Fuga: Ditëlindja, kur më shumë kushtojnë qirinjtë se torta

artan fuga turizmi
Artan Fuga

Nga Artan Fuga: Ditëlindja

Pse nuk i shpëton dot urimit për ditëlindje?!
Për të ndaluar lumin e urimeve që vërshojnë në facebook, instagram, twitter prej kohësh kam hequr datëlindjen nga të dhënat që duhet të bëhen publike.

Nuk është vetëm fakti i njohur botërisht se vjen një moshë që më shumë të kushtojnë qirinjtë se torta, as fakti që ditëlindja është një ritual dhe në kushtet e pandemisë, së paku këto dy vitet e fundit ditëlindjet, nuk duhen festuar, madje duhen zbritur nga inventari kohor. Ka arsye që po t’i rendis bëhen 100 pse urimet për ditëlindje në epokën digjitale janë kthyer në burim stresi.

Dhe nga ky stres nuk shpëtova dot as javën që shkoi.

Njerëzit e afërt dhe të njohur janë të njohur me indiferencën time ndaj ditëlindjes dhe festave pa kuptim në përgjithësi. Kur mendon se ke shpëtuar nga urimet e njerëzve, sfida më e madhe është si të shmangësh urimet e “institucioneve”! Po, po institucioneve.
Dita nis me urimin e Apple! Në mëngjes sapo merr iphone, të shfaqet urimi: Sot është ditëlindja jote. Gëzuar!

Gëzuar, – mërmëris me nervozizëm. E kap telefonin në dorë, e ngre dorën lart dhe kur kujtoj sa kam shpenzuar për ta blerë dora ulet me shpejtësi poshtë. Tek e fundit telefoni është shoqëruesi i pandarë ditën dhe natën.

Institucioni i radhës që më uron është banka: “le të jetë ditëlindja juaj, fillmi i një viti të mbarë, me shëndet të mirë dhe shumë lumturi”. Me thënë të drejtën pjesa e parë e urimit më pëlqeu shumë. Pjesa e dytë më kujtonte këstin e kredisë. Mendova se me rastin e ditëlindjes mund të kisha një tolerancë më të madhe në pagesën e këstit të radhës.

Kompania e sigurimit ishte më zemërgjerë: më uronte edhe 100 vite të tjera. Në fakt mu duk urimi i sinqertë. Larg qoftë nëse më ndodh gjë, kompania e sigurimit pëson një humbje të madhe, nuk është problemi se do të kompensojë kredinë, por nuk ka më mundësinë për të më uruar vitin tjetër!

Urimi i shoqëruar me dhuratë më erdhi nga kompania celulare.

10 GB internet… me kusht që faturën e muajit ta paguaja brenda 24 orëve.

Dy kompani fluturimi: Austria Airlines dhe Turkish Airline më shkruanin se lart në qiell, kishin ngritur dolli për shëndetin tim dhe mezi prisnin të më shikonin në udhëtimin e radhës.

Facebook e respektoi vendimin tim për të mos e bërë publik ditëlindjen, por gjithsesi më uroi në privat. Dhe kur mendova se torturës së urimeve po i vinte fundi, qershia mbi tortë ishte mesazhi nga patronazhisti “Nga zemra ju uroj gëzuar”!

Urimi i fundit nga patronazhisti më erdhi në momentin më të keq sepse nuk po lidhja dot laptopin me internetin. Kisha harruar passwordin.

Faleminderit për urimin- i shkruaj patronazhistit, të lutem më ndihmon pak sa e kam passwordin?
E paske humbur fare tha- shkruaj ditëlindjen tënde dhe milan në fund pa i.

ObserverKult

______________________

Lexo edhe:

Artan Fuga: Bregoviç në Korçë? Gjëja më normale në botë!

Rrjetet sociale janë sikur diskutojmë në kafene, që e lëshojmë pak veten. Nuk shikoj asnjë problem. Është shumë mirë që ai erdhi, shumë mirë që ndodh ky debati, sepse shoqëria emancipohet. Por kjo nuk do të thotë që të ndryshojë gjeopolitika e jashtme e Shqipërisë…

Kliko për tekstin e plotë KETU