“Fjalë të bukëta”, poezi për përjetësinë e ndjenjës

fjalë të bukëta

(Emin Z. Emini, Fjalë të bukëta, poezi, Littera, Prishtinë, 2022)

Nga Prof. dr. Emin Kabashi

Përkufizimi

Poezia e vëllimit poetik të krijuesit tashti më të njohur, Emin Z. Eminit, mund të përkufizohet si poezi e ndjenjës, por e një ndjenje të veçantë, që është sa tokësore, aq e përjetshme, që është sa e përditshme, aq edhe e përtejkohshme.

E veçanta e saj qëndron në subjektin poetik të krijuesit, sepse duke e bërë bartëse të ndjeshmërisë së tij, një subjekt fiktiv dhe konkret njëkohësisht, autori ka krijuar hapësirën pafund të shtrirjes së frymëzimit të tij poetik.

Kjo hapësirë e pafund, më thotë mendja, është ndër vlerat që e karakterizojnë këtë vëllim me poezi të Emin Z. Eminit.

Hyrje

Vëllimi me poezi Fjalë të bukëta, sipas autorit është ndarë në pesë pjesë që krijojnë një tërësi unike. Një tërësi e veçantë, edhe kjo, edhe për faktin se, si është thënë më sipër, subjektin lirik e kërkon kudo, në përditshmërinë tonë, por edhe në përjetësinë e kujtimeve.

E kërkon në tokë dhe në qiell, në mal dhe në det, në dimër dhe në verë. Por e kërkon edhe në botën e përtejme, deri atje ku janë në gjendje ta bartin peshën e emocionit Fjalët e bukëta, të këtyre poezive.

Tharmin e këtyre poezive nuk e bën gjuha e zgjedhur, por e bën këmbëngulja e poetit për të gjetur fjalën e duhur, në vendin e duhur, për motivin e caktuar. Do të thotë, ato fjalë të bukëta, siç i ka pagëzuar krijuesi, janë mushti i ndjeshmërisë poetike të poezive të këtij vëllimi, me një titull shumë specifik dhe karakteristik në të njëjtën kohë, Fjalë të bukëta.

Gruaja prej dielli dhe frymëzimi me përmasë kozmosi

Në nënndarjen e parë, që e ka titulluar Grueja prej dielli, e që fillon me poezinë  Portreti i diellit, janë shpërfaqur të gjitha kategoritë jetësore të përjetimit të dashurisë, të jetës, të vdekjes, të përtej vdekjes, si dhe të gjitha nuancat e ngarkesës emocionale të këtyre përjetimeve.

Në nënndarjen e dytë, që e ka pagëzuar thjesht, Gravitet, lexuesi kur i del në fund poezive të përfshira brenda këtij graviteti, e ka të vështirë të përcaktojë lëvizjen në hapësirën e pafund nëpër të cilën shtrihet frymëzimi i këtyre poezive.

E përudha një gjeth, e ka pagëzuar nënndarjen e tretë të poezive të këtij vëllimi, poeti Emin Z. Emini, duke shtresuar nëpër sprova të tjera subjektin e frymëzimit të tij poetik, duke gërmuar ngultas gjithë peshën e madhe të përjetimit, si dhe duke njëjtësuar bindshëm në rrafshin e krijimit poetik, dilemat si jetohet dhe cilat janë trajtat e vdekjes, ose e kundërta.

Nënndarjen  e katërt e ka pagëzuar E kam fjalën për frymën, që ndiqet nga poezi e parë e kësaj pjese me titull, thuajse nga eposi i kreshnikëve Deka e bukur, është ajo vdekja e kërkuar thuajse në gjithë përmbledhjen nga subjekti i tij poetik, kapedania. 

Vëllimi me poezi Fjalë të bukëta mbyllet me nënndarjen e pestë, që e ka pagëzuar Kavall dhe ka vetëm një poezi me titull Pejzazh bjeshke.

Dua të besoj se pasa gjithë asaj hapësire nëpër të cilën e ka sprovuar subjektin e tij poetik, doemos, një peizazh bjeshke është më afër realitetit jetësor se sa kozmosit deri ku shkon hapësirave frymëzimi i tij poetik.

Një poezi ku çdo gjë vdes dhe ringjallet

Poezitë e këtij vëllimi, me një titull të çuditshëm Fjalë të bukëta, gjë që dëshmon për kërkimin e vazhdueshëm të krijuesit Emin Z. Emini, për peshën e Fjalës, që t’i japë formën e duhur mendimit të tij poetik, si edhe në krijimet e më parshme të tij, i përshkon fund e krye si dhe krye e fund, një personazh lirik, apo një subjekt, siç u quajt deri tashti, që është peri i kuq i gjithë motiveve brenda këtij vëllimi.

Ky personazh lirik është Kapedania. Si në vëllimet e më hershme, ku kishte një Moirë, në këtë vëllim me poezi e ka një kapedane, që njëkohësisht, është e prekshme dhe e paprekshme, është e kapshme dhe e pakapshme, është tokësore, por edhe qiellore, është grua por edhe hije gruaje, është përjetim dashurie, por edhe e dashuruar, është det, por edhe bjeshkë, është qiell, por edhe varr.

Të gjitha këto nuancime të ndjeshmërisë janë të pranishme në vargjet e këtij vëllimi poetik, andaj leximi i këtyre poezive, kërkon lexues të kultivuar, jo vetëm për faktin, se vështirësia e kuptimit është te format e larmishme të vargut poetik, por në radhë të parë të kërkimi këmbëngulës i kërkimit të Fjalës, për ta thënë ndjeshmërinë e frymëzimit.

Në anën tjetër, edhe pse poezitë e këtij vëllimi janë të shkruara në dialektin gegë, që është një mungesë e përvojës së lexuesit, kërkimi i shprehjeve poetike, duke filluar që nga tradita e krijimtarisë gojore e deri të përvoja e rilindësve tanë, nga krijuesit e poezisë moderne e deri te ata që luajnë me vargun dhe fjalën poetike, për të krijuar gjendje dhe situata të papritura, bëjnë anën e veçantë të vlerës së poezive të Emin Z. Eminit në vëllimin me titull Fjalë të bukëta.    

Fjala si poezi dhe poezia si peshë e fjalës

Autori i vëllimit me poezi Fjalë të bukëta, Emin Z. Emini, edhe në vëllimet e mëhershme, por sidomos në këtë, nuk i fsheh asgjë lexuesit nga ndjeshmëria e tij, as nga kërkimi i tij i kësaj ndjeshmërie, por as nga dilemat e mëdha jetësore, siç janë edhe dilemat për jetën apo për vdekjen. Varësisht nga motivet që ka trajtuar, varësisht se cili çast jetësor, apo vdekësor është bërë motiv i frymëzimit të tij, ai e ka shtresuar me peshën e fjalës në poezitë e tij, herë me varg të thyer, herë në secilin varg nga një fjalë, herë me varg dymbëdhjetërrokësh, herë me tetërrokëshin popullor, që e ka realizuar në nivel mjeshtëror, herë tjetër përmes shtresimeve ritmike që ka krijuar me foljet, siç e kishim përjetuar përherë të parë në poezinë e Lasgushit tonë të madh.

Në poezinë Deka e fluturës ritmi poetik krijohet përmes një numërimi karakteristik: ‘‘nji odë / nji oxhak / nji llambë vajguri vjerrun / drita e saj prej fotonesh dashnijet / kje atdheu i përflakun / dhe vorri’’, që përmbyllet me kapedanen, për çka mund të thuhet se është elementi qenësor i ndërtimit të strukturës së këtij vëllimi. Duke u marrë me gravitetin e ndjeshmërisë, kudo të pranishme në këto poezi, të nënndarja Gravitet, e ka një poezi me titull Fjalë t’pathana ka dilemat krijuese, krijojnë të kundërta të realizuara artristike, edhe për faktin se autori, nuk mund t’i bëjë ballë tundimit, që kurrë më të mos thotë asnjë fjalë. Por, një ditë, ndoshta ato i nxjerrë vala e detit. Atëherë ai shkruan: ‘‘në breg të zjarmta fjalët ka me m’i xjerr / a ashtin e tyne me ua tret / çka bahet me mue punë e madhe / call ti t’i kesh në sofrën e shpirtit / fjalët e mia të bukëta / kapedane’’.

Në pjesën e katërt, siç i ka shënuar autori me numra, të këtij vëllimi me titull shumë simbolik, E kam llafin për frymën, e ka edhe poezinë me titull Gjyteti. Aty, përveç vargjeve të tjerë, i ka edhe këto vargje: ‘‘njiherë u bane e langtë / lumit u derdhe / mbasandej u ktheve në avull / shpërbamun në grimca të ajrta / e purpurt qelles u ngjite /nalt nalt / diademë përmbi bedena / dhe gjyteti mori aromë shpirti /njat’herë e dita / ti ishe kapedanja’’. Mirëpo, në të vërtetë, me qytetin e poetit ka ndodhur diçka, ka marrë aromën e shpirtit, ngase kështu mendon krijuesi. Vargje të këtilla, jo vetëm deklamojnë një gjendje, por shprehin një gatishmëri, të cilën poeti thuajse e ka shpaluar nëpër të gjitha nuancat e ngjyrave të saj, nëpër të gjitha kurthoret e mendimit, si dhe nëpër të gjitha thellimet e ndjenjës.

Prandaj, është thënë se poezia e vëllimit Fjalë të bukëta, karakterizohet me peshën e ndjeshmërisë së fjalës, karakterizohet me shtresimet kuptimore të fjalës, qoftë brenda vargut, qoftë brenda tërësisë poezi.

Në poezinë që mbyll vëllimin poetik të Emin Z. Eminit Fjalë të bukëta, që është nënndarja e pestë e këtij vëllimi, ka vetëm një poezi, Pejsazh bjeshke. Mund të thuhet se është  vetmja poezi, në shtatin e së cilës nuk përmendet kapedania, por janë brenda vargjeve të gjithë përbërësit e fjalorit poetik të autorit që ka përdorur në gjithë vëllimin.

Përfundim

Poezia e vëllimit poetik Fjalë të bukëta e Emin Z. Eminit, kërkon lexim të kujdesshëm. Lexuesi ndonjëherë hutohet, duke qëmtuar shtresimet kuptimore të fjalëve që ka përdorur në vargje, herë si simbole, herë si trope, herë tjetër si figura të mendimit. Po ashtu, kërkon lexim të kujdesshëm, edhe për faktin se poezitë e këtij vëllimi kanë një shumësi formash të strukturës së ndërtimit. Në disa nga to, gjetjet e figurave, qofshin ato të marra nga urtia popullore, qofshin ato të mësuar nga librat, apo edhe të krijuara mbi shëmbëllimin e njohurive teorike, shpesh rriten dilemat para lexuesit për kuptimin e drejtë të tyre.

Së fundit, mendoj, se ky vëllim i poezive të autorit tashmë shumë prodhimtar, Emin Z. Eminit, dëshmon për përkushtimin krijues, gjë që është cilësia e parë e lirisë së krijuesit, që e njeh, e kupton dhe e dashuron amësinë e fjalës poetike që e përdorë në poezinë e tij.

ObserverKult

Lexo edhe:

“FJALË TË BUKËTA”, LIBRI I RI I EMIN Z. EMINIT, TASHMË NË LIBRARI