Gianni Rodari: A mund të jesh i lumtur gjatë gjithë jetës?

Nga Gianni Rodari

Do të doja të dija ku qëndron thelbi i lumturisë dhe nëse mund të jesh i lumtur gjatë gjithë jetës.

Për t’u siguruar që nuk gabohem në përgjigje, kërkova në një fjalor të madh fjalën “lumturi” dhe zbulova se do të thotë “të jesh plotësisht i kënaqur, përgjithmonë ose për një kohë të gjatë”.

Por si mund të jesh “plotësisht i kënaqur”, me gjithë të këqijat që ndodhin në botë dhe me tërë gabimet që bëjmë edhe ne, çdo ditë të vitit? 

E mbylla fjalorin dhe e vendosa në bibliotekë, me shumë respekt sepse është një libër i vjetër dhe i kushtueshëm, por shumë i vendosur për të mos i dhënë të drejtë.

Lumturia duhet të jetë doemos diçka tjetër, diçka që nuk na detyron të jemi gjithmonë të gëzuar dhe të kënaqur (dhe paksa budallenj) si një pulë që ka mbushur gurmazin.

Ndoshta lumturia qëndron në bërjen e gjërave që mund të pasurojnë jetën e tërë njerëzve; në të qenit në harmoni me ata që duan dhe në bërjen gjërave të duhura dhe të domosdoshme.

Dhe atëherë lumturia nuk është e thjeshtë dhe e lehtë si një këngë: është një luftë.

Nuk mësohet nga librat, por nga jeta, dhe jo të gjithë ia dalin: ata që nuk lodhen kurrë së përpjekuri, duke luftuar e punuar, ia dalin mbanë dhe besoj se mund të jenë të lumtur gjatë gjithë jetës.

*Titulli i origjinalit: “Lumturia”

ObserverKult


Lexo edhe:

JANIS RICOS: DO TË VIJMË PRAPË… POR ME FLOKË TË THINJUR