
69 vite pas realizimit, filmi i parë artistik tërësisht shqiptar, “Fëmijët e saj”, është rikthyer në ekranin e madh te kinemasë i restauruar.
Premiera e filmit u zhvillua në Kinema Drita, në mjediset e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Filmi me regji të Hysen Hakanit, është i metrazhit të shkurtër, realizuar në vitin 1957 si punë diplome. Ai zgjat vetëm 14 minuta, por zë një vend të rëndësishëm në fillesat e kinematografisë shqiptare. Restaurimi i tij vjen në vazhdën e disa restaurimeve të tjera të rëndësishme, në kuadër të nismës së AQSHF-së, “Adopto një film”, përmes së cilës filmat e vjetër shqiptarë marrin jetë duke u restauruar.
“Është shumë kënaqësi që ta nisim sezonin e restaurimeve me filmin e parë shqiptar, por edhe me një film që jo të gjithë e njohin si të tillë. ‘Fëmijët e saj’ ka një veçanti tjetër, për kushtet kohore, historike dhe sociale në të cilat është krijuar”, u shpreh drejtori i AQSHF-së, Eljan Tanini.
Ky restaurim shënon gjithashtu një moment të rëndësishëm për Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, pasi është i pari i realizuar tërësisht nga specialistët e institucionit, brenda arkivit.
Procesi, i cili zgjati rreth një vit, u krye nga Erand Meça dhe Hajrije Dedej. Materiali origjinal, i dëmtuar ndjeshëm nga koha, iu nënshtrua skanimit digjital, stabilizimit të imazhit, pastrimit të dëmtimeve dhe korrigjimit të parametrave vizualë, me synimin për t’i rikthyer filmit sa më shumë nga cilësia e tij e dikurshme.
Filmi rrëfen historinë e një nëne, e cila pas kafshimit të të birit nga një qen i tërbuar zgjedh t’i besojë një fallxhoreje në vend të ndihmës mjekësore. Filmi dëshmon realitetin social të kohës kur u krijua duke synuar sensibilizimin kryesisht të popullsisë në zonat rurale.
Në të interpretojnë emra të njohur të skenës dhe kinematografisë shqiptare, mes tyre Marie Logoreci, Marika Kallamata, Naim Frashëri, Xhemal Berisha, Loro Kovaçi, Vangjeli Pikuli, Esma Agolli, Pjetër Gjoka dhe Bejtulla Kurtheshi. Muzika është kompozuar nga Tish Daija.
Pas “Fëmijët e saj”, specialistët e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit po vijojnë punën për restaurimin e dy titujve të tjerë të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare, “Dimri i fundit” dhe “Një gjeneral kapet rob”./ath
ObserverKult
Lexo edhe:
Albin Kurti vlerëson regjisorin Visar Morina dhe filmin “Shame and money”






