qenja jonë pa truall
Pa qiell e kohë të mbarë
S’ka kuptim

(…na kanë vrarë kaherë Zana
me një heshtë të madhe tradhëtisht
vetëm Zoti nuk e deshi vdekjen…)

Fundi erdhi dhe çdo gjë e mori lumi
Në këtë cirk të çuditshëm
Të gjithë jemi vrasës
Gjaku ka rrjedhur
Nëpër shikimin tonë të bukur e të trishtë
Çmendja po ndodh vazhdimisht

Fundi po ndodh
(… ç’u bë me fëmijët, Zana
me atdheun në sytë e tyre ç’u bë…)
Me buzë të fryra vese ëndrrash
Sy të zmadhuar, të tmerruar.

MAGJITË E ZANËS S.

Syri i zi
Nuk më sheh me dashuri

Të zezë flokë të zezë të zezë
Në tundje koke
Më ngulin thikë në brez

E ajo fytyrë që ndizet për mall
Kur e merr magjia
I mrekullueshmi lampadar

E hasa në cektësinë
Shi e shi mbi det shi
Zbritja thellësish i mbytur malli
I vetëm kalli.

Më zuri në grep
Më vërtiti në breg
Syrit të përmallur m’i nguli shigjetë
Kjo vajzë e përhanë kjo vajzë zanë.

Flokë e buzë e gji e bel e këmbë
Bëjnë magji
Po syri i zi
S’më sheh që s’më sheh me dashuri.

SËMUNDJA E DASHURISË

Mbrëmë të ëndërrova të vdekur
E dheu rrihte fytyrën time
Derisa ngrihej kodër e varrit
Mbi kurmin tënd të shtrirë

U zgjova me erë dheu
Dhe e kuptova se s’të dua…
I sëmurë jam dashurie

Derisa të varrosja
Më zihej fryma
Dhe më doli gjumi, ankthi
Me erë dheu në gojë

Më bëhet se s’të dua…
I sëmurë isha dashurie

Dashuria është llahtar
Kurrë mos dashuro kënd, e dashur
Kurrë mos dashuro, e dashur
Dhembjen s’e vlen askush

Unë e ti jemi varri
Unë e ti jemi i kalluri në dhe
Më shëro po munde
Më gjuaj mbi re

Po kthehem prej varrimi
Miku im i vetëm
I tëri dhe
Rëndë më vjen të flas

______________________

Poeti, gazetari e publicisti Afrim Maliqi ka lindur më 1 dhjetor 1965 në Dobratin të Podujevës. Mësimet e para deri në klasën e gjashtë i kishte përfunduar në vendlindje për t’i vazhduar vitet tjera të tetëvjeçares në Dumnicë të poshtme, ku ishte shpërngulur me familje e tij.
Shkollimin e mesëm Afrimi e vazhdon në QAMO të Podujevës, kurse studimet i përfundon në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filozofik, në degën: Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Gjatë studimeve, në mandat dyvjeçar zgjidhet Prodekan – student i Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Ndërsa për shkaqe shëndetësor me vonesë diplomon në Fakultetin Filozofik – Dega Letërsi dhe Gjuhë shqipe.
Në vitin 1992 punësohet mësimdhënës në shkollën tetëvjeçare “ Naim Frashëri” të Podujevës. Dy vite më vonë në tetor të vitit 1994 fillon punën e gazetarit në të përditshmën “ Rilindja” përkatësisht “ Bujku” të Prishtinës dhe njëkohësisht regjistron studimet postdiplomike për letërsinë shqipe.
Afrim Maliqi bashkë me Hyzri Tallën dhe Ilir Durmishi, më 2 dhjetor 1998 ranë në një pritë të forcave serbe në Prishtinë. Ata u vranë nga shërbimi sekret serb në afërsi të Qendrës së studentëve në Prishtinë derisa ndodheshin në një mision ushtarak.
Dëshmori i kombit, Afrim Maliqi jetoi vetëm 33 pranvera, ose “vetëm tetëmbëdhjetë orë më shumë se Jezu Krishti”, siç do të shkruante gazetari Jusuf Salihu.

Lajmi për vrasjen e Afrimit ishte ankth e tmerr në familjen e tij, për miqtë dhe gjithë ata që e njohën.

“Çdo rrëfim për vrasjen e njeriut të mirë është një tmerr. Por rrëfimi për vrasjen e artistit dhe intelektualit kapërcen kufijtë e tmerrit. Është një tundje planetare”, do të shkruante Halil Matoshi.

“Po. Vrasja e Afrimit është një prerje, siç u prenë baladat e J.G. – së. Afrim Maliqi. Një emër midis nesh, që e kemi dashur, sepse ishte i shndritur nga mendimi. Po. Afrimi ishte një Amadeus – i ardhur i perëndisë, se Zoti i zgjidhka dëshmorët, dhe këtë fat s’mund ta ketë secili nesh – një dëshmor që jeton, vetëm ka ndërruar trajtë – por ne nuk kemi afërsi që ta shohim, ai jeton heshtur, por historia nuk bëhet pa të.
Ai ishte një kritik i rreptë i shoqërisë shqiptare, por i butë dhe fin. O Zot i madh, si bëre emër që Afrimi të zgjodhët që t’u bëhet fli hyjnive të një toke të egër, por të pafajshme, siç është Fusha e Mëllenjave.
Pse të zgjedhurin tënd o Zot? Atë e patëm zgjedhur ne, pse na e more Zot. Ah, Afrim Maliqi se ç’na bëre një gropë në shpirt, një humnerë të madhe sa mungesa”, theksonte mes tjerash Matoshi.

Përgatiti: Fadil Halimi

ObserverKult

Kliko edhe:

BUQETË POETIKE NGA EDI SHUKRIU: FATI QË NUK ISHIM ZOGJ…