Gëzim Aliu: Gjumi

Rreze të ndritshme, shumë të ndritshme futen në dhomë. Nguliten ngadalë, sipas lejes që vranësira i jep diellit, në gjysmën e majtë të fytyrës së tij; sytë e strukur pas syzeve, të përgjumur shikojnë kaltërsinë e detit. Rrezet ndeshen në vitrinën ku rrinë palosur libra, të holla, të trasha, të kuqe, të verdha, të zeza, të bardha. Anash vitrinës, ngjitur në mur, është një kornizë e madhe ku shihet Mesdheu, cipa e ujit e pafundme, më tutje, në të djathtë, një breg shkëmbor, disa pulëbardha në fluturim. Një anije me vela, e humbur, përplaset në shkëmbinj dhe vrushkujt e ujit futen në të, gurgullima të bardha në të gjitha anët, ajo fundoset shpejt; ai përpiqet të ikë, vala e ujit të njelmët, të ftohtë, e zë, e përshkon të tërin, e mbulon… bërtet duke lëvizur këmbë e duar, goja i mbushet ujë, fillon t’i harxhohet fryma, koka i pëlcet, i shuhen sytë. Pas terrimit të syve ndien një shkoqitje të llahtarshme-i del shpirti, që me një lehtësi të madhe ikën dhe pa u lagur del nga sipërfaqja e ujit, ngjitet lart qiellit. Trupi vazhdon, bashkë me anijen e shkërmoqur, teposhtë thellësisë së detit. Shkundet i trembur nga kolltuku.  Goja i është tharë, i është hidhësuar. Syzet i bien në prehrin ku rri hapur në dysh një gazetë. Ofshan fort, nga loçka e zemrës. E ndien veten se ende është brenda, në gërmadhën prej gjaku e mishi. Ende rrjedh jeta nëpër damarë, duke e mbajtur gjallë trajtën që i thonë trup. Miliona qeliza të vockla tashmë janë lodhur duke u kacafytur me ushtarët e padukshëm që po ia shkatërrojnë trupin, kokën, trurin, eshnat, sytë e ngathtë, të mbufatur, hundën me dregëza të lëbardhme e njolla të murrme sipëri, buzët ku para një çasti një gllënjkë uji u përpoq të bënte lagështirë, butësirë, por kot; faqet dhe majën e mjekrës që mezi i rroi dje, gjoksin brenda të cilit, si orë e lodhur, rrah zemra, lukthin ku janë zier tonelata ushqime e helme, këmbët, që me një mundim të madh e ngritën për ta dërguar te guaca e nevojtores. Pasi lëshoi një sasi djegëse shurre, u shikua në pasqyrë. Para pak çasteve kishte parë veten ëndërr duke u mbytur, në një anije, diku në Mesdhe. Nuk u mundua ta interpretonte ëndrrën, ashtu siç kishte bërë gjithnjë, gjatë shumë viteve. Çfarë të interpretonte?! Duhej të vdiste, të zhdukej, të mos ishte më. Ai, që aq fort e kishte dashur jetën, gjithnjë, që aq seriozisht e kishte marrë, duke e lënduar veten dhe të tjerët. Jeta është lojë tepër serioze, tepër serioze në mashtrimin e vet, sepse dhemb, të shpon, të han, të bren, ngadalë bën hajgare me ty, klithi vetëmevete i mllefosur. Për një çast u hidhërua edhe me Zotin, që në ato momente, përveç tij, i kishte në listë për t’i marrë edhe mijëra të tjerë. Pse kaq shumë dhimbje, iu drejtua me tërë qenien, gërmadhën-trup dhe shpirtin që priste dakikun për të dalë jashtë. U tërhoq nga pasqyra dhe u zvarrit si i plagosur deri në kuzhinë. Hapi frigoriferin dhe nxori që andej një gotë me qumësht, që më shumë ia prishi disponimin se që e flladiti, siç shpresonte. U lëshua mbi kolltuk dhe ndezi televizorin. Në ekran u shfaqen vasha të reja, të bukura, me vithe të ngritura, me vetulla të holla si shigjeta, me qafa të lëmuara, me buzë të plota. Por, ai nuk ndiente gjë. Nga lodhja, kapakët e syve iu lëshuan ngadalë duke ia errësuar pamjen përpara dhe atij iu duk se vdiq. Mirëpo, prapë, vetëm ishte kotur. Një erë e lehtë, e flladshme, hyri nga dritarja e hapur, iu fut nën pantallona te zogjtë e këmbëve dhe e përshkoi të tërin, deri te maja e kresë, sikur të ishte thirrje për aheng. U përpoq të ngrihej. Ia arriti disi dhe iu afrua dritares, nga vinin kohë pas kohe rrezet e ndritshme dhe era e lehtë, për të shikuar jashtë. Përtej rrugës ku andej-këndej vraponin shpejt veturat, shihej livadhi i blertë dhe bjeshka që ishte shumë më larg, e mbuluar me borë. Qiellin e përshkonin vende-vende, duke lëvizur krejt ngadalë drejt veriut, vranësira që ngjanin me balona të shfryra, të vrugëta. Një ëmbëlsim i pashpjegueshëm ia lagu gojën, një fllad ia shlodhi këmbët, një dëshirë ia pickoi zemrën. Për një çast e harroi frikën dhe i dha vetes kurajë të dilte jashtë banesës, të shkonte në livadhin përtej rrugës. Mori bastunin, vendosi kapelën, doli në korridor, u fut në lift dhe ngadalë, por sigurt, doli jashtë. Grumbulli i zakonshëm i fëmijëve fqinj e përshëndetën dhe vazhduan lojën me top duke imituar futbollistët e mëdhenj. Kapërceu parkun e vogël të ndërtesave, u soll ngadalë rreth shitores së madhe, për fat nuk  takoi askënd të njohur që do ta pyeste “a je gjallë”, u mbajt për një veture të kuqe dhe pas pesëmbëdhjetë minutash beteje me lodhjen, arriti deri te cepi i rrugës së asfaltuar. E kishte të vështirë të dilte matanë. Veturat lëviznin si të çmendura, sikur dëshironin të fluturonin për të zënë caktimet e veta apo për të mos i zënë. Fytyra të mërzitura, të skuqura shihte vetëm për pak çaste brenda tyre, i dukej sikur veturat ishin robëruese të atyre njerëzve fatkëqij; oshtimë, zhurmë, piskamë sirenash iknin, vinin të tjera. Ai qëndronte në vend, duke u dridhur. Nuk mund ta përfytyronte veten në atë gjendje. Por, ashtu kishte qenë edhe vetë dikur, duke vrapuar, duke fluturuar, duke bërtitur, duke lavdëruar… I hoqi këto kujtime, dëshironte të dilte në livadh, patjetër dëshironte ta prekte barin, ndonjë lule, sepse pranvera tashmë kishte arritur moshën e rinisë; të shtrihej e të pushonte. Por, nuk guxonte ta kapërcente rrugën. Ende, trupi i tij i jepte sinjale frike. Ndonëse ishte bërë rrënojë, ai, megjithatë kishte dëshirë të jetonte. Trupi kishte dëshirë të jetonte, por plaku kishte dëshirë ta kapërcente rrugën dhe të livadhisej edhe njëherë. Dhe mori guxim, e detyroi trupin dhe këmbët filluan të lëvizin. Vetura e parë e anashkaloi duke piskatur si e çmendur, e dyta frenoi rreptë duke lënë vija të zeza, përcjellë më fishkëllimë, në asfaltin e nxehtë, kurse e treta, që ia behu nga ana e kundërt, e goditi fort dhe e fluturisi përtej, në livadh. I shtrirë në shpinë, ashtu siç shpresonte, ai ndjeu një shlirim dhe aromën e barit të njomë. Iu duk vetja fëmijë, si atëherë kur ruante lopët në katund dhe shtrihej mes barit të gjatë, në qetësi, në amshim dhe nuhaste aromën e butë, e fuste në mushkëri dhe e nxirrte prapë… derisa e zinte qetas gjumi.
(2011)