Pyetësori i Prustit: Gëzim Aliu

 

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Gëzim Aliu.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Ekzistenca jotrupore. Por, meqë ekzistenca e tillë është thjesht dëshirë, ideja ime për lumturinë e përkryer janë çastet kur ndihesh mirë, fizikisht e mendërisht. Ngazëllimi i shkurtër që përjeton trupi e truri, për shembull kur gjendesh mes lisave të gjatë, në qetësinë që e prek butësisht vetëm fëshfërima e gjetheve dhe ndonjë gurgullimë e largët përroi. Mendoj se të ndjehesh mirë është reaksion biokimik. Ne jemi biokimi. Kur biokimia funksionon si duhet, në baraspeshë, atëherë çastet e lumturisë së përkryer mund të jenë më të shpeshta.

Cila është frika juaj më e madhe?
Verbëria. Jo vetëm e aparatit të shikimit. Të mos jesh në gjendje të shikosh përtej sipërfaqësores. Po thuhet shpesh që jeta e sotit është bërë tepër sipërfaqësore. E vërtetë. Problemi është edhe më i thellë. Ka filluar që jeta edhe të largohet krejt nga sipërfaqja. Janë miliona gjëra të jashtme që e pengojnë njeriun të kthejë sytë nga vetja dhe nga tjetri. Vetja dhe tjetri ndërmjetësohen vazhdimisht dhe kështu njerëzit nuk e njohin më as veten, as të tjerët. Zhurmë ka vazhdimisht. Stres vazhdimisht. Kërkesa vazhdimisht. Ankesa pa fund. Njeriu përgjithësisht jeton në të ardhmen, duke pritur të ndryshojë gjendja. E ardhmja nuk ekziston. Po mendoj, nuk ekziston e gatshme, duke pritur që ne të futemi në të sikur në ndonjë pallat të parajsës së premtuar nga fetë.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Të gjallë? Respektoj disa njerëz; që të jem më i saktë, mund të respektoj ose admiroj gjëra e vepra të mira që kanë bërë e bëjnë për njerëzimin dhe nuk kanë marrë as lavd të shndërruar në famë të dëmshme, që do ta kapërcente vlerën e veprës, as grumbullim parash përtej çdo kufiri etik. Por, këtu do të doja të flisja pak për teprimin e admirimit, që mund të kalojë në adhurim. Adhurimi i kërkon përsosmëritë; përsosmëritë nuk ekzistojnë. Madje ndaj adhurimit të njerëzve të gjallë apo pak më herët të gjallë, ndiej neveri. Është papjekuri adhurimi, mitizimi, fetishizimi. Personat dhe bashkësitë që i kanë qejf këto gjëra janë primitivë. Ndër elementet e shoqërisë primitive është edhe adhurimi i personaliteteve të gjalla. Një shembull nga Evropa që e duam shumë: Helmut Kohl-in, kancelarin e Gjermanisë, bashkuesin e dy Gjermanive, njeriun i madh evropian. Ai admirohej e adhurohej gjithandej për bëmat e tij të mëdha, por u desh të dilte në gjyq për shkak të skandalit të financimit të partisë së tij. Financimi i tillë nuk ishte ligjor. Në shoqëritë me tipare primitive, këto fakte nga e kaluara do të kapërceheshin lehtësisht. Njeriu i madh shndërrohet pothuajse në perëndi dhe cenet e tij as që sillen ndërmend. Ai është i përsosur. Por, në shoqëritë moderne, ligji i shkruar, që e ka kaluar testin e kuvendit të zgjedhur nga vota demokratike e individëve të vetëdijshëm për demokracinë, rendin e ligjin, është mbi të gjitha. E ligji thotë që financuesit e partisë duhet të bëhen publikë! Pse? Këtu te ne shahen përditë partitë, por duhet ta dimë që aty fillon pushteti, në trajtë dëshirë, fillimisht idealiste e pak më vonë praktike, në terren. Çfarë ndodh me një parti që financohet nga një shitës armësh? Çka bëhet me një parti që financohet nga mafia e naftës? Si drejtohet një parti që merr para të fshehta nga mafia e mjekësisë dhe barnave? Si mund t’i mbajë idealet e demokracinë një parti që mbytet me paratë e ndërtuesve e tregtarëve të mëdhenj? Çfarë liderësh të partive janë ata që qerasen nga themeluesit e universiteteve private? Partitë janë të domosdoshme, sepse kjo është forma e zbatimit të demokracisë. Ide të ndryshme për ta përparuar vendin. Konkurrencë vlerash. Por, çfarë ngjan kur ndodhin me të vërtetë të gjitha ato pyetjet e mësipërme që bëra? Demokracia degjeneron në financokraci! Në pushtet vijnë njerëz të lidhur duar e këmbë, budallenj, gangsterë, mafiozë, të paaftë, të poshtër e të ligë. Kur i shoh njerëzit teksa adhurojnë liderët e tillë, të gjallë e më pak të gjallë, madje janë në gjendje të heqin dorë nga jeta e tyre personale për ta, kam pak shpresë për këtë trohë shtet që e kemi krijuar, me kaq shumë vuajtje e flijime. Është krijuar një cikël “normal” i gjërave. Po sillemi si ai miu që futet në rrotën të cilën e lëviz me këmbët e veta, duke menduar se po ecën përpara. Miu i shkretë, duke mos e ditur këtë, sillet vazhdimisht në rreth.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Të gjithë kanë qenë njerëz. Nuk e kam menduar ndonjëherë identifikimin me ndonjë personalitet. Ne mësojmë nga njëri-tjetri. Identifikim do të thotë të mos bëhesh kurrë. Shumë njerëz, duke u identifikuar me dikë, e më shumë duke u përpjekur t’i imitojnë, përfundojnë në kopje e hije. Vërej përditë njerëz që përpiqen të bëhen si filan shkrimtari, apo filan aktori a muzikanti. Ose, e ndërtojnë jetën duke u identifikuar me bëmat e dikujt. Nëse bëmat e dikujt janë frymëzim për të bërë diçka të mirë e të bukur për njerëzimin, kjo është e pranueshme. Por, nëse bëmat tuaja përsërisin bëmat e dikujt, në pamje të parë duken qesharake, e në thelb mund të jenë serioze e shpesh të rrezikshme. Por, zakonisht ndodh kështu. Dikush e sjell në botë një ide revolucionare dhe pasuesit e imitojnë dhe e shpërndajnë. Kështu janë krijuar fetë, ideologjitë, partitë. Çka t’i bësh, jemi krijesa tepër sociale, truri ynë punon më shumë në rrjet, sidomos në rrjetet e krijuara nga të tjerët, që kishin frymëzim të tjerët, e kështu zinxhir, kohë më parë, pak më vonë e edhe tash, përgjatë historisë së njerëzimit. Ata e ato që ndahen nga turma e kanë të vështirë të mbijetojnë.

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
Nganjëherë ma thonë se jam mendjemadh dhe i rëndë. Nuk besoj se jam, së paku për ata që më njohin më për së afërmi. Por, si për çdo gjë, kam filluar të dyshoj. Ndoshta është ky tipar imi që nuk më pëlqen, nuk e di, shtuar edhe njëfarë nervoze ndaj marrëzisë së përgjithshme, ku pothuajse të gjithë vrapojnë për ta lyer sa më mirë e për ta mirëmbajtur mekanizmin e saj. Sidomos me acarojnë disa që janë punëtorë të zellshëm në mekanizëm e flasin kundër sistemit të tillë. Përnjëmend nganjëherë po lodhem duke u befasuar me gjëra të tilla e njerëz të tillë. Ka ardhur koha që të mos e çaj kokën fort. Jeta me të vërtetë është e shkurtër. Paramendoje të kalosh pesë për qind të jetës duke u marrë me marrëzitë e klasës punëtore të mekanizmit të lartpërmendur!

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Dëgjo, ne jemi vend i vogël, i një kombi të vogël dhe krekosjet e kapardisjet m’i acarojnë nervat. Kjo lidhet me atë që thashë më sipër. E kemi bërë bërllok në çdo sferë të jetës e mburremi. Ne nuk jemi patriotë, nuk e duam vendin. E duam oborrin, që ka telashe me mezhdën e oborrit fqinj. Kjo gjë s’më pëlqen. Çfarë ndodh kur një shpikje e njerëzve të mençur, siç është shteti, (në rastin tonë shteti demokratik liberal), arrihet të krijohet nga një bashkësi me tipare të fuqishme fisnore? Ndodh kjo që po ndodh në vendin tonë. Të gjithë e dimë se çfarë po ndodh, por nuk bëhet sa duhet për ta ndryshuar gjendjen, duke filluar nga niveli individual, për ta forcuar shtetin, për ta bërë me të vërtetë demokratik e funksional. Kjo ma kujton atë meselenë e Nastradinit dhe elefantit. Po përpiqem ta përmbledh shkurtimisht: Një mbret ia lëshon popullit një elefant, që bën dëme në ara, oborre, rrëzon gardhiqe e mure, lëndon njerëz etj. Pas një kohe, gjendja bëhet e padurueshme, kështu që njerëzit shkojnë te Nastradini dhe i kërkojnë t’u prijë për të shkuar e për t’u ankuar te mbreti. Nastradini pranon. Niset duke menduar se populli po i rri prapa. Në çastin që troket në portat e pallatit të mbretit, kthen kokën dhe vëren që kishte mbetur fillikat vetëm. Por, për t’u kthyer është vonë, prandaj rojat e dërgojnë te mbreti. Pasi mbreti e pret me nderime, e pyet: Nastradin, a po ankohet populli për elefantin? Nastradini ia kthen: Jo, lartmadhëria juaj, populli po e kërkon edhe një elefant!

Në cilat gjëra e teproni?
Detajet. Për gjithçka. E di që nuk ka asgjë të përsosur. Por ja që përpiqem. Nëse më shpëton diçka, nuk qetësohem nja dy-tri ditë.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Njerëzit përgjithësisht jetojnë brenda rendeve e realiteteve imagjinare. Ta marrim shembull mitologjinë greke. Kujt i kërcet sot për Zeusin? Por, në ‘kohën’ e tij, ai ishte zot mbi zota dhe jeta organizohej sipas “ekzistencës” së tij. Mirëpo, ne nuk jetojmë në atë rend apo realitet imagjinar. Jetojmë në një tjetër realitet imagjinar. Imagjinar nuk po them të rrejshëm, por që ka funksion social e kulturor, në kuptimin e mbajtjes së rendit në shoqëri. Këto nuk janë ide të miat, ka libra për këto gjëra, pak a shumë po përflas tepër shkurtimisht. Ne, njerëzit, jemi qenie që nuk mund të jetojmë pa rrëfime, pa mite, pa legjenda, pa heronj, pa fantazma. Ne i tregojmë vetes ngjarje dhe u tregojmë edhe të tjerëve. Kryesisht ndalemi te momentet kulmore, materialin e vrazhdë e zhdukim në procesin e të rrëfyerit. Rrenat janë pjesë e kësaj. Fantazitë i kuptoj. Për shembull, nëse dikush më thërret në kafe dhe më rrëfen për një ngjarje që “i ka ndodhur”. Bërthama e ngjarjes mund të jetë e vërtetë, por veshjet, shtesat, dekorimet, personazhet, fjalët e thëna, konfliktet, ndonjë përleshje a trimëri, ndonjë dashuri e rrezikshme, përfundimet megjithatë heroike, ku rrëfimtari ia del paç, meqë është tepër i aftë, janë të gjitha shpikje, rrena. E di që po fantazon, por mënyra e të rrëfyerit është e bukur, prandaj e dëgjoj me vëmendje. Dhe, askush nuk lëndohet. Por, kur rrena bëhet me qëllim lëndimi, denigrimi, rrëfimi shuhet, kapërcehet natyra e tij e dalim te poshtërsia. Rrena, do të thotë shpikja e gjërave që nuk ekzistojnë apo që nuk kanë ngjarë, është ndër elementet themelore të qenies njeri. Sinqeriteti total do ta shkatërronte shoqërinë siç e njohim. Unë do të gënjeja për të mos lënduar ose për të fshehur lëndimin e mundshëm.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Më pëlqen të udhëtoj me veturë, i vetëm, me kilometra, e të mendoj. E ndal radion, e dëgjoj uturimën e motorit dhe fërkimin e gomave për asfalti. Gjithçka është lëvizje dhe ndryshim. Mirëpo, këtë tashmë po e bëj shumë rrallë. Megjithatë, rrugëtimi im i pëlqyer është që posa të mbërrij në kabinet, në Institut, të dal të pi një kafe e ta lexoj gazetën. Është ilaçi im i mëngjesit.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Më duket se foljen: Dëgjo!

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Ndoshta që nuk jam marrë më shumë me muzikë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Artonja.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Me këtë mot? Ndihem paksa i lodhur, i harxhuar.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Prirjen për zymtësi.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Prozën romanore.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Ndoshta do të kisha shkuar, si fëmijë, në Amerikë. E kam vizituar para disa vitesh dhe me të vërtetë e kam kuptuar që ai vend është i mundësive të pafundme. Megjithatë, po të ishte paksa më “evropiane”, do të më pëlqente edhe më fort. Por këtë, po të kisha shkuar si fëmijë, nuk do ta dija.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Një yll me vetëdije! A ju thashë që nganjëherë mendoj se kanë të drejtë kur më quajnë mendjemadh!

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Aftësia për të shkruar prozë artistike. Aftësia për t’ia ndier gjuhës melodinë.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Robëria e fukarallëku, kur kombinohen, prodhojnë shumë maskarallëk. Dua ta zbus pak qëndrimin tim të mësipërm ndaj popullit. Ne kemi jetuar gjatë kohë në sisteme të ndryshme politike, ideologjike, fetare, kulturore, ekonomike. Nën perandori gjigante, por edhe nën mbretëri të vogla, madje edhe nën republika që kanë qenë vetëm nja tri herë më të mëdha për nga territori e popullsia sesa ne, që është turp kombëtar që kemi lejuar të na ndodhë, po mendoj të zgjasë aq gjatë robëria e poshtërimi nga një popull që është krejt pak më i madh se ne. Brenda disa sistemeve e kemi treguar fuqinë tonë, brenda disa tjerëve jemi zgjeruar, në të tjerë jemi tkurrur, shkapërderdhur, e madje edhe jemi rrezikuar të zhdukemi krejt. Kemi ndërruar fetë, bindjet, madje edhe emrat e mbiemrat, duke mbetur megjithatë goxha paganë. Megjithatë, ja ku jemi, dhe i themi vetes shqiptarë. T’i kërkosh këtij populli të dëmtuar rëndë, të ndarë e të përçarë, e me një mijë telashe materiale e psikologjike e sociologjike që të emancipohet menjëherë, të bëhet përnjëherë gjerman, francez a anglez, është njësoj sikur t’i kërkosh një njeriu që ka qëndruar dhjetë vjet në izolim, në një qeli të lagësht, tmerrësisht i vetmuar, pa shumë dritë, me fare pak ushqim, me shumë dhunë, të bëjë maratonë posa të dalë jashtë.
Të jesh shumë i egër me këtë popull është padrejtësi, të jesh tepër dashamir, është naivitet. Një popull i tillë, me kaq shumë plagë, e ka të vështirë të krijojë mekanizma të brendshëm për ta konsoliduar shoqërinë e kulturën demokratike dhe për ta hequr qafe njëherë e mirë kulturën fisnore e kanunore. Po shihet: na duhet ndihmë. Por, ndihmë e sinqertë, jo ndihmë gjeostrategjike.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Vjenë. Është qytet i mrekullueshëm.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Vendosmërinë dhe urtësinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Mençurinë e diturinë. Natyrisht bukurinë. Mirësinë. Flokët. Shikimin. Zërin. Sytë. Buzët.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Janë disa. Letërsia nuk ka shumë shkrimtarë të mëdhenj. Është koha që i mënjanon. Shumica harrohen, mbesin disa. Ka mundësi që nga shekulli njëzet në shekullin e njëzet e tre, nëse në atë botë të së ardhmes lexohet, të përmenden e të lexohen nja pesë ose gjashtë shkrimtarë. Ndoshta më mirë që është kështu. Letërsia është fushë e pafund e pak lisave të gjatë, që nuk i bëjnë hije njëri-tjetrit e që megjithatë ngjajnë me njëri-tjetrin në diçka: këta shkrimtarë e kanë njohur njeriun thellësisht, në palcë. Dhe, nëse njeriu siç e njohim nuk robotizohet në të ardhmen, do t’i lexojë këta shkrimtarë gjithmonë, sepse ky njeri do ta gjejë veten aty, në letërsinë e tyre.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Në jetën e vërtetë nuk ka heronj. Mund të ketë njerëz që dalin pak mbi mesataren e mundimeve njerëzore, mbi mesataren e gjendjes njerëzore, kryesisht të mjerë, por heronjtë jetojnë në përralla.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Talentin për të mjeshtëruar gjëra nëpër shtëpi. Nuk e di asnjë mjeshtri të tillë. Madje, kur jam munduar ta mësoj ndonjë, jam çuditur me veten se sa i patalentuar isha.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Duke qëndruar ulur në një verandë që shikon nga një kopsht me kumbulla, në maj, sigurisht pas disa dekadash.

Cila është motoja juaj?
‘Ban diçka se bahet diçka’./Gazeta Observer