Festohet 250 vjetori i lindjes së “gjermanit më të njohur”

Festimet përgjatë vitit jubilar të 250 vjetorit të lindjes së Ludwig van Beethoven-it do të nguliten në kujtesë. Rreth 1000 aktivitete janë planifikuar në mbarë federatën përgjatë vitit 2020 në shenjë të muzikës së kompozitorit të madh.

Ministrja e shtetit për Kulturën, Monika Grütters e quajti atë gjatë prezantimit të programit në Berlin “gjermanin më të njohur”. Muzika e tij entuziazmon dhe bashkon njerëzit nga çdo anë e botës.

“Beethoveni me një radikalizëm të padëgjuar e ka revolucionarizuar muzikën e kohës së tij. Ne kemi nevojë edhe sot sërish për forcën vizionare, me të cilën Beethoven-i pozicionohej politikisht e në radhë të parë artisitikisht. Vepra e tij është një simbol për arritjet demokratike të një Europe të bashkuar dhe kundër forcimit të thirrjeve populiste për izolim dhe përjashtim”.

Beethoven: Europian, humanist dhe kozmopolit

Qytete në mbarë Gjermaninë do të përkujtojnë kompozitorin e lindur më 1770 në Bon dhe që ndërroi jetë më 1827 në Vjenë. Vepra të tëra të kompozitorit mjaft produktiv do të interprentohen gjatë aktiviteteve gjatë vitit. Nën patronazhin e presidentit Frank-Walter Steinmeier do të zhvillohen një sërë koncertesh, ekspozita, projekte filmike si dhe veprimtari për fëmijë e të rinj. Boni, qyteti i lindjes së Beethoven-it, ku ai jetoi deri në moshën 22 vjeҁ përpara se të zhvendosej në Vjenë, luan një rol kryesor në vitin jubilar, tha kryeministri i Renanisë Veriore-Vestfalisë Armin Laschet. Beethoven-i, sipas tij, është pjesë e ADN-së së këtij landi. Ai theksoi, se Beethoven-i ishte jo vetëm kompozitor, por edhe një humanist dhe kozmopolit nga Boni. Me Odën e Gëzimit nga Sinfonia e 9 ai është bërë një europian i madh. Më 2020 ne duam të kremtojmë kryesisht muzikën e tij, por edhe të rizbulojmë vizionet e mendimet e tij”, tha Laschet. Për këtë nuk ka vend më të përshtatshëm se Boni, që kultivon pikërisht vlerat që e frymëzonin atëherë Beethoven-in: “Të qenit i hapur ndaj botës, humanizmi dhe vizionet”.

Ndër pikat kulmore të koncerteve në vitin jubilar do të jetë një ditë përpara datëlindjes së Beethovenit më 16 dhjetor në Bon koncerti hapës i London Symphony Orchestra me dirigjent Simon Rattle dhe violinisten Lisa Batiashvili. Berliner Philharmoniker planifikojnë një maratonë 24 orë të Beethovenit më 25 prill. Veprimtaritë dhe aksionet në vitin jubilar do të kenë pesë shtylla programore në të cilat inicialet në logon e jubileut BTHVN2020 përmbajnë: Beethoven si qytetar i Bonit (“B”), si artist i tingujve (“T”), si humanist (“H”), vizionar (“V”) dhe i apasionuar pas natyrës (“N”). Në mbyllje të vitit jubilar dirigjenti Daniel Barenboim më 17 dhjetor do të dirigjojë në Bon “Sinfoninë e 9” me orkestrën West-Eastern Divan Orchestra. Në Berlin ndër të tjera është planifikuar “Laboratori 2020” i Akademisë së Arteve. Në të bëhet fjalë për një projekt bashkëpunimi ndërkombëtar të kompozitorëve të rinj nga e gjithë bota, të cilët frymëzohen nga veprat e Beethoven-it.

DW