Franz Kafka: Dhembja e parë…

Franz Kafka:

Nga Franz Kafka

Një trapezist, (ky art i vështirë njerëzor, siç dihet, ushtrohet në lartësitë e kupolave të cirqeve), në fillim vetëm për të kërkuar përsosmërinë, e më pas edhe për zakon, e kishte rregulluar jetën e vet në mënyrë që të qëndronte ditë e natë mbi trapez, për të gjithë kohën gjatë së cilës punonte në të njëjtin cirk.

Nevojat e tij të pakta i plotësonin disa shërbëtorë, të cilët çonin me mbajtëse të posaçme çdo gjë që duhej sipër. Kjo mënyrë jetese nuk i sillte probleme të tjerëve. Vetëm se, gjatë numrave të programit ishte pak e bezdisshme që ai rrinte aty sipër dhe megjithëse qëndronte gjithmonë i qetë, herë – herë, publiku hidhte ndonjë shikim drejt tij.

Megjithëkëtë, drejtuesit ia falnin, sepse ishte një artist i jashtëzakonshëm, i pazëvendësueshëm. Natyrisht, kuptohet që ai nuk jetonte ashtu për kapriço dhe që në fund të fundit, vetëm kështu mund të ushtrohej vazhdimisht, vetëm kështu mund të ruante përsosmërisht artin e vet.

Megjithatë aty lart ishte mirë, e kur në stinën e nxehtë hapeshin dritaret anësore përreth kupolës dhe me ajrin e pastër, në atë hapësirë të mugët, hynte madhërisht dielli, aty sipër ishte krejt bukur. Me thënë të vërtetën, marrëdhëniet e tij njerëzore ishin të kufizuara. Vetëm ndonjëherë, një koleg i tij gjimnast kacavirrej deri tek ai nëpër shkallën e litarit.

Qëndronin të dy ulur mbi trapez, të mbështetur majtas e djathtas nëpër litarët mbajtës dhe bisedonin. Ndonjë murator që riparonte kupolën shkëmbente me të ndonjë fjalë nga dritaret e hapura apo zjarrfikësi që kontrollonte dritat e galerive të sipërme i hidhte ndonjë fjalë admirimi, por që pak kuptohej nga trapezisti. Rrallëherë, ndonjë nëpunës i menduar, që rastësisht shkonte në cirkun bosh, shikonte në atë lartësi, që gati i humbte shikimit, trapezistin, i cili pa e ditur se dikush e vëzhgonte, bënte ushtrimet e tij ose pushonte.

Kështu trapezisti do të mund të jetonte i qetë, nëse nuk do të ishin udhëtimet e pashmangshme nga një vend në tjetrin, tejet të bezdisshme për të. Natyrisht, sipërmarrësi merrte masa, që trapezistit t’i kursehej çdo mundim i kotë. Për zhvendosjet në qytet përdoreshin makina garash, të cilat natën ose në orët e para të mëngjesit vraponin nëpër rrugët e shkreta me shpejtësinë më të madhe, por sigurisht shumë ngadalë për ankthin e trapezistit.

Në tren bllokohej një vagon i tërë, ku trapezisti e kalonte udhëtimin në rrjetën e bagazheve, njëfarë zëvendësimi mjeran i mënyrës së tij të zakonshme të të jetuarit. Në afërsi të vendit ku do të jepej shfaqja, në skenën e cirkut, trapezi ishte në vendin e vet shumë kohë përpara mbërritjes së trapezistit.

Të gjitha dyert që të çonin në sallë ishin të hapura, të gjitha korridoret të boshatisura… dhe ishin çastet më të bukura në jetën e sipërmarrësit, kur trapezisti vinte këmbën në shkallën e litarit dhe për një grimë, përfundimisht, ishte përsëri pezull mbi trapezin e vet.

Megjithëse sipërmarrësi kishte kryer kështu shumë udhëtime, çdo udhëtim i ri e shqetësonte, sepse duke lënë mënjanë të tjerat, udhëtimet në çdo rast ishin shkatërrimtare për nervat e trapezistit. Njëherë, po udhëtonin bashkë sërish. Trapezisti qëndronte në rrjetën e bagazheve dhe ëndërronte, ndërsa sipërmarrësi ishte mbështetur te këndi i dritares përballë dhe lexonte një libër. Kur befas, trapezisti iu drejtua nën zë.

Sipërmarrësi u ngrit menjëherë, i bindur. Trapezisti tha, duke kafshuar buzët, se tani e tutje për ushtrimet i duheshin jo një, por dy trapezë, njëri përballë tjetrit. Sipërmarrësi u tregua menjëherë i gatshëm, por trapezisti, si për t’i bërë të kuptonte se në këtë rast miratimi i sipërmarrësit do të ishte i pallogaritshëm, siç do të ishte edhe kundërshtimi i tij, tha se kurrë më dhe në asnjë rast nuk do të ushtrohej mbi një trapez të vetëm.

Mendimi se kjo gjë mund të ndodhte edhe një herë tjetër, e bënte të dridhej. Sipërmarrësi, i cili e vëzhgonte ngurues, përsëriti miratimin e vet, se dy trapezë ishin më mirë se një, e se veç kësaj, kjo do të qe e dobishme dhe do ta bënte më të larmishëm spektaklin, por papritmas, trapezisti filloi të qante.

Sipërmarrësi, thellësisht i shqetësuar e pyeti se çfarë kishte ndodhur dhe meqë nuk mori asnjë përgjigje, u ngjit mbi karrige, e përkëdheli dhe ia shtrëngoi fytyrën me të tijën, kështu që edhe ai u lag nga lotët e trapezistit. Vetëm pas shumë lutjesh dhe lajkash trapezisti tha duke u ngashëryer: “Vetëm me një hekur mes duarve, si mund të jetoj !”.

Atëherë u bë më e lehtë për sipërmarrësin ta ngushëllonte trapezistin; ai premtoi të telegrafonte nga stacioni më i afërt, në qytetin ku do të jepnin shfaqje, për trapezin e dytë; qortoi veten që e kishte lënë të punonte për një kohë kaq të gjatë trapezistin në një trapez të vetëm, e falënderoi dhe e lëvdoi shumë që e kishte bërë më në fund të vetëdijshëm për këtë gabim.

Në këtë mënyrë, sipërmarrësi ia arriti ta qetësonte pak nga pak dhe u kthye në vendin e vet, por ai vetë nuk ishte i qetë, me shqetësim të madh vëzhgonte fshehurazi trapezistin. Tani që mendime të tilla kishin filluar ta brengosnin artistin, a do të zhdukeshin përgjithmonë apo do të forcoheshin më tepër?

A nuk paraqisnin ato një rrezik për ekzistencën e vet? Dhe me të vërtetë sipërmarrësi filloi të shikonte se si, në gjumin e qetë ku kishte përfunduar ankesa, fillonin të vijëzoheshin rrudhat e para mbi ballin fëminor të trapezistit.

Përktheu: Erion Kristo

ObserverKult

Lexo edhe:

FRANZ KAFKA: NUK ËSHTË MË DIMËR… KËSHTU DUA TË MBAROJË ÇDO DITË E IMJA