Gibran: Dhimbja copëtonte zemrën time dhe shpresa rropatej ta arnonte…

Nga: Khalil Gibran

Dje, o e shtrenjta ime, unë isha pothuajse në një botë të shkretë, në një vetmi të rëndë si mortja. Isha si një lule që rritet në hijen e një shkëmbi gjigant, egzistenca e të cilit nuk lejon e s’mund të lejojë vazhdimin e Jetës.
Por sot shpirti im është gjallëruar sapo të pashë këtu pranë meje. U ngrita në këmbë i mrekulluar. Dhe të rashë më gjunjë, në shenjë respekti, si një akt adhurimi.
Dje prekja e ëmbël e flladit më dukej e ashpër, moj e shtrenjta ime, dhe rrezet e diellit më dukeshin të vagulluara. Dhe një re mbulonte pamjen e tokës.
Valët e oqeanit gërhisnin si vegla të ndryshkura në shtrëngatë.
Hodha vështrimin rreth vetes dhe nuk pashë gjë veç vetes time që më rrinte pranë dhimbshëm teksa fantazmat e hijeve ngriheshin e ngriheshin rreth meje si skifterë grabitqarë.
Por sot Natyra është si në një banjo drite dhe dallgët gërryese janë tulatur kurse mjegullat janë hallakatur. Ngado hedh vështrimin shoh të hapen para meje sekretet e Jetës.
Dje isha një fjalë pa tingjull në zemër të Natës, kurse sot jam këngë në buzët e Kohës.
Dhe gjithë kjo ka ndodhur veç brenda një çasti bërë nga një vështrim, nga një fjalë, nga një frymarrje, nga një puthje.
Ai çast, mikja ime e dashur, ka shkrirë së bashku të kaluarën e shpirtit tim me shpresën e zemrës sime të prirur nga e ardhmja. Ka qenë si një trëndafil i bardhë që nga gjiri i tokës shpërthen në dritën e ditës.
Ai moment ka qenë për mua ashtu si lindja e Krishtit, që i ka dhënë kuptim moshës së Njeriut. Sepse ai ishte plot e përplot me dashuri dhe mirësi. Ai çast shndërroi hijet në dritë, dhimbjen në gëzim, dëshpërimin në bekim.
O e dashura ime, zjarret e Dashurisë zbresin nga qielli në forma dhe trajta të ndryshme, por një dhe e vetme është shenja që lejnë në botë. Flaka e hollë që ndez zemrën njerëzore është si një pishtar i zjarrtë që varet nga qiejt për të ndriçuar rrugët e njerëzimit. Mbasi edhe në një shpirt të vetëm janë të përfshirë ndjenjat dhe shpresat e gjithë njerëzimit.
Çifutët, o e shtrenjta ime, pritën ardhjen e Mesisë që u kish premtuar se do t’i çlironte nga skllavëria.
Shpirti i Madh i Botës e ndjeu se nuk ia vlente më të adhuronte Jupiterin dhe Minervën mbasi zemrat njerëzore të etura nuk mundnin më të qetësoheshin me atë verë.
Në Romë gjykohej mbi shenjtërinë e Apollonit, një Zot pa mëshirë si dhe mbi bukurinë e Venerës që tashmë ishte udha e dekadencës.
Kështu që në fund të zemrave të tyre, ndonëse nuk e kuptonin plotësisht, këta kombe kishin uri dhe etje për atë mësim të madh që kish përshkuar gjithçka, vetëm të gjente tokën. U dhanë me gjithë shpirt pas asaj lirie të shpirtit që i ish mësuar njeriut të gëzonte bashkë me fqinjin e tij, dritën e diellit dhe mrekullinë e të jetuarit.
Sepse është pikërisht kjo liri e çmuar që e lidh me cima njeriun me të Padukëshmen, së cilës ai tani mund t’i jepet pa frikë dhe turp. E gjitha kjo e pati fillimin e dy mijë vite më parë, e dashura ime, kur dëshirat e zemrës vinin rrotull gjërave të dukshme, me frikë për t’u lidhur me shpirtin e përjetshëm, kur Pani, zoti i pyjeve i mbushte me tmerre zemrat e barinjve, dhe Baali, zoti i diellit, rëndonte me duart e ashpra të priftërinjve të tij mbi shpirtrat e varfanjakëve të mjerë.
Në një natë, në një orë, në një çast kohor, buzët e shpirtit u mbyllën dhe shqiptuan fjalën e shenjtë: “Jetë”. Dhe kjo u mishërua në një foshnjë që flinte në gjirin e një virgjëreshe, në një kasolle ku disa brinj ruanin natën kopetë e tyre, nga sulmet e kafshëve të egra, dhe shikonin tani me habi atë foshnjë të qetë që flinte në një koritë.
Foshnja-Mbret i mbështjellë në leckat mjerane të nënës së vet, u ul mbi një fron zemrash të sëmura dhe shpirtrash të uritur. Dhe me një përunjësi unikale shkëputi skeptrin e komandës nga duart e Jupiterit dhe ia dha bariut të varfër që kulloste kopenë e tij.
Dhe nga Minerva ai mori Mençurinë dhe e kaloi në zemrën e peshkatarit të varfër që po arnonte rrjetën.
Prej Apollonit ai nxori Gëzimin përmes vuajtjeve të tij dhe ia dha një të varfëri me zemër të coptuar që e takoi gjatë rrugës.
Nga Venera ai mori Bukurinë dhe ia derdhi në shpirt gruas që dridhej nën këmbët e pamëshirshme të Padronit të saj.
Pastaj shfronëzoi Baalin dhe vendosi në vend të tij bujkun e thjeshtë që hodhi farën dhe prashiti terrenin me djersën e ballit të tij.
O e dashura ime, a nuk ishte dje shpirti im i ngjajshëm me tributë izraelite? A nuk priste në heshtjen e natës ardhjen e Shpëtimtarit që të më çlironte nga skllavëria e nga të këqijat e Kohës. A nuk kam provuar unë etjen dhe urinë e shpirtit ashtu si ata kombet e së shkuarës?
A nuk kam përshkruar unë rrugën e Jetës si një foshnjë e humbur në një shkretëtirë dhe a nuk ka qënë jeta ime si një kokërr fare e flakur sipër një guri, që asnjë zog nuk kishte për ta gjetur, dhe kurrë elementët nuk do ta kishin hapur për ta sjellë në jetë?
E gjitha kjo ka ndodhur dje, o e shtrenjta ime, kur ëndrrat e mia bubronin në errësirë dhe i trembeshin mbrritjes së ditës. E gjitha kjo erdhi ndërsa Dhimbja copëtonte zemrën time dhe Shpresa rropatej ta arnonte.
Në një natë, në një orë, në një çast kohor, Shpirti zbriti nga qendra e rrethit të shenjtë të dritës dhe më vështroi me sytë e zemrës tënde. Nga ai vështrim Dashuria shpërtheu dhe gjeti banim në zemrën time.
Kjo Dashuri e madhe që u mbështoll në rrobat e ndjenjave të mia, ka rrëmbyer dhimbjen në gëzim dhe dëshpërimin në bekim, vetminë në parajsë.
Dashuria, ky Mbret i madh, i ka kthyer jetën, unit tim të vdekur, u ka kthyer dritën syve të mi të verbuar nga lotët, më ka ngritur nga humnera e dëshpërimit duke më sjellë në mbretërinë qiellore të Shpresës. Mbasi të gjitha ditët e mia nuk ishin gjë tjetër veçse netë, o e dashur. Por shiko atje poshtë! Agimi po vjen dhe shpejt do të ngrihet dielli. Se frymëmarrja e vogëlushit Jezu ka mbushur kupën qiellore, është shkrirë me eterin.
Jeta një herë e mbushur me dhimbje, vrapon tani plot e përplot me gëzime, sepse krahët e foshnjës janë rrotull meje dhe e shtrëngojnë me një përqafim shpirtin tim.

*Shkëputur nga libri i Khalil Gibran: “Fjalët e mjeshtrit”

Përktheu: Met Gjergji

*Titulli i origjinalit: “Ringjallja”

Përgatiti: ObserverKult

——————-

Lexo edhe:

Khalil Gibran: Zemra ime do të rrahë për ty përgjithmonë