Gabriel Celaya: Poezia është armë e mbushur me të nesërme

Kur asgjë më nuk të mallëngjen,
të ndjek e të troket në ndërgjegje,
Babëzitur për jetë, për të gjalluar
si pulsi që heq qafe terrin.

Kur i ndesh përpara sytë gllabërues
e të qashtër të vdekjes,
dalin domosdo të vërtetat e jetës:
më të mnershmet,
më të vrazhdat,
më t’ëmblat mizori.

Thuhen poezi
që mbushin me ajër mushkëritë e atyre që mbyten,
kërkojnë të jenë, kërkojnë ritëm,
kërkojnë ligj për çka mendojnë se është e tepërt.

Me vrullin e instinktit,
me feksjen e magjisë,
mrekullisht, realiteti na shëmbëllen
dhe ne i shëmbëllejmë atij.

Poezi për të mjerë,
poezi e domosdoshme si buka e përditshme,
si ajri që na duhet tridhjetë herë në minutë,
Për të ekzistuar dhe nësa ekzistojmë japim një shenjë lavdishumë.

Jetojmë të rrahur nga dallgët,
që s’na lënë të jemi çka jemi menjëmend.
Këngët tona s’janë të pastolisura me mëkate,
fundin po prekim ne.

E mallkoj poezinë që asnjëanësve u duket luks kulturor,
të cilët, tek shpërlajnë duart,
përvidhen dhe shmangen diku.
E mallkoj poezinë e atyre që s’mbajnë anë, derisa dikush t’i njollosë.

Të miat le të jenë të gjitha mëkatet!
Sa më shumë vuajtje dhe frymë brenda meje le të ketë!
Këndoj e këndoj,
duke kënduar mbi gjithë këtë dhimbje ngrihem.
Po lartësohem.

Do të doja të jepja jetë.
Të frymëzoja vepra të reja,
ta bëja me teknikë atë që mundem.
Ndihem mjeshtër dhe punëtor i vargut,
që punon bashkë me të tjerët çelikun e Spanjës.

E tillë është poezia ime : poezi-mjet.
Pulson me zemrat e të verbërve dhe atyre që flasin njëzëri.
Është armë e mbushur me të nesërme që e kam drejtuar drejt gjoksit tënd.

Kjo nuk është poezi ku pikë-pikë rrjedhin mendime,
nuk është produkt kozmetik,
as frut i pjekur mirë.
Kjo poezi është ajri që thithim
dhe, kur e nxjerrim, del duke kënduar gjithë ç’kemi brenda.

Janë fjalët që krejt i përsërisim, sikur janë tonat, sikur prej ajri janë.
Janë më shumë se veç fjalë,
më shumë se të domosdoshme.
Fjalë që s’përshkruhen.
Janë britma të qiellit
e vepra të tokës.

Përktheu: Xhemazije Rizvani

LEXO EDHE: Gabriel Celaya: Më thuaj si jeton, si vdes përditë…