Frederik Rreshpja: Mos e mallko me ndarje këtë natë

frederik rreshpja poezi per nenen


Poezi nga Frederik Rreshpja

S’duhet të ndahemi në këtë peizazh me erë
Nën këto re të qiellit rrënojë
Argjendi i dhëmbshur i këtij peizazhi
Në shpirt si medalion do të të rëndojë.

Se në ditët më të trishtuara
Të kam mbrojtur nga perëndimi dhe ditët me shi
Dashuria ime mund të bëhej çati e tërë botës
E çdo vjeshtë, e çdo stine.

Jam i trishtuar. Trëndafilat e tu
Më mbetën në duar si plagë
Dhe perëndimi rend pas mollëve me pishtar në dorë
T’i vërë flakën kësaj nate.

Ndoshta do të kthehesh një ditë
por pas mollëve dhe viteve
Atëbotë perëndimi do të ketë djegur çdo gjë
Ah! Në këtë botë të madhe, vetëm unë e ti
Nuk do të jemi të lumtur më.

(1994)

ObserverKult


Lexo edhe:

HALIL MATOSHI FITON ÇMIMIN KOMBËTAR “ALI PODRIMJA” / “THE LIL’S POEM”, LIBRI MË I MIRË ME POEZI NË VITIN 2023