“Zemra ime do të rrahë për ty përgjithmonë”, tregim nga Khalil Gibran

gruaja ime dashuria nga khalil gibran

Nga Khalil Gibran

Një i ri në agim të jetës ishte ulur në tavolinën e një shtëpie të vetmuar. Kishte tretur vështrimin sipër dritare herë në qiellin e mbushur me yje të shndritshëm dhe herë kthente kokën nga portreti i një vajze që po e mbante në duar. Linjat dhe ngjyrat e atij portreti ishin të denja për një mjeshtër të madh dhe, reflekset në mendjen e djaloshit, i hapnin atij sekretin e Botës së përjetësisë.
Ai portret i vajzës i fliste djaloshit, dhe në atë moment ia ktheu sytë në veshë, që ai të mund të kuptonte gjuhën e shpirtit që bëri t’i vinte rrotull dhoma dhe zemra e tij u ndez nga dashuria.
Kështu që orët kalonin sikur të ishin një moment i një ëndrre, apo vetëm një vit i përjetësisë.
Pastaj djaloshi e vuri portretin përpara vetes, mori penën dhe shkroi mbi letër atë që i diktonte zemra.
“E shtrenjta ime: e vërteta e madhe që na zbret nga Natyra nuk kalon kurrë nga një qenie tek tjetra nëpërmjet fjalës njerëzore. E Vërteta zgjedh heshtjen për të transmetuar tek shpirtrat e dashur atë që duhet t’u thotë.
E di që heshtja e natës është shumë më e denjë për mesazhet e zemrave tona sepse ajo di mirë të zgjedhë mesazhin e Dashurisë dhe të deklamojë psalmet e zemrave tona. Ashtu si Zoti i ka bërë shpirtrat tanë të burgosurit e trupave tanë, kështu dhe Dashuria më ka bërë rob të fjalës dhe ligjëratës.
Thuhet, o e shtrenjta ime, se Dashuria është një flakë zhuritëse në zemrën e njeriut. Që nga takimi ynë i parë unë e kuptova se të kisha njohur prej shekujsh, e kuptova se në momentin e ndarjes asgjë nuk mund të ishte kaq e fortë sa të mund të na ndante.
Përshtypja e parë që unë pata për ty, kur m’u shfaqe, nuk ishte aspak e para. Në momentin kur zemrat tona u takuan mua m’u konfirmua besimi në përjetësinë dhe pavdekësinë e shpirtit. Dhe është një çast kur Natyra i ngre vellon atij që ndihet i shtypur. Dhe para tij shpaloset drejtësia e përjetëshme.

Të kujtohet, e shtrenjta ime, përroi pranë të cilit ne rrinim për të plotësuar njeri-tjetrin? Dije se në ato çaste sytë e tu me thoshin se dashuria jote buronte jo nga mëshira po nga drejtësia? Dhe tani unë mund t’ia shpreh vetes dhe gjithë botës se dhuratat që vijnë nga drejtësia janë më të mëdha se ato që vijnë nga mëshira.
O e dashura ime, para meje shtrihet një jetë, që unë mund ta farkëtoj me një bukuri madhështore, një jetë që pati fillimin nga takimi ynë i parë. E që do të zgjasë në përjetësi.
Sepse unë e di që ti ke brenda teje fuqinë të ngjallësh atë forcë që Zoti ma ka dhënë edhe mua, për të mishëruar me akte dhe fjalë të mëdha, ashtu si dielli që sjellë në jetë lulet kundërmonjëse të fushave.
Dhe kështu, zemra ime do të rrahë për ty përgjithmonë.”

Djaloshi u ngrit dhe kaloi nëpër dhomë me hapa të lehtë dhe solemnë. Hodhi vështrimin përtej dritares dhe pa hënën që po ngrihej mbi horizont, duke mbushur gjithë hapësirën qiellore me dritën e saj të butë.
Në fund, u kthye në tavolinën e tij dhe shkroi:
“Më fal, e shtrenjta ime, që të drejtohem me “Ti”, se ti je e vetmja ime e dytë, gjysma ime e bukur për të cilën kam ndjerë mungesën qëkur ne dolëm të dy nga dora e shenjtë e Zotit. Më fal, e dashur !”


*Shkëputur nga libri i Khalil Gibran:”Fjalët e mjeshtrit”

*Titulli i origjinalit: “Dashuria dhe rinia”

Përkthyer nga Met Gjergji

————————

Lexo edhe:

Gibran: Nëna është gjithçka – ngushëllimi ynë në pikëllim, shpresë në mjerim dhe fuqi në dëshpërim