Fragment nga romani “Kur dashuronte Suani” i Prustit

Marsel Prust

Solli ndër mend llambat me gaz që po i shuanin përgjatë bulevardit të italianëve, kur e kishte takuar, pasi kishte humbur çdo shpresë, midis hijeve endacake atë natë që i ishte dukur e mbinatyrshme dhe që me të vërtetë, – si natë e një kohe kur ai as që e vriste mendjen se mos e mërziste duke kërkuar, duke e gjetur përsëri, aq i sigurtë ishte që s’kishte gëzim më të madh për të sesa ta shihte e të kthehej me atë- i përkiste tejet një bote të mistershme ku njeriu nuk mund të hyjë prapë kur janë mbyllur portat. Dhe Suani vuri re tek qëndronte pa lëvizur para kësaj lumturie të përjetuar për së dyti, një fatkeq për të cilin ndjeu mëshirë sepse nuk e njohu aty për aty, kështu që iu desh të ulte sytë që të mos e shihnin se i kishte të përlotur. Ishte vetja e tij.
Kur e kuptoi këtë, nuk pati më mëshirë, por xhelozi për atë tjetrin, veten e tij, që ajo e kishte dashur, xhelozi ndaj atyre për të cilët shpesh kishte thënë me vete pa ndonjë vuajtje të madhe ‘’ajo i dashuron ndoshta’’, tani që e kishte rrëmbyer mendimin e vagëllyer të dashurisë, ku nuk ka dashuri me petëlat lulevjeshtës dhe ‘’mbishkrimin e shtypur’’ të Shtëpisë  së Praruar që ishin plot e përplot me atë ndjenjë. Pastaj, kur vuajtja e tij u bë tepër sëmbuese, e kaloi dorën nëpër ballë, e la të binte monoklin, ia fshiu xhamin. Dhe pa dyshim, po ta kishte parë veten në atë çast do të kishte shtuar në koleksionin e monokleve që kishte veçuar, të vetin që po e lëvizte si një mendim të bezdisshëm e në qelqin e veshur të të cilit ai rrekej të fshinte, me shami, telashet e veta.
      Tingulli i violinës përmban po qe se kur nuk e sheh këtë këtë vegël muzikore, njeriu nuk mund ta lidhë atë që dëgjon me pamjen e saj, e cila ia ndryshoi kumbimin- disa lloj jehonash aq të ngjajshme me disa zëra: kontraltoje saqë të duket sikur një këngëtare po merr pjesë në koncert. Shikuesi ngre sytë, por sheh vetëm këllëfe instrumentesh, të çmueshme si kuti kineze, veçse, herë pas here ai gënjehet përsëri nga thirrja zhgënjyese e sirenës: nganjëherë gjithashtu pandeh se dëgjon ndonjë xhind të burgosur që përpëlitet në fund të kutisë së mrekullive, të magjepsur e fërgëlluese, si të ishte ulur mbi gjemba: së fundi, ka momente që një si qenie e mbinatyrshme, panjollosur qëndron pezull në ajër dhe kalon duke shpalosur mesazhin e vet të padukshëm.
      Meqë instrumentalistët dukeshin sikur luanin shumë më pak motivin e shkurtër sesa ekzekutonin ritet që kërkonte ai në mënyrë që të dilte në pah, dhe bënin namatisjet e nevojshme për ta përfituar e zgjatur disa çaste mrekullinë e përjetimit të tij, Suani, që nuk mund ta shihte më atë motiv, si të qe diçka që i përkiste një zone ultravjollcë, dhe që po shijonte sit ë thuash freskinë e një metamorfoze në atë verbëri të përkohshme që e kishte mbërthyer kur i ishte afruar atij, Suani, pra, e ndiente të pranishëm, si një perëndi mbrojtëse së cilës mund t’ia besonte dashurinë e vet dhe që, për të arritur deri tek ai përpara turmës dhe për ta tërhequr mënjanë që t’i fliste, kishte marrë atë pamje të kumbueshme.

*Pjesë e shkëpur nga romani ‘Kur dashuronte Suani’, të autorit Marsel Prust*

/ Përgatiti: ObserverKult