Gërmimet në Apoloni, zbulohen varrezat romake dhe furra 2500-vjeçare e qeramikës

Foto ilustrim

Punimet për rrugën që të çon në Apoloni, nxorën në dritë copëza të jetës që zhvillohej shekuj më parë, jashtë mureve rrethuese të këtij qyteti antik. Neritan Ceka, arkeologu veteran që ka ndjekur ndër dekada zbulimet atje, s’kishte si të mungonte në këtë rast, kur historia i solli papritur këtë dhuratë të çmuar për karrierën e tij të gjatë.

“Jo vetëm brenda mureve rrethuese, por edhe jashtë vijonte jeta në Apoloni, në fillim me furrat për prodhimin e qeramikës”, thotë Ceka.

Por çfarë ishte konkretisht punishtja e përpunimit të qeramikës dhe kur daton ajo?

“Apolonia ka qenë në një zonë të varfër për gurë, dhe për këtë arsyeje ka qenë nga qytetet e para që ka përdorur tullat për të ndërtuar muret rrethuese, rreth shekullit të 5-të para Krishtit”, sqaron arkeologu Vangjel Dimo.  

Varrezat romake janë një tjetër zbulim interesant. “Janë të ndara në parcela, diçka e rrallë në Shqipëri”, pohojnë arkeologët.

Shekujt dhe madje mijëvjeçarët kalojnë, por gjurmët e atyre që jetuan në ato toka, kanë mbetur si një dëshmi e qartë e identitetit, që kurrsesi s’mund të mbulohet apo tjetërsohet nga askush.

 Tashmë, objekteve qytetit do t’u shtohen edhe këto copëza të vyera të historisë, varrezat romake, më shumë se 1700-vjeçare dhe furra e qeramikës, plot 2 mijë vjeçare e 5 shekuj e vjetër, transmeton ‘a2news.al’.

Rruga turistike do të spostohet dhe furra e lashtë që përpunonte objektet e qeramikës do të mbeten aty, për t’u admiruar nga vizitorët, si një xhevahir antik dhe i pakrahasueshëm që i shtohet Shqipërisë, ndërsa varrezat romake mund të spostohen, për t’i lënë vendin rrugës që të çon drejt qytetit.

LEXO EDHE: “Shpëtohet” varri antik, gërmimet në Amantia shtojnë vlerat historike të zonës