Frederik Rreshpja: Ç’është kështu kjo rrjetë që hedh koha mbi nënën time?

frederik rreshpja poezi per nenen

Ka filluar të plaket nëna. Fytyra e saj po mbulohet me
rrudha.
Po mbulohet me një pleqëri të bukur
Ç’është kështu kjo rrjetë që hedh koha mbi nënën time?

Dhe duart që më mbanin mua, tani janë rënduar.
Po s’ka gjë. Nga shpirti i saj
zgjaten duar të tjera që më mbajnë pezull.

Ecën ngadalë nëpër dhomë.
Nganjëherë më pyet për librat që po shkruaj,
por s’më ka pyetur kurrë pse s’kam shkruar asgjë për
të.

Se nëna e di,
Fjalën e parë në botë ia kam thënë asaj.
Dhe fjalën e fundit në këtë botë asaj do t’ia them.

* Titulli i origjinalit: “Nëna”