Gjashtëdhjetë e pesë vjet, jeta ime – një rrotë qerreje…

Gjashtëdhjetë e pesë vjet, jeta ime - një rrotë qerreje...

Jani Malo: Gjashtëdhjetë e pesë vjet.
Jeta ime – një rrotë qerreje – është vërtitur udhë e pa udhë,
është sfilitur, është molisur në baltovinën e botës së lashtë dhe të pistë.
Tani, e avashtë, ende vragon ritualin e ecjes ta çojë gjer në fund
edhe pse, atje në tejlarg, duket e kruspulluar, e pakur sa një pikë.

Gjashtëdhjetë e pesë vjet.
gjymtyrët e mia – dy akrepa të një ore – dikur bridhnin si fëmijë çamarrokë,
njëri – guximi – shtynte përpara dhe tjetri – pendesa – tërhiqte pas.
Tani, të ngathur, ma mundojnë e ma robtojnë durimin e thinjur
e unë nuk kam fuqi që ta bind; më shumë i bëj nojma sesa i flas.

Gjashtëdhjetë e pesë vjet.
Shpirti im – një xixëllonjë naive – u vërtit e feksi qiejve vuvë të përjetshëm
që mishi im vdekatar të mos ngecte në grackën joshëse të paqes mëkatare.
Tani, i mundur e i drobitur nga errësira e pavdekshme, u kthye vetë në një vuv
e unë ngushëllohem me gënjeshtrën e shenjtë se shpirtrat nuk fiken, ngatërrojnë qiell.

Tani pas gjashtëdhjetë e pesë vjetësh bashkëjetoj me dyshimin torturues
se Jeta ime – një rrotë qerreje – e bëri dhe më të pistë botën;
se Gjymtyrët e mia – dy akrepa të një ore – e çoroditën dhe më shumë botën;
se Shpirti im – një xixëllonjë naive – e la dhe më të errët botën.

Dhe vetja më duket një tekst i zbërdhulët, për fat të mirë, i palexueshëm,
që nuk arriti ta përcjellë tek askush kumtin e gënjeshtërt, se gjasme,
një ditë, nuk do të ikë unë nga kjo botë e lashtë dhe e pistë, e çoroditur dhe e errët,
po Bota do të zhbëhet.

Mbase për t’u rikrijuar!

ObserverKult


FRANÇESK RADI, KËNGËTARI QË IA PLAGOSI SHPIRTIN DIKTATURA