Fitim Majkovci: Kur vdiq nana vdiq edhe shpresa

Kur vdiq nana
baba, u mshel
ditë për ditë,
në çdo ditë zemër xehër.
Harroi të çante edhe drutë
po s’harroi të qante natën
se nanën s’kish,
jetën s’kish,
nuk kish kurën e sëmundjes t’tij…
Baba lëngonte nga lumturia
“sëmundje” që i rritej përditë pranë nanës.
Zemra e babës e vogël
s’duroi tan’ at’ lumtuni,
e nana iku…
Baba u shua, si edhe lumtunia e tij,
bota e refuzoi, e rrahu, e leqiti
po jo edhe nana.
I kalova tan’ ato vjet,
tue pa babën mërzitun,
tu harru t’qeshmen e tij.
Harrova që kishte gojë,
se kur vdiq nana, baba s’bëzani ma,
harroi vetën, harroi jetën, m’harroi mu,
bahçja u ba mal i pashkelun,
lulet me therra e shtëpia burg,
se kur vdiq nana vdiq edhe shpresa.
I kalova tan ato vjet mërzitun
me mërzinë e babës, harrova vetën
botën e jetën, por jo babën,
thinjat ia kreha, këmishën ia drejtova
duhanin në llullë përditë ia lashë,
e dje, vdiq baba.
Llullën e ngrehu për të fundit herë,
frymën e mori si ndër hundë,
edhe thirri nanën me za.
Kur më vdiq nana, qajta,
u mërzita por jetova,
për babën, për bahçen, për kurajon
jeta vazhdoi, rrejshëm si lumtunia e babës
e kur vdiq baba, u theva,
s’qajta, s’bëzana, s’flejta,
veç pashë tek më shkatërrohej andrra
se kur më vdiq baba kuptova jetën…
që kurgja s’asht përgjithmonë,
as andrrat, as dashunia.
Bota t’refuzon, t’rreh, t’leqit.
Prind’t nuk janë imun ndaj vdekjes.
e kur të dyt’ ikën,
i çajta drutë, por s’qava natën,
se kur më lanë dyt’
e kuptova jetën,
bota të refuzon, të rreh, të leqit
e prind’t nuk janë imun ndaj vdekjes.

ObserverKult