Giuseppe Ungaretti: Sado t’afrohem, prapë më largohet

1922

Prehje, kur si lak sërish u zgjua
Kurm’ i paarrirë drejt të cilit shkoj.

Rrëzëllinte dora e saj tek më zgjatej,
E sado t’afrohem, prapë më largohet.

Ja tek përhumbem në këto rende boshe.

Kur grafulloi agu ajo u ndeh,
Qeshi, dhe nga sytë më flatroi.

Robinjë e marrëzisë, mërzi,
Kurrë mjaft e dehur dhe e ëmbël më ishe.

Pse nuk të erdh’ pas kujtesa?

Mos është mjegulli jotja mblatë?

Murmurimë është, e me t’moçmet
Këngë mizëron kurorat.

Kujtesë, hije levarashe,
Shpoti brengosëse,
Verbëri gjaku…

Si krua rrjedhëpakë nën hijen
E lashtë të ullinjve,
Kthehesh të më platitësh…

Mëngjesesh ende të palindura,
Ende për buzët e tua paça mall…

Kurrë më mos i provofsha!

Përktheu: Aida Baro

*Titulli i origjinalit: “Mërzisë”