“Gjama e fundit në Dukagjin” nga At Zef Pllumi

dantja ka shkru per ne at zef pllumi observerkult

Nga At Zef Pllumi

– Ndigjo, — më tha kolegu, — nuk ke si kthen në Shosh: nesër mbrama këtu do gjindemi para njaj ngjarje së madhe: asht vdekja e parë mbas shpalljes së “sundit”.

Të shofim çdo të bâhet. Mrikë Kacelja, që diq, ishte bijë e Prekalit e ndoshta prekalorët nuk do t’i shtrohen “sundit”.

Ishte doke, tepër e vjetër edhe kjo, që fill mbas vdekjes kufomës i hiqeshin përmbrendësat (zorrë e mëlçi etj.) nga nji burrë i specializuem dhe pregatitej i dekuni për ta ekspozue në nji log para shtëpisë.

Plaka kishte dekë në moshën 76-vjeçare, por kufoma mbante gjithnji bukurí mbas pregatitjes.

Shtëpia e saj ishte aty, nja 10 minuta afer kishës së Kirit.

Njaty kah ora pesë e mbasdites malet shungulluen në largsi nga nji gjamë burrash: “I mjeri û për ty, o vllaaa!”

Tri herësh u përsërit gjama e gjithkush tha me vedi: po vjen Prekali e paskan hî në Kir. Mbas nja nji gjysmë ore, malet jehuen gjamën tjetër, shumë mâ të fortë e të rrebtë. Tri herësh persëri ushtoi “I mjeri û për ty, o vllaaa!” Mandej ra nji heshtje e thellë, që priste dishka. Mendojshem me vedi: Kanuni ynë i maleve asht me të vërtetë i çuditshëm.

Në pamjen e parë duket nji ligjë e egër, barbare njilloj si kodi i Hamurabit, e para ligjë e shkrueme që njef njerëzimi.

Por, po u thellove në tê, gjen aty nji botëkuptim aq njerëzor, sa nuk besohet: sot këta e thrrasin “vlla” motrën e vet të dekun. Kjo gjuha e jonë, në lashtësinë e saj, gruen e thirrte “e shoqja e filanit” e jo “grueja e filanit”.

Pra, koncepti i barazisë në Kanunin primitiv të Maleve tona ishte mâ i saktë se ky i ligjeve moderne. Fjalët e gjamës në Dukagjin ishin vetëm dy: “vlla” ose “mik” e nuk pranonte tjera.

Ndërkaq na të dy fretënt u ulëm aty poshtë te shtëpija që kishte mortin. Auktoritetet shtetnore e partiake të Dukagjinit ishin të gjithë aty, t’acaruem për me imponue mbajtjen e “sundit”.

Na dy fretënt u avitëm te kufoma e shtrime aty në mes të livadhit; vajtojset rreth saj e ndalën vajtimin e na i dhamë bekimin e fundit.

N’atê ças toka se ç’u trondit. Në krye të livadhit, tue ecë me nji ritëm të veçantë, shungullonte truelli për nën kambë.

Ishin rreth katërdhetë burra, e pothuej aq grá mbas tyne, të gjitha të veshuna në tè zí e kishin të ngarkueme në shpinë ka nji bukë kallamoqe e nji dorcë djathë.

Qeleshet e bardha në krye jepshin gjasimin e maleve të nalta me borë. Nji vigan burri, në mes të rreshtit të parë, hoq qeleshen prej kreje dhe e shtini në gojë.

Instruktori i partisë, Muç Hajdari, u duel para në mes të livadhit tue britë si i tërbuem: “Ndaloni! Ndaloni! Shikò! Dukagjini, simbas mësimeve të Partisë, ka vû sund…”

Por, ende pa i krye fjalët, ai burri me kapuç në gojë i bani shêj me dorë që të lironte rrugën dhe menjiherë, kur ai çoi dorën nalt, u dha gjama e madhe: “I mjeri û për ty, o vllaaa! ûûû!” Dhe, tue rrahë gjokset me grushta e tokën me hapa sulmi, u lshuen turr përpara.

Muç Hajdari nuk mund i priti, por duel m’anësh e, tue turfullue, u largue vrik me gjithë çetën e vet pushtetare.

Ndërsa në mjedis të livadhit burrat íiliuen gjamën e dytë: “I mjeri û për ty, o vllaaaü ûûûü”

Sa mbaruen britmat e gjamës së dytë, ata me nji hap ritmik të veçantë, të shoqnuem me lëvizje të posaçme duersh, ecën derisa zunë vend nja shtatë hapa larg vigut të dekës. Ndërkaq gratë, që deri atëherë vajtojshin rreth të dekunit, heshtën dhe u larguen. Kur burrat mbrrijtën nja shtatë hapa larg, u ndalën dhe lëshuen gjamën e fundit, atê mâ të tmerrshmen, gjithmonë me të njajtat fjalë: ‘T mjeri û për ty, o vllaaa!!! ûûûü!” Rrahshin gjokset me grushta, të gjithë me nji ritëm e me thojët e duerve lënduershin tamthet e veta, të gjithë përnjiherësh, ndërsa gratë e veshuna në të zeza, nja disa hapa mbas tyne, lëshojshin nji kujë të thekëshme plot trishtim, që i bante jeh gjamës së burrave.

Disa herë u përsërit ky ceremonial i përfrigueshëm dhe atëherë të gjithë me turr u lshuen në nji gjû rreth vigut të dekës e ranë përmbys tue britë e vajtue, ashtu të lamë në gjak e me kapuça të hjekun.

Sikur më therin gjithnji veshtë ato aho-ho-ho-ho-ho” të vazhdueshme të burrave që përloteshin aty, ndërsa gratë vajtojshin thekshëm me “ha-ha-ha-ha-ha”. Dikuer mbaronte gjama e burrave dhe, aty për aty, e rethojshin gratë, tue vazhdue vajen mâ të trishtë.

Jo, na aty nuk ishim mâ në shekullin e njizetë! Shqiptari jetonte çastet mâ të vjetra të njerëzimit. Kurrë nuk e kam pá vdekjen ose shuemjen e jetës mâ të madhe se atëherë, ndër ato çaste: Mrikë Kacelja e Prekalit kje shtí në vorr në dhé të Kirit me mâ shumë madhshti se Hektori i Trojës tek Iliada e Homerit.

Funeralet e lulzueme e shkëlqimtare të njerëzve të mëdhaj të kohës së sotme nuk mund i aviten kurrkund asaj madhështie që tundte malet.

Kje gjama e fundit në Dukagjin: dita e fundit e epikës së shqiptarëve.

(Marrë nga “Rrno për me tregue”)

ObserverKult


Lexo edhe:

OCTAVIO PAZ: SHKRIMTARI DHE PUSHTETI