Flet Yllka Gashi: Kosova kurrë s’ka qenë më afër nominimit për “Oscar” (Video)

Aktorja kryesore e filmit “Zgjoi”, Yllka Gashi, ka thënë se hyrja në 15-she e filmit kosovar është tanimë një ngjarje historike edhe nëse nuk hyn në 5-she.

Megjithatë, ajo thotë se shpreson shumë që “Zgjoi” të jetë i nominuar për çmimin prestigjioz “Oscar”, njofton Klan Kosova.

“Hyrja në këtë listë është kënaqësi dhe nder. Ky është hapi i parë dhe shumë i madh që ‘Zgjoi’ është në mesin e 15 filmave të përzgjedhur. Vetëm pesë që do të nominohen dhe shpresojmë që të kemi fatin dhe të jemi në mesin e të nominuarve”.

Gashi, në Edicionin Special, ka thënë se derisa Kosova hyri në këtë listë të ngushtë nga 93 vende, sa ishin në konkurrencë, gjasat janë edhe për t’u futur në pesë filmat e nominuar. Por, ajo tha se tani lufta është e pamëshirshme.

“Kosova më afër nominimit s’ka qenë asnjëherë, ngaqë ne edhe nëse mbesim me këtë sukses me hyrjen e ngushtë, prapë se prapë për ne si shtet, por edhe si artistë, do të jetë sukses historik dhe i jashtëzakonshëm që besoj se do t’ua trasojë rrugën dhe do t’ua bëjë më të lehtë filmbërësve të rinj të Kosovës”.

Yllka Gashi tha se këtë lajm të gëzueshëm ia dha producenti i filmit, Yll Uka, por lajmin ende s’e ka ndarë me Fahrije Hotin, por se sapo ta marrë vesh ajo do të flasin për t’ia uruar suksesin njëra-tjetrës.

Aktorja tha se “Zgjoi” e ka bërë punën e një diplomati kulturor, saqë ka nxitur njerëzit që të hyjnë në Google dhe të kërkojnë jo vetëm për historinë e Kosovës dhe Krushës, por edhe për ajvarin.

Gashi tha se në muajin shkurt të vitit të ardhshëm do të bëhet përzgjedhja e pesë filmave që do të garojnë për të marrë çmimin “Oscar”./klankosova.tv

ObserverKult

_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _

Lexo edhe:

KOSOVA PROPOZON FILMIN “ZGJOI” PËR OSCARS 2022