Festimi i Kërshëndellave në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë

Nga Begzad Baliu

Festë e Kërshëndellave ka zbritur në Prishtinë
Mes të ftohtit dhe mjegullës së zezë, si futa e përrallave të gjyshërve tanë
Rri strukur katedralja “Nëna Terezë”, si e vrarë në faj

Mbretëresha Teutë harruar nga Evropa, pret në karrigen e parë
Hesht si të kishte dalë nga pikturat naive të Amanda Wite
Pret të vinë brenda politikanë që kurrë nuk i kanë besuar zotit
Ushtarakë që shajnë zotin sa herë japin urdhra
Fqinjët myslimanë që festojnë Ditën e Shëngjergjit më 6 maj!

Është natë dhe mjegull e dendur e Prishtinës Katedralen mbulon!

Ajo lëvizë ngadalë në të majtë e në të djathtë me sytë e hapur drejt Krishtit
Është ftohtë dhe në errësirën e mjegullës
Katedralja “Nëna Terezë” rrëshqet thellë vertikalisht në errësirë
Një dritë vetëm një dritë duket në fillim të shekullit që hymë

Ca zëra të paartikuluar vinë nga jashtë
Zëra që hyjnë nga dera, nga dritarja nga porta e kambanës
Ç’po ndodh
Mbretëreshë, grua, kërcu a fallxheshë
Kush je ti?

Mbretëresha Teutë ngrin në vend si një pikturë naive
Dhe nuk e lëvizin dot as rëniet e kambanës
Krismat e kambanës nuk vijnë nga lart, po nga thellësi e tokës
Zërat shtohen por ende të paartikulueshëm
Gruaja kërcu kthehet nga Porta e madhe
Hapen kanatet e mëdha të Katedrales
Jashtë është ende errësirë dhe mjegullnajë – zi si futa
Zëra të përzier vinë gjithnjë e më shumë
Errësira i bënë më të frikshëm se ç’janë

Mbretëresha Teutë kthehet nga Krishti Mbret
Turma lutet: Allah! Allah! Allah!

Lutu Madhëri, lutu, edhe këta besimtarë të Zotit janë!
Krishti mbret ngre duart lartë, po zëri nuk i del a nuk i dëgjohet
Qindra njerëz: burra, gra, fëmijë, hyjnë me pisha të ndezura në duar
Hyjnë nga dyert e mëdha, nga dritaret, nga dera e kambanës

Paqe! Paqe! Paqe!
Pajtim! Pajtim! Pajtim!

Afrohen pranë gruas kërcu, pranë Krishtit Mbret
Për një çast hapet Kupola e Katedrales dhe qielli njëkohësisht
Kambana bie pa pushim
Të gjithë drejtojnë duart lart dhe shohin tek fluturojnë shpirtrat e Skënderbeut dhe Nënës Terezë

Kambana bie pa pushim
Qytetarët ngrehin duart lart ose bëjnë kryq
Bien në gjunjë e luten si në xhami
Mbretëresha Teutë i drejtohet Krishtit: ç’po ndodh Madhëri
Në vend të pishtarëve qytetarët mbajnë në duar librin e lutjeve
(Ajo afrohet sa te njëri sa te tjetri dhe i shikon me habi)
Krisht: nuk e kanë në dorë Biblën, Kuranin, Tevratin!
Në vend të tyre paskan librin “Profeti” të Halil Xhibranit

Krishti i Madh, ku je?
Zoti Im, cili je?

ObserverKut

——————–

Lexo edhe:


BEGZAD BALIU: NË FILLIM ISHE TI PASTAJ ERDHI OBAMA