Flet një nga autorët e mozaikut “Shqipëria”: Enver Hoxha refuzoi të ishte pjesë e kompozimit!

Dyzet e dy vjet pasi u vendos në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, mozaiku “Shqipëria” ka marrë ngjyra të reja falë restaurimit të financuar nga një projekt i Bashkimit Europian.

Vepra që mban autorësinë e Josif Drobonikut, Vilson Kilicës, Anastas Kostandinit, Agim Nebiut dhe Aleksandër Filipit përbëhet nga gurë me 123 nuanca dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 565 m2.

Procesi i restaurimit mori dy vjet kohë dhe u krye me gurët e të njëjtës fabrikë në Venecia, ku u prodhuan gurët e origjinalit.

Anastas Kostandini tregon në MCN TV historinë e ndërtimit të tij:

 “…Janë montuar hap pas hapi të gjitha detajet e mozaikut. Na kanë dhënë garanci teknike. Ne merrnim pjesë në këtë akt, e lanim, e pastronim, e korrigjonim. Në krahun perëndimor të mozaikut janë vendosur inicialet. Ato janë vënë në formë rrethi, që të nënvizohej ideja që ne ishim të barabartë të gjithë, që nuk ishte dikush krijuesi dhe të tjerët zbatues. Që të gjithë ishim krijues dhe zbatues në të njëjtën kohë.

Jam shumë i gëzuar që koha e vërtetoi që një kolorit i tillë i ka dhënë një fizionomi qendrës së Tiranës. Është një lloj fizionomie ekspresive.

Është një detaj që i jep një karakter. Në atë qendrën e Tiranës, të gjitha epokat janë përpjekur të vendosin identitetin e vet.

Kjo e ka bërë që të dalë jashtë një identiteti me fizionomi. Tani kanë ndodhur shumë gjëra atje, por mendoj se gjëja më ekspresive që ka ndodhur për t’i dhënë një bosht sheshit “Skënderbej” ka disa elementë dhe njëri prej tyre është mozaiku.

Gruaja personifikonte atdheun, Shqipërinë. I bëmë një veshje simbolike, një xhubletë të bardhë, të cilën e kemi dekoruar me shumë simbolika të kohës.

Më kujtohet që kemi bërë shumë studime nudo për atë figurë. Për çdo detaj, që nga brezi, tiparet, paraqitja, gjesti, është bërë një punë shumë e madhe.

Bënim edhe shumë korrigjime për shkak të dimensionit. Ajo është një figurë shumë ekspresive, shumë e bukur, që mban gjithë kompozimin.

Edhe dy figurat e tjera: njëri përfaqëson klasën punëtore, tjetri përfaqëson periudhën e luftës.

Kompozimi është ndarë në tre grupe: tre figurat kryesore simbolizojnë kombin, idenë e Shqipërisë në shekuj, e cila e ka çarë historinë me armë në dorë, partizani simbolizon lirinë dhe pavarësinë kombëtare, figura tjetër ka të bëjë me punëtorin si klasa udhëheqëse. Shumë detaje kanë lëvizur prej aty.

Miratimi i mozaikut është bërë në nivelin më të lartë, i është paraqitur edhe vetë Enver Hoxhës.

Një tentativë që patëm gjatë kohës që e konceptonim, për ta futur figurën e tij në kompozim, ai e ka refuzuar dhe ka thënë që populli është ai që është fitimtari dhe protagonisti kryesor i historisë tonë.

U la të kuptohej që nuk do të kishte asnjë figurë tjetër.

Nuk është një vepër krejt ideologjike dhe politike. Brenda saj shoh poezinë e epokës, shoh veten tonë. Në mënyrën si është ndërtuar ka humanitet.

Një imazhi i tillë i bën nder Shqipërisë. Ka kapërcyer kufizimet ideologjike.

Nuk është gjë tjetër veçse një poemë e madhe me ngjyra lavdërimi për kombin dhe për historinë…”/ javanews.al

ObserverKult


Lexo edhe:

INAUGUROHET PAS RESTAURIMIT, JA SI DUKET TANI MOZAIKU 42-VJEÇAR I MUZEUT KOMBËTAR

Inaugurimi i Mozaikut të restauruar të Muzeut Historik, në praninë e ambasadores së BE-së Christiane Hohmann shënoi fillimin e Javës së Evropës që do të mbahet në 10 ditë në të gjithë Shqipërinë.

Gjatë aktivitetit ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti iu përgjigj edhe ideve për heqjen e mozaikut. Tutje tha se polemikat nuk mund ta fshijnë historinë.

Me kërcim e këngë, traditën e modernen të kapur dorazi, Java Evropiane nisi rrugëtimin në zemër të Tiranës. 42 vite pasi u vendos aty, Mozaiku “Shqipëria” u shpalos i restauruar në Muzeun Kombëtar, nën ‘yjet’ e flamurit të Bashkimit Evropian…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult