Gjekmarkaj me fjalë prekëse për shkrimtarin Bardhyl Londo: “Mos na le gjatë të presim mik, ngrihu e eja”

Bardhyl Londo itaka

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj i ka dedikuar një shkrim prekës, shkrimtarit Bardhyl Londo i cili po kalon një periudhë të vështirë për shkak të problemeve shëndetësore.

Bardhyl Londo aktualisht është i shtruar në një prej spitaleve të Tiranës. Teksa i uron shërim të shpejtë, Gjekmarkaj me anë të një postimi në Facebook, shkruan se ashtu siç ai i ka mësuar se ” Dashuria është monument që mbrohet nga njeriu” sonte sadopak ajo dashuri për të ta mbrojë nga tentakulat e lëngatës, transmeton ‘panorama.com.al’.

Nënkryetari i PD-së ka sjellë në vëmendje dhe dy prej poezive të Bardhyl Londos.

Postimi i Agron Gjekmarkajt:

Poeti Bardhyl Londo është sëmurë në njërin prej spitaleve të Tiranës!
Një lëngatë që e ndiejmë të gjithë si një çmërs që na godet fjalët, mendimet!
Një lajm i keq per vajzat e tij, të afërmit dhe krejt kulturën e letërsinë shqiptare e cila e njeh atë për bir ekselent të sajën.
Po kaq për ne të gjithë miqtë e tij që lutemi për shëndetin e tij.
Ti na mësove mjeshtër se ”Dashuria është monument që mbrohet nga njeriu” ndaj shpresoj sonte sadopak ajo e jona për ty të mbrojë nga tentakulat e lëngatës!
Mbahu mik ti që na binde se është e gjatë rruga nga trupi tek shpirti dhe se mes apokalipsit e Jeruzalemit triumfon Jeruzalemi!
Poezia shqipe nuk të lë ikësh, ajo pret librin tjetër nga ti!!
Ne të presim me putir në dorë për të marrë “qortimin” e përqafimin e radhës, për të qeshur me veten e të tjerët !
Mos na le gjatë të presim mik, ngrihu e eja….!!! Nuk duam të besojmë se një gjë e padukshme të mund ty !!
Të pamundur e kemi të besojmë që ti nuk mundesh të bësh shaka.
Natën të ikësh nga krevati me një pusullë për mjekët “faleminderit po s’kam nevojë për ju”! Jemi të shumtë që të presim per tu punuar rrengun bluzave të bardha!!
Ndërkohë që ti ngrihesh, dy poezi të tuat po lexojmë !!


LETËR POPULLIT TIM

Populli im bukën e mëngjesit nën sqetull
Një cigare tymzezë, sy rrathënxirë nga pagjumësia

Ku po shkon këtë fundshekull?

Hapat e tu simfoni e nëntë Betoviane,
Mëngjesi dilemë hamletiane,
Mesdita plakurtë, fëmijë rebel,
Në ç’ëndërr hyn vallë natën,
Nga ç’ëndërr në mëngjes vallë del?

Ti, i pasigurti si një syth marsi,
Ti, i sigurti si deti,
Më i urtë se Buda,
Më martir se Krishti,
Më profet se Muhamedi.

Lermë të t’i puth sytë sërish
Sërish
Sytë, ah sytë fole dhembjesh
Arenë tragjikomedish.

Të putha, dhe putha gjithë pëllumbat
Të qafova, dhe qafova gjithë detet.

Ku po shkon, i bukuri im, këtë fundshekull?
Kudo shkofsh më merr me vete.

Më merr ashtu thjesht pa karrige,
pa veturë.

Kjo është letërankesa ime e parë dhe e fundit.
Firma: Bardhyl Londo
Nëntor 1990. E mërkurë


——————————–

ATDHEU ËSHTË DHIMBJE!

Atdheu s’është sa sedilja e makinës tënde,
sa karrigia e zyrës,
sa dhoma komode.
A më dëgjon?!

Ti që me flamur të ri u gdhive në mëngjes,
për ta ndryshuar ndoshta
prapë në mbrëmje.

Atdheu s’është lojë kalamajsh.
Atdheu është dhimbje.

O Zot,
Dhimbje! 

ObserverKult


Lexo edhe:

BARDHYL LONDO: E DI QË SHUMË VAJZA MË DESHËN…