Franc Kafka: Edhe unë do të shkojë…

Franz Kafka


…”Nëse ligji të ndjell kaq shumë, provo të hysh edhe pse është e ndaluar. Por ki parasysh: unë jam i fortë, por jam portieri i fundit. Nga salla në sallë ka të tjerë portierë, që janë njëri më i fortë se tjetri. As unë nuk e përballoj dot të tretin”. Fshatari nuk e kish menduar kaq të vështirë. Ai besonte se Ligji duhej të ishte i hapur gjithnjë e për këdo. E ja tani, tek sheh portierin të veshur me gëzof leshi, me hundën me majë dhe mjekrën e gjatë e të zezë prej tartari, vendos më mirë të presë gjersa ta lejojnë të hyjë brenda. Portieri i jep atij një stol të vogël për t’u ulur para portës. Burri rri ulur aty për ditë e për vite. Bën shumë përpjekje për t’u futur brenda, duke iu lutur e përgjëruar portierit. Ndërsa ky s´ka ç´të bëjë tjetër, veç ta zhbirojë fshatarin me pyetje pa kuptim, nga ato që bëjnë zotërinjtë e mëdhenj: pyetje mbi vendlindjen e të tjera si këto. Por në fund, asnjëherë s’harron t’i thotë se s´mund ta lejojë të futet brenda. Burri, i furnizuar mirë për udhëtim, shpenzon gjithçka, edhe sendet me vlerë, për t’i prishur mendjen rojës. Ky i pranon çdo gjë me shfajësimin: “Po i marr, vetëm të mos mendosh se ke lënë ndonjë mjet pa përdorur”.
Gjatë gjithë viteve të pritjes burri s´ia ndan sytë portierit. I harron të tjerët dhe mendon se ky është pengesa e vetme për të hyrë brenda Ligjit. Në rini mallkon me zë të lartë fatin e tij të mbrapshtë dhe kur plaket flet përçart e sillet si fëmijë. Aq mirë e njeh ai tashmë portierin, sa është miqësuar edhe me pleshtat e gëzofit të tij. Madje, u lutet atyre ta ndihmojnë për të bindur portierin. Më në fund, drita e syrit i dobësohet, por nuk është më në gjendje të dallojë në është bërë vërtet natë apo e gënjejnë sytë. Tashmë shquan në errësirë një vezullim, që shkërmoqet pa u venitur nga pragu i “Portës së Ligjit”. Eh, s’e ka më të gjatë. Në çastet përpara vdekjes i sillen nëpër kokë gjithë ç’ka parë e dëgjuar viteve të pritjes e i mbështillen në një pyetje të vetme, që ende nuk ia ka bërë portierit. I bën atij me shenjë t’i afrohet, se s’mund ta lëvizë dot trupin e ngurosur. Portierit i duhet të përkulet thellë mbi të: “Hë, ç´do të dish tani?”, e pyet, “se ti je i pangopur.”
“Të gjithë duan t’i njohin ligjet”, thotë burri, “por, si ka mundësi që në gjithë këto vjet, askush, përveç meje, nuk desh të hyjë brenda kësaj porte?”
Portieri e di se burri po jeton orët e fundit, ndaj i ulërin fort në veshët që po e lenë: “Askush nuk mund të hynte kësaj porte, sepse kjo ish caktuar vetëm për ty. Tani, edhe unë do të shkoj, pasi ta mbyll”…

*Fragment nga “Porta e ligjit” i Franc Kafka

Përktheu: Ana Kove