Gjenden eshtra në kishën historike të Shën Lezhdrit, kërkohet ndihma e arkeologëve

Gjatë punimeve rutinë në kishën historike të “Shën Llezhdrit” janë zbuluar disa eshtra dhe plumba që nuk dihet se cilës periudhë kohore i përkasin. Zbulimi është kryer nga banorët e zonës, të cilët kërkojnë ndihmën e arkeologëve dhe specialistëve të monumenteve.

Gjurmët e një ngjarjeje të panjohur janë zbuluar në kishën historike të Prullit në Lezhë. Eshtra dhe gëzhoja plumbash kanë dalë në dritë gjatë punimeve që po kryejnë banorët e zonës në qelën e kishës së “Shën Llezhdrit”.

Edhe pse kisha është një monument kulture, në kantierin e punimeve nuk gjendet asnjë restaurator apo arkeolog, ndaj këto zbulime kanë mbetur në duart e banorëve. Mund të jenë eshtra të ndonjë ushtari italian apo Prifti, por nevojiten hulumtime të tjera, tha Tonin Kolthi i cili punon në këtë kishë.

“Janë gjetur eshtrat dhe ca gëzhoja besoj se nga fortifikimi, i kanë zbuluar punëtorët duke pastruar murin. Kjo është kishë shumë e vjetër ndaj mirë do ishte të bëhej ADN e eshtrave që ta shohim se çfarë është kjo” – tha Tonin Kolthi.

Kisha e “Shën Llezhdrit” në fshatin Prull është restauruar dy vite më parë me kontributin e banoreve të zonës, ndërsa zbulimet vazhdojnë të mbërthejnë kuriozitetin për këtë vend të shenjtë për të cilin ka shumë histori e gojëdhëna. Ky objekt kulti daton në vitin 1402 ndaj kërkohet që ekspertët e arkeologjisë të kryejnë gërmime e studime për të mësuar se kujt i përkasin këto eshtra. /shqiptarja.com

____________________

Lexo edhe:

GJENDEN HELMETA ANTIKE NË RRËNOJAT E TEMPUJVE TË ITALISË JUGORE

Arkeologët në Italinë jugore zbuluan helmeta të lashta luftëtarësh dhe rrënojat e një muri me tulla të pikturuar në një vend që mund të ketë qenë një pararendës i një tempulli kushtuar perëndeshës Athina, thanë zyrtarët të martën.

Ministri i Kulturës Dario Franceschini tha se…

Shkrimin e plotë e gjeni KËTU.

ObserverKult