“Festë”, poezi nga Shazim Mehmeti

Shazim Mehmeti

Nga Shazim Mehmeti

I gëzuet asht ajri
që e ka fatin me e përprekë.
Secila molekulë e atij ajri
asht n’festë.
N’festë asht copka e dritës,
që i bie, i lahet,
mbi gjinj, mbi qafë.
N’festë asht korniza,
ku i asht mbështetun dora.
N’festë asht lulja n’saksi,
që i asht aq pranë,
edhe e ka fatin e mirë,
me e nuhatë me nji pipth,
e me i marrë erë
n’lëkurë e n’bark.
N’festë asht era,
që gjithë dëshirim
i fryn mbi shpinë,
e ia hedh flokënajën
tutje n’hapësì.
N’festë asht deti
që e sheh largas,
mishërue me iu afrue,
me i dhurue
edhe pak ngjyrë për sytë.
N’festë janë sytë e mi disi verbakë,
që tashma, lëshue janë
n’afsh t’pakthyeshëm,
mjegulltas ia shijojnë format delikate,
tuj e ba shumë ma engjëllore se ç’asht,
atë grue n’verandë,
që asht e zhveshun, e zhveshun,
deri n’atë masë bukurie,
që t’ban me vdekë…
që t’ban me vdekë…
që t’ban me vdekë…
prej dëshirimi t’pandalshëm…

ObserverKult


Lexo edhe:

SHAZIM MEHMETI: AJO ASHT ENGJËLL…