Fernando Pessoa: Jo për mua, por për ty…

Fernando Pessoa:

Jo për mua por për ty
Janë këto kurora trandafilash
Bëji kurorat për ballin tënd
Kurorat e mia s’i shoh asgjëkundi.

Njeri pas tjetrit o djalë ne bëjmë
Një bukuri shterpe por të mjaftueshme
Për një përdëllim sëbashku
Me kënaqësinë e shfaqur tek sytë.

Çdo gjë tjetër i përket Fatit
Që na mat jetën
Me rrahjen e gjakut në tëmthat,
Gjersa ende s’ka arritur varkëtari Karont.

Përktheu: Moikom Zeqo

ObserverKult


LEXO EDHE:

FERNANDO PESSOA: GJITHË NATËN S’MUNDA TË FLE DOT

Poezi nga Fernando Pessoa

Gjithë natën s’munda të fle dot
Nga horizonti i errët dhe i ftohtë vjen mëngjesi.
Pse ekzistoj në këtë botë?
Për asgjë që nata qetëson,
Për asgjë që ngjall dita e re,
Për asgjë serioze,
Për asgjë të kotë?

Syenjtur nga ethet pa kufij të pritjes
Me frikë shoh agimin e ditës,
Që përsërit të njëjtën ditë të fundit
Të botës dhe të dhimbjes
Ditë e ngjashme si gjithë të tjerat
Në familjen e përjetshme
Të të qenit përherë kështu.

S’ka vlerë simboli
I kuptimit të mëngjesit që ngadalë vjen
Ngritur nga e njëjta esencë e natës së shkuar
Për njeriun që shumë herë ka pritur diçka
E tashmë asgjë nuk pret!

Përktheu: Moikom Zeqo