Bardhyl Londo: E di që shumë vajza më deshën…

Poezi nga Bardhyl Londo

E di që shumë vajza më deshën
ca provokuese, ca të heshtura pa zë,
po unë në jetën prej gjysmëmurgu
prej tyre desha vetëm një.

Nuk e di ku janë, s’e di çfarë bëjnë
çarçafi i bardhë herë-herë s’i nxe.
Po unë nën çarçaf shtrihem me kujtimet
dhe e kuptoj që vend tjetër s’ka më.

Tani që hapat e vdekjes i ndjej si afrohen
të heshtura, të zeza një nga një.
Ndonjëra ndonjë lot do derdhë fshehtaz,
vetëm njëra do të qajë me zë.

*Titulli i origjinalit “Baladë”

ObserverKult

————————————————

Lexo edhe:

BARDHYL LONDO: NA JANË MBARUAR FJALËT

bardhyl londo

Na janë mbaruar fjalët.
Buzëqeshja ka mbetur në mes të udhës.
Ç’të bëjmë?
të shkojmë a të mos shkojmë për një kafe
në pallat të Kulturës?
Tavolinë e zakonshme
tej dritares qyteti vishet në muzg.
një gotë ujë për të dy,
kafja jote mbetur përgjysmë,
imja pirë me fund.
përgjysmë, përgjysmë, përgjysmë…

fjala,
buzëqeshja,
ledhatimi,
si dy shina paralele përjetësisht të privuara nga ndarja,
përjetësisht nga takimi.
Sa herë t’i puthja sytë e bukur,
papritur binte briri i kushtrimit.
Kohë e ashpër:
Ne që ishim aq të etur për njëri-tjetrin
të ndarë na duhej të vdisnim.

ObserverKult