Silvana Kola-Loka: “Përse nuk arrij dot të jem e lumtur?”

me shume dhembin plagët e miqve sesa plagët e armiqve silvana kola loka

Pjesë nga “Ditari i një psikologeje”– Për lumturinë që largohet sa më shumë ta kërkosh

Nga: Silvana Loka-Kola


Ishte hera e tretë që e takoja. Sapo u ul përballë meje, rrotulloi sytë sikur donte të vëzhgonte dhomën (pak minuta më vonë kuptova që ishte një përpjekje për të përmbajtur lotët) dhe tha:

Përse nuk arrij dot të jem e lumtur? Përpiqem kaq shumë të jem e drejtë, të bëj maksimumin në çdo detyrë që më japin, të mos lëndoj askënd.

Gjithmonë jam përpjekur të jem një vajzë (kuptoje bijë) e mirë, një motër e mirë, një grua e mirë, një nënë e mirë. Dhe hiç! Pikë lumturie nuk ndjej! Më duket sikur jam zhytur në një gropë thithëse. Dhe sa më shumë përpiqem të jem e lumtur, aq më shumë zhytem në trishtim.”

***

I vetmi mendim që më kaloi në mendje ishte: “Mos ndoshta nuk arrin të jesh e lumtur pikërisht sepse PËRPIQESH KAQ SHUMË PËR TË QENË E LUMTUR?!”

Por, e heshta mendimin. Ndjeva se ishte ende herët që ajo të fillonte të analizonte.
Por, analogjia e saj me gropën thithëse më goditi. Ndaj, për të vazhduar analogjinë, i them:

“Çfarë do të ndodhte nëse nuk do të përpiqeshe më? Tek e fundit, për të shpëtuar nga një gropë thithëse, si fillim, duhet të ndalosh përpëlitjet për të dalë nga aty!”
Ajo ndali frymën. Më hodhi një shikim të mprehtë dhe, duke u përpjekur të rendiste mendimin ndërkohë që fliste, më tha:

“Sa e çuditshme! M’u kujtua një bisedë midis dy prindërve të mi kur unë isha e vogël dhe bëheshim gati të dilnim një mbasdite në det. Mamaja po vonohej sepse po përpiqej të fuste në çantë gjithë gjërat se mendonte që do na duheshin dhe po vonoheshim.

Babai më mori hopa dhe i tha: “Për një mbasdite në det, kemi nevojë vetëm për rrobat e banjos dhe për detin!” Atë mbasdite qëndruam gjithë kohën në det. Kanë qenë orët më të bukura të fëmijërisë time!”

***
“Herë pas herë është mirë që ta ndalësh kërkimin e lumturisë dhe thjesht të jesh i lumtur!”(Guillaume Apollinaire)

ObserverKult


Lexo edhe:

SILVANA KOLA- LOKA: NGA DITARI I NJË PSIKOLOGEJE…