Flaka Goranci, një Carmen e skenave prestigjioze

Flaka Goranci

Pas sukseseve të fundit si producente, kompozitore dhe këngëtare me CD-projektin e saj për gratë kompozitore nga e gjithë bota, të titulluar “La Femme”, Flaka ka udhëtuar për në Langenthal të Zvicrës, për të realizuar një ndër rolet më të veçanta, atë të Carmen, të operës me po të njëjtin titull të kompozitorit francez Bizet.

Është hera e dytë që ajo ftohet në Zvicër me po të njejtin rol. Qysh herën e parë, performanca e saj është vlerësuar lartë nga kritika zvicerane, duke njohur vështirësitë që ka ky rol, si vokale po ashtu edhe ato të aktrimit.

E bukur, sensuale, gjakftohtë e njëherit edhe gjaknxehtë, hedoniste, ajo që flakëron në skenë…, janë pikërisht karakteristikat e Flakës, që e bëjnë të denjë për rolin e heroinës së Bizet – Carmen.

Flaka Goranci

Si filloi rrugëtimi juaj drejt muzikës, drejt gjithë këtij suksesi?

Në moshën 7 vjeçare fillova studimet për piano dhe që në orët e para, profesori im tashmë i ndjerë, Shefqet Kazazi, kishte vërejtur talentin tim në piano.
Në moshën 9 vjeçare mora pjesë në festivalin për fëmijë “Zëri më i bukur fëmijëror”, ku u shpërbleva me çmimin e parë.
Kam përshtypjen, lidhja me publikun ishte aq e fortë, sa që menjehëre fillova t’i përkushtohem më shumë këndimit. Dhe në fakt pianon nuk e lash anash, por ndoshta në një rend tjetër.

Na përshkruani pak Flakën në paraqitjen e parë!

Shumë e sigurt.

Si ndiheni tash para një performance, sidomos para një premiere?

Janë emocione të përziera, por mbi të gjitha është përgjegjësia e madhe që mbizotëron.

Çfarë eksperiencash fiton gjatë përgatitjes së nje roli?

Kur studion një rol, kupton më mirë një jetë, një mentalitet, karakter, gjuhë e pasion tjetër.

Keni marrë pjesë në operat e Mozartit, Verdit, Rossinit, Bellinit, Tchaikovskit… Cilën nga këto e kishit veçuar (dhe pse)?

Secili kompozoitor ka veçantitë e tij. Secila operë ka ato momentet muzikore, që e bëjnë jo vetëm të veçantë, por unike. Është pikërisht ai momenti në opera dhe jo domosdoshmërisht në ariet e mia përshembull. Mund të jetë ai momenti në uverturë, në një arie, tercet etj., që e bën unike një operë.

A përcjellë Flaka flakë në paraqitjet e saja?

Mendoj që po.

Flaka Goranci

Cilat janë planet e Flakës pas realizimit të rolit të Carmen?

Menjëherë do të vazhdoj me përgatitjet për finalizimin e projektit “La Femme”. CD -ja e këtij projekti, do të lansohet nga një ndër shtëpitë më të njohura diskografike, Naxos Deutschland, në muajin tetor. Mandej, në muajin nëntor na pret promovimi i CD-së, i cili fillimisht do të mbahet në Vjenë, duke vazhduar pastaj edhe nëpër shtetet e tjera.

Cila është këshilla më e mirë që një muzikant tjetër ju ka dhënë ndonjëherë dhe cila është ajo që ju ia kishit dhënë një muzikanti, adhuruesve t’juaj, pse jo edhe lexuesve tanë?

Tamam ateherë kur të jesh i mërzitur, ulu e puno!

ObserverKult

Lexo edhe:

“MRIKA”, OPERA E PARË SHQIPTARE DHE HISTORIA E SHKOPIT TË ARTË