Georgios Vizyinos: Mallkuar qoftë dimër i shkretë…

"Gremina e dashunis"

Mallkuar qoftë dimër i shkretë,
plaku janar, mallkuar!
Për të sëmurë nuk ka gajret,
as për të dashuruar.

Veç se bën ftohtë e suferinë
e mikja mbyllur brenda˙
për puthjen time ulërin,
e unë për të u çmenda!

O prift, t’ u bëfsha unë kurban,
të puth duar e faqe!
I falem Zotit me aman,
të dhëntë gëzim e paqe!

Më merr me vete miku im˙
kur të bekosh miletin,
të të ndihmoj me përkushtim,
të psall, të bëj hyzmetin?

Të dalim herët në agim,
ta nisim nga mëhalla,
të më buçasë ky shpirti im,
tek them hymnet e rralla.

Ti vdes të vijë ndonjë vejushë
e të të puthi dorën.
Mua më digjet zemra prush,
sa të shoh pak Lenorën.

Ti beko plakun e mamanë,
këndoju marifete,
unë marr Lenorën ca mënjanë
dhe e pyes, si vete.

Ti merr ndriçim që flakëron,
dhuratë nga perëndia,
unë marr një puthje gjith’ pasion
dhe ikin mendtë e mia.

Shqipëruar nga Arqile Garo

*Titulli i origjinalit: “Art dashuror”