Nga Marie Lasgush Poradeci:
“Sot, për ditëlindjen e të madhit Fishta (23 tetor 1871), do të tregoj një ngjarje që ka ndodhur në shtëpinë time, kur babi ishte gjallë.
Pogradec. Ishte data 5 gusht 1983. Një ditë më parë kishim varrosur mamanë, e cila vdiq atje. Në të vetmen dhomë që kishte ajo shtëpi, babai rrinte i shtrirë në krevatin e tij. Ishte i dërrmuar.
Vjen për vizitë Ismail Kadareja [me një shok të vetin]. E takuan babin me dashuri dhe u ulën përbri tij te krevati tjetër ku flinim unë dhe motra. Sapo ata u ulën, babi i shtrirë tha: “Faleminderit që më ardhët për ngushëllim në këtë ditë të zezë të jetës time. Jam i shkatërruar dhe do t’ju lutesha që të qëndroj i shtrirë”. Ata aprovuan me respekt të dy njëzëri.
Filluan të bisedojnë dhe fjala erdhi te poeti Gjergj Fishta. Babi tha: “Fishta është kollos” dhe filloi të recitojë “Lahutën e Malcís”. Dhe papritur u ngrit në këmbë e tha: “ Jo, jo, do ngrihem në këmbë, se Fishta duhet recituar në këmbë.” Dhe vazhdoi recitimin…
Në dhomë ishte një heshtje absolute.”