Fryma e Haqifit do të jetojë derisa të ketë Teatër


Nga: Agron Gërguri

Prof dr. Haqif Mulliqi ishte gazetar i luftes dhe paqes, sportist, profesor, studiues, dramaturg, regjisor, mbi të gjitha njeri i horizonteve të pafundme të kreativitetit në organizimin dhe shpërfaqjen e vlerave të kulturës e artit si vlerë identitare dhe universale e komunikimit, ishte dhe mbetet mbi të gjitha Artist!
Ai zgjeroi horizontet kuptimore të teatrit qoft si dramaturg, regjisor apo studiues.

Në dhjetëra dramat të realizuara Haqa kishte gjetur shprehjen e veçantë teatrore, krejt origjinalisht inovative në realizimin e sidomos mikro temave të cilat thuaja në secilën shfaqje e bënin të veçantë dhe të ndryshëm varësisht kontekstit kulturor. Për “katër epoletat” që ishte shfaqja e tij e fundit, kam shkruar disa herë dhe secila reprizë ishte shfaqje e re ngase të kapte në preokupimet aktuale dhe secilën herë gjeja diçka tjetër në nënështresat kuptimore të shprehjes së tij si dramaturg dhe regjisor.

Haqa e ka pasur sensin me e kap aktualitetin dhe e ka shqyrtuar intelektualisht guximshëm por gjithëherë duke e estetizuar me gjuhë specifike teatrore si regjisor e dramaturg për të reflektuar në vëllimet kombëtare, shoqërore dhe politike. Haqifi ka pas mendim të thellë, emocion të përmbajtshëm, reagim të qëlluar. Ka qenë një shpirt inovativ, poaq sa studioz por gjithëherë ka intencuar tek ajo që është ndryshe, e veçantë dhe e tij sepse ka qenë autor.

Këtë veçanti e ka përligjur qoftë si dramaturg, qoftë si regjisor apo studiues arti. Mbetet që veçantia dhe pasuria e veprës së tij jetësore, që na e ka lënë trashëgimi për mburrje, të jetësohet ndër vite duke e mbajtur Haqifin përherë me ne e në ne. Shumë besoj se shpalosja skenike dhe e formave tjera të trajtimit të veprës së tij voluminoze do t’i duhet Teatrit, Fakultetit të arteve, studentëve, dramaturgëve e studiuesëve për të nxjerrë në dritë pasuritë artistike, studiuese përgshi këtu edhe kronikat e tij të luftës.
Ai ishte enciklopedi, ishte i ditur, njeri i përmasave të pafundme të informacionit.

Haqa do mbetet i gravuar në kujtesen tonë, me mbi 20 vepra dramatike e shfaqje teatrore, libra studimi mbi artin dhe kolosët e artit dramatik. Do e kujtojmë si autori me më së shumti vepra dramatike në nivel kombëtar. Si një kalorës i shpirtit që fjalen, vepren, mbështetjen e kritikën e bënte me dashuri e përfillje, besim e motivim.
Haqa ishte dhe mbetet shëmbëllim i shpirtartistit që ka jetuar për Teatrin.

I ndjeshëm, fisnik, atdhetar e qytetar i shumë vendeve në të cilat u prezentua si artist teatri në Londër (Angli), Edinburg (Skoci), Kairo (Egjipt), Aman (Jordan), Tuzëll (B.H.), Strumicë, Resen, Manastir, Ohër, Strugë, Shkup, Tetovë (Maqedoni), Braila (Rumani), Vraca (Bullgari), Tiranë, Fier, Gjirokastër (Shqipëri) duke u bëre ambasador i fotografisë së dëshiruar të Kosovës si kulturë e veçantë konkuruese në kopshtin e kulturës botërore.

Vepra e tij e madhe jetësore i ka siguruar atij përhershmërinë e prezencës aty ku ka kulturë e art ku ka e sa do të ketë Teatër.

ObserverKult


Lexo edhe:

AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!