reklamë

Gabriel García Márquez: Nëse dikush troket në derën tënde

Nëse dikush troket në derën tënde, mikja ime,
e diçka në gjakun tënd vlon vrullshëm,
e në kërcellin tënd të ujshëm,
burimi është një gurgullimë e harmonishme.

Nëse dikush troket në derën tënde,
e akoma të mbetet kohë për të qenë e hijshme
e krejt prilli ngërthehet në një lule trëndafili të vetme
e nga trëndafili përgjaket dita për vdekje.

Nëse dikush troket në derën tënde një mëngjes
kumbues pëllumbash e kambanaresh
e ti ende u beson dhembjes e poezisë.

Nëse jeta akoma është e mirëfilltë dhe vargjet ndihen.
Nëse dikush troket në derën tënde dhe trishtohesh,
hape derën se është dashuria, mikja ime.

Përzgjodhi e përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri

ObserverKult


Lexo edhe:

Sabit Rrustemi: Tri variantet e një poezie për 11 marsin e vitit 1981