Festivali Aulona sjell në Vlorë magjinë e folklorit shqiptar dhe evropian

Ansambli folklorik “Gojus” i Lituanisë u shpall fitues i edicionit të XIII i Aulona Inter Folk Festival-2021, që u mbajt në qytetin bregdetar të Vlorës nga 12-14 qershor.

Ky ansambël ishte risia e edicionit të këtij viti, pasi befasoi jo vetëm me nivelin e lartë të shpalosjes së folkut të tyre, por edhe me kostumet tradicionale, të cilat sipas historisë datojnë apo vijnë si modele nga hershmëria e trashëguar midis shekujve të pesëmbëdhjetë e gjashtëmbëdhjetë.

Drejtori i Përgjithshëm i këtij festivali, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se “në përfundim të natës së tretë të festivalit, në mbyllje të koncertit me numra të zgjedhura, kupa e edicionit të trembëdhjetë shkoi për Ansamblin “Gojus” nga Lituania, grup që shkëlqeu mbi të tjerë me performancë vallëzimi, por edhe me kostumet perandorake, të cilat e kthejnë në një grup folku të magjishëm, sa autentik po aq edhe mjeshtëror në paraqitje e interpretim”.

Sipas tij, në këtë festival morën pjesë rreth 300 artistë të ardhur në qytetin bregdetar nga disa vende të rajonit e Evropës, për tri ditë me radhë sollën në Vlorë këngë, valle si dhe ngjyra kostumesh të shumëllojshme, duke e kthyer atë në një skenë të hapur folklori.

“Aulona Inter Folk Festival-2021, ndonëse përmes vështirësish të natyrshme prej gjendjes shëndetësore globale, shënoi një manifestim të vërtetë me vlera të rralla trashëgimie kulturore, ngjizur natyrshëm me dimensionin turistik të qytetit bregdetar përherë në tentim për të mbajtur kurorën mbretërore të turizmit të vendit”, – tha Gjokoli.

Grupet pjesëmarrëse performuan jo vetëm në skenë, përkundrazi në mjedise të ndryshme të hapësirës së qytetit, aje ku janë qytetarët, në trotuare, në sheshe, në lulishte e kudo.

Për të parën herë festivali pati rastin të gjendet në zonën historike e turistike të qytetit, në Vlorën e vjetër rikonstruktuar së fundi, e cila u është kthyer në një atraksion të gjallë sa historik e turistik po aq edhe kulturor.

Performancat e grupeve në hapësirat e gurta të kësaj lagjeje të rikonstruktuar e kthyer në identitet përmes një projekti të posaçëm duken të bëra enkas për të pritur vlera të tilla të trashëgimisë shpirtërore.

U mirëprit e duartrokit gjatë nga të gjithë adhuruesit e folkut edhe grupi i ardhur nga Rumania, nga qyteti i Devas në rajonin e Transilvaninë. Skenës dhe qytetit të Vlorës i dhanë jo pak shkëlqim edhe grupet e ardhura nga Shkupi e Gjilani, nga Korça e Elbasani, nga shqiptarët e Sllovenisë, nga polifonët zëbukur të grupit të Memaliajt, por edhe nga grupet folklorike të Vlorës.

Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”, që është pjesë e aktiviteteve në çelje të sezonit turistik në Vlorë, vlerësohet nga specialistët si një nga aktivitetet më të spikatura në trevat shqiptare dhe më i madhi në Shqipëri në llojin e vet dhe me një gjeografi pjesëmarrjeje që shtrihet në Evropë e Azi./ATSH

LEXO EDHE: Për herë të parë, mbahet në Tiranë Festivali Evropian i Filmit të Arkeologjisë