Fotografia si uratë për artësim

Bekim Lumi

Nga: Arian Krasniqi

Vdekja e hershme e regjisorit të teatrit, profesorit dhe artistit, Bekim Lumi (1966-2018), para katër vjetësh, nuk ishte fundi i lojës me jetën dhe teatrin e tij. Siç do ta thoshte shumëkush, vdekja fizike e një artisti është përjetësi dhe shenjtëri, njëkohësisht. Prandaj, që nga ndarja fizike e tij nga kjo botë, kujtimi dhe malli për të nuk zvetënohen. Përkundrazi!  Çdo përvjetor i vdekjes së tij është më i veçantë se tjetri, sepse, testamenti krijues artistik i Bekim Lumit është i disallojshëm: shfaqje të jashtëzakonshme teatrore, poezi, shkrime e botime diskursive, e deri te këngët e tij. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, jeta dhe vepra e këtij artisti nuk mund të përthekohet me vetëm një ngjarje përkujtimore. Kujtesa për të dhe veprën e tij meriton të jetë e vazhdueshme, sepse ai me artin e tij foli gjithëkohshëm, edhe për brezat, që do të vijnë pas nesh.

Në vargun e përkujtimeve për Lumin, ky vit, shënon një veçanti të theksueshme. Në vend të tubimeve formale të tipit konvencional, përkujtimi për artin e tij të veçantë, sot po bëhet në mënyrë jokonvencionale. Kësaj here, përkujtimi për Lumin, realizohet përmes fotografive si kujtesë për artin e tij teatror. Motoja “lumiane”, mesazhpërcjellëse, “U artësofshi!” vjen si pikënisje, por edhe si titull i ekspozitës së kuruar nga piktori dhe artisti shumëdiciplinar Mentor Berisha.

Kjo ekspozitë përmban fotografi të përzgjedhura me kujdes dhe kreativitet nga ana e kuratorit. Në thelb të ekspozitës qëndron koncepti për artin unik teatror të Lumit. Fotografitë nuk janë kronologji e jetës dhe veprës së Bekimit, përkundrazi, konceptualisht qëndrojnë mbi idenë e përshfaqjes vizuale, jo vetëm të shfaqjeve teatrore, por edhe të procesit krijues laboratorik, që Lumi e kultivoi, ndër vite, me aq pasion.

Përtej fotografive të shfaqjeve, pjesë e ekspozitës qëndrojnë edhe dizajne pllakatesh, dromca shënimesh autentike të koncepteve të tij regjisoriale dhe, po ashtu, edhe rekuizita nga shfaqjet e tij të njohura.

Lumi në gjallje të tij, si regjisor, realizoi dhjetë shfaqje teatrore, si produksione të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit “Dodona”, dhe një pjesë të tyre edhe përmes Teatrit Laborator “LOJA”, të cilin ai e themeloi dhe e drejtoi me përkushtim të pakrahasueshëm. Fati i parathënë i shfaqjeve teatrore është i çudtishëm: krejt çka mbetet nga to janë xhirimet, fotografitë, pllakatat dhe kritika e kohës. Prandaj, kujtesa për teatrin mund dhe duhet të rikthehet përmes imazherisë. Pra, janë pamjet e “arkivuara” ato që, si të tilla, sadopak, mund të na ngacmojnë dhe ringjallin përfytyrimin për veprën në fjalë. Kjo po provohet të arrihet edhe në këtë përvjetor të vdekjes së Bekim Lumit përmes kësaj ekspozite.

Fotografitë e përzgjedhura, për këtë rast përkujtimor, na e sjellin kujtesën për artin lumian. Në këtë mënyrë, sot, edhe katër vjet pas vdekjes së tij, fotografitë dhe elementet e tjera të ekspozitës, na rrezatojnë dhe fisnikërojnë me të bukurën si kategori artistike dhe të madhërishmen si përjetim vleror. Të dyja këto i gjejmë brenda veprës dhe jetës së Lumit. Prandaj, kjo ekspozitë, përveç kujtimit për Bekimin na e rikthen edhe ndjenjën e përjetimit të veçantë në artin teatror.

Sot, dhe këtu, mungojnë fjalët. Në vend të tyre, në fron, sundojnë imazhet, të cilat, si të tilla, reflektojnë pasqyrimin më besnik të krijimtarisë unike dhe të botës artistike të Bekim Lumit. Fotografitë e shfaqjeve kapin momentet më të veçanta dhe më kulmore të situatave dramatike, të ekspresivitetit aktorial dhe gjetjeve kreative regjisoriale. Po ashtu, fotografitë e procesit krijues përjetohen si gërmim në thellësinë laboratorike të krijimtarisë së Lumit. Ngjajshëm si në hulumtimet arkeologjike, sa më thellë të gërmohet aq më shumë do të mahnitemi me thesarin artistik e krijues të tij. Këto fotografi dhe shumë të tjera, të pa ekspozuara, e përafrojnë imazhin për profilin krijues të Bekim Lumit si regjisor teatri.

Pllakatet e shfaqjeve, të ekspozuara këtu, kanë simbolikën e tyre. Më shumë se sa bartëse të informacioneve për shfaqjet, ato, në llojin e vet, janë të ideuara dhe realizuara në mënyrë të veçantë, ashtu siç ishin dhe mbeten të veçanta shfaqjet e regjisorit Lumi.

Disa nga rekuizitat e shfaqjeve, të përzgjedhura për ekspozim, janë shenja kuptimplote dhe shumë domethënëse për zbërthimin e enigmës së ideve në teatrin e Bekim Lumit. Zakonisht, në përvojën krijuese të tij, rekuzitat asnjëherë nuk kanë funksionuar si dekor, as si elemente të thjeshta plotësuese pasive, por, ato, janë bashkëngjitur thellë me bërthamën e idesë së autorit, dhe gradualisht kanë marrë formë dhe kuptim artistik, varësisht nga lloji dhe natyra e shfaqjes.

Në këtë mënyrë, përmbajtja e kësaj ekspozite na vjen, jo vetëm, si kujtim e nderim për artistin tonë Bekim Lumi, por edhe si revoltë e brendshme për më shumë fisnikërim artistik në teatër e kudo tjetër.

“U artësofshi!”, është thirrja e kumbueshme e Lumit artist. Këtë thirrje, në formë klithjeje e urate, njëkohësisht, e ndjejmë edhe ne sot! Po, sepse është testamenti i Lumit qiellor.

Bekim Lumi

—————————————-

Lexo edhe:

HAPET EKSPOZITA “U ARTËSOFSHI”, I KUSHTOHET REGJISORIT TË NDJERË- BEKIM LUMIT