Gazmend Bërlajolli: Qe nji ças

Qe nji ças,
tash më iku
por
nji ças qe.

S’i bana ma dert
xxx e as yyy  
as faturat e papagueme të Termokosit
t’ujit, të bërllogut
s’i bana ma mall;
problemet politike m’u dukën krejt të shpikme
se nuk më hangri palla
për lajme
as për tjera kopalla

Qe nji ças
isha
njikohësisht
pika e shiut
resh lëshue me nxitimin prej 9.8 metrash në sekondë çdo sekondë
Por edhe toka djerr
e plasa tanë
që e mirëpriti
Aaaah!
Isha bash çasi i përplasjes së tyne:
ujë e dhé e shpirt bashkë

M’u frye gjoksi sa i Schwartzeneger-it
nuk kisha ditë
se mushkënitë
mundkan me ma thithë gjithë atë ozon

Hapa sytë,
isha ba
stratosfera!

Vërtet qe nji ças
si shkurt zgjati,
po nji ças qe.
Po për besë.
Vallahi!
Qafsha t’gjithë!
Rrenë nuk ke.

Qe nji ças,
Nji ças qe!