Pas masakrave të para të kryera nga forcat nacionaliste greke ndaj minoritetit çam në Greqi, si dhe me largimin e forcave gjermane, situata në Çamëri u përkeqësua. Ashtu si dhe në të gjithë Greqinë edhe Çamëria ishte e përfshirë nga ethet e luftës civile që kishte shpërthyer midis EAM-it dhe EDES-it. Pikërisht, për të frenuar një gjë të tillë, si dhe për të bashkuar forcat e rezistencës greke kundër ushtrisë gjermane, oficerët e misionit britanik në Greqi bënë përpjekje për të arritur një marrëveshje midis EAM-it dhe EDES-it.
Pas shumë bisedimesh midis përfaqësuesve të këtyre dy forcave me ndërmjetësimin e oficerëve britanikë, në fund të muajit gusht 1944, në Kazerta të Italisë u firmos marrëveshja e armëpushimit midis EAM-it dhe EDES-it të udhëhequr nga Napoleon Zerva.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, si EAM-i dhe EDES-i ranë dakord për përcaktimin e zonave të influencës, duke bërë që kufiri në veri të lumit Kalamas dhe që vazhdonte në vijën perëndimore të Manastirit të Shën Mërisë – Dhovlas – Gjithë Shenjtorët – Libovë – Qeramicës – Malunit, t’u përkiste partizanëve myslimanë shqiptarë, të cilët ishin pjesë e batalionit mikst të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Greke.
Ndërsa, zonat e Gumenicës dhe Janinës e deri në zgjatimin në veri, deri në kufirin me Shqipërinë, njiheshin si zona influence të EDES-it. Forcat e Regjimentit XV të ELAS-it, të udhëhequra nga komandanti grek Paraskas, në kundërshtim me urdhrat e dhëna nga krerët ushtarakë të ELAS-it, vendosën që të merrnin nën kontrollin e tyre një pjesë të mirë të territoreve të Filatit dhe Sajadhës.
Një veprim i tillë nuk u prit aspak mirë nga krerët ushtarakë e politikë të EAM/ELAS-it, të cilët urdhëruan tërheqjen e menjëhershme të trupave të këtij regjimenti dhe kalimin e kësaj zone nën influencën e batalionit mikst, të përbërë nga çamët shqiptarë. Forcat edeiste, duke mos respektuar pikat e marrëveshjes u futën në zonat e banuara nga shqiptarët, të cilat i ishin lënë në kontroll pikërisht batalionit mikst të Regjimentit XV të ELAS-it. Një raport informativ i PKG, i degës së Epirit, dërguar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Greke në Athinë, lidhur me futjen e trupave të Regjimentit X të EDES-it në Çamëri gjatë muajit nëntor 1944, njoftonte se, “ky keqkuptim serioz (fjala ishte për shkeljen e territorit të Çamërisë, e cila në bazë të kësaj marrëveshje i ishte njohur Regjimentit të 15 të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Greke, i përbërë nga grekë dhe shqiptarë çamë, shënimi ynë) i dha të drejtën EDES-sit, të shijë në Filat dhe në Çamëri dhe të mbulojë të gjitha krimet e saj të tmerrshme”.
Vetë EAM-i me ushtrinë e saj, për shkak të divergjencave që ekzistonin në gjirin e kësaj lëvizjeje, nuk ishte në gjendje që t’i bënte ballë presionit në rritje nga ana e Zervës dhe grupimeve të tjera ekstremiste nacionaliste, të cilat kishin dhe mbështetjen e misioneve britanike në Greqi. Duke përfituar nga situata e krijuar, forcat nacionaliste greke të udhëhequra nga N. Zerva shprehën hapur iniciativën për të vazhduar aksionin e tyre ushtarak dhe në krahinat e Shqipërisë së jugut.
Një veprim i tillë i ekspozuar me forcë nga Zerva dhe përkrahësit e tij, për të kaluar kufirin shqiptar u kundërshtua nga politika amerikane.
Nisja e masakrave
Në nëntor të vitit 1944, nënsekretari amerikan i shtetit Stetinius, i informuar rreth asaj çka po ndodhte në Çamëri do të theksonte se; “Ne mendojmë se nuk duhet të lejojmë forcat e armatosura greke dhe ato shqiptare të kalojnë kufirin dhe se përpjekjet e tyre për të përzënë ose asgjësuar pakicën që i përket një gjuhe ose një grupi kombëtar të ndryshëm nuk duhet të tolerohen”. Strategjinë e Zervës për të sulmuar popullsinë çame në brendësi të territorit shqiptar, e denoncoi hapur pranë aleatëve dhe Shtabi i Përgjithshëm i UNÇL shqiptare, i cili iu përgjigj në të njëjtën mënyrë kërcënimit edeist.
Të gjendur përballë një përplasje midis EDES-it dhe FNÇL shqiptar, si dhe duke njohur forcën e vërtetë ushtarake të ushtrisë çlirimtare shqiptare, Shtabi Aleat i Lindjes së Mesme i komunikoi Zervës se, “në rast se tentonte të kalonte qoftë dhe një pëllëmbë kufirin shqiptar, do të ishte përgjegjës për atë që do të pasonte më pas”. Sipas aleatëve, plani i Zervës në rast të një tentative të mundshme për kalimin e kufirit shqiptar, do të rezultonte i paarritshëm, për shkak se forcat nacionaliste greke do të viheshin midis dy zjarreve, ku nga njëra anë ato do të sulmoheshin nga trupat e EAM/ELAS-it dhe nga ana tjetër do të sulmoheshin nga forcat ushtarake të LANÇ shqiptare. Pas përpjekjeve të shumta, në dhjetor të vitit 1944, një pjesë e konsiderueshme e krahinës së Çamërisë u vu nën kontrollin e Frontit Nacional Çlirimtar të EAM-it dhe ELLAS-it. Si pasojë e kësaj situate të krijuar, forcat edeiste në dhjetëditëshin e parë të janarit të vitit 1945, u larguan në drejtim të Korfuzit.
Pas vënies nën kontrollin e përkohshëm të këtyre territoreve nga ana e forcave të EAM-it, u duk se ishin krijuar kushtet për rikthimin e popullsisë së shpërngulur çame në shtëpitë e tyre. Në vazhdën e përpjekjeve të patriotëve çamë për të denoncuar masakrat që ishin kryer ndaj popullsisë shqiptare, si dhe për të mundësuar rikthimin e familjeve çame të shpërngulura, një përfaqësi e kësaj popullsie e kryesuar nga patrioti Musa Demi në ditët e para të janarit 1945, mori kontakte me krerët e EAM-it dhe Komitetit Panepiriot në Janinë.
Kërkesa e M. Demit drejtuar udhëheqësve eamistë për të krijuar kushtet e duhura për rikthimin e çamëve në Çamëri, u prit mirë nga komunistët grekë. Pas takimit me udhëheqësit grekë të EAM-it, Musa Demi i shoqëruar dhe nga Jani Kondi nga fshati Finiq i Filatit, u paraqitën në Athinë për të takuar kryeministrin grek Papandreu, i cili refuzoi në mënyrë të prerë të takohej me përfaqësinë e shqiptarëve myslimanë çamë. Me gjithë dështimin për të siguruar një takim me përfaqësues të qeverisë greke, komisioni i përfaqësuesve të popullsisë çame nuk u tërhoq nga përpjekjet për të përfunduar misionin që kishin ndërmarrë.
Musa Demi dhe përfaqësuesit e tjerë të minoritetit çam takuan një përfaqësi të misionit aleat në Athinë, të cilëve u bënë të njohur faktet rrëqethëse dhe situatën e vështirë në të cilën ndodhej popullsia shqiptare në Çamëri.
Reagimet e para
Premtimi i vetëm që morën përfaqësuesit çamë, ishte se problemi që ata shtronin do të ishte në vëmendjen e aleatëve, por se ata nuk merrnin përsipër zgjidhjen përfundimtare të çështjes dhe kthimit të familjeve çame në Çamëri. Përpjekjet për të mundësuar rikthimin e familjeve çame të shpërngulura në trojet e tyre u shtuan nga forcat e majta greke dhe shqiptare. Për këtë qëllim si EAM-i grek dhe FNÇL shqiptar, ranë dakord që popullsia e shpërngulur çame, të mund të rikthehej në Çamëri gjatë ditëve në vazhdim.
Në bazë të marrëveshjes në 6 janar 1945, Komanda e Lartë e Regjimentit XV të ELAS-it, iu drejtua me një thirrje Komitetit Antifashist Çam, si dhe të gjithë emigrantëve çamë të shpërngulur nga Çamëria. Në këtë thirrje theksohej fakti se, kthimi i familjeve çame në shtëpitë e tyre do të ishte i shpejtë, por ky kthim do të fillonte vetëm në ato momente kur të merrej një vendim i përbashkët midis qeverisë shqiptare dhe asaj të ELAS-it. Të ndërgjegjshëm për krimet e kryera nga zervistët në kurriz të popullsisë çame, drejtuesit grekë të EAM-ELAS-it, theksonin se; “Drama dhe katastrofa që kishte përfshirë kohët e fundit elementin mysliman çam e kishte shkatërruar plotësisht atë”. Paralelisht me thirrjen drejtuar minoritetit çam, Komiteti Nacionalçlirimtar i EAM-it dhe Komiteti Panepiriot Grek, në datën 28 janar 1945, lëshuan dhe një thirrje drejtuar banorëve të krishterë të Çamërisë, me anë të së cilës bëhej i njohur vendimi i marrë nga Prefektura e Gjirokastrës për kthimin e refugjatëve çamë në shtëpitë e tyre.
Në këtë thirrje porositej popullsia vendase, që të mos pengonte riatdhesimin e popullsisë çame në shtëpitë e tyre, si dhe të merreshin masa për eliminimin e qejfmbetjeve dhe krijimin e marrëdhënieve miqësore midis dy komuniteteve. Gjithashtu, udhëzohej administrata provizore lokale e Çamërisë, që të merrte masa për pritjen e komunitetit çam, që ky kthim duhej të shoqërohej me një propagandë, në të cilën të theksohej miqësia dhe harmonia midis komuniteteve dhe dy popujve fqinjë. Për të kontrolluar zbatimin e porosive të dhëna, si dhe për të ndjekur nga afër procesin e riatdhesimit të çamëve, Komiteti Nacionalçlirimtar i EAM-it dërgoi në terren njerëz të posaçëm. Masat e marra nga EAM-i dhe Komiteti Panepiriot helen ishin të konsiderueshme dhe puna për riatdhesimin e popullsisë së shpërngulur çame eci normalisht.
Të inkurajuar dhe nga bisedimet midis EAM-it dhe qeverisë shqiptare, rreth 3 000 deri në 5000 çamë vendosën të riatdhesohen në Çamëri. Por, pavarësisht masave të marra nga pala greke dhe garancive të dhëna nga misioni britanik në Tiranë, një pjesë e mirë e banorëve çamë, të cilët mundën t’u shpëtojnë masakrave të Zervës dhe që kishin parë me sytë e tyre krimet e bëra, as që kishin ndërmend të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Koha u dha të drejtë. Shumë shpejt ky rikthim do të rezultonte fatal për këtë pjesë të popullsisë. Vetëm disa javë më vonë, forcat e Zervës do të rimerrnin sërish kontrollin e krahinës së Çamërisë dhe për shqiptarët fati kishte përgatitur një tjetër akt mizor.
Vrasjet e zervistëve
Rreziku i formimit të një qeverie komuniste në Greqi alarmoi misionet britanike në Greqi dhe qeverinë e Londrës. Si rezultat i ndërhyrjes britanike për krijimin e një qeverie kombëtare greke, në 12 shkurt të vitit 1945, midis EAM-it dhe EDES-it u nënshkrua marrëveshja e Varkizës. Sipas kësaj marrëveshjeje, forcat e ELAS-it duheshin të çarmatoseshin menjëherë dhe kontrollin ushtarak të Greqisë e mori në dorë qeveria kuislinge e Ralisit. Marrëveshja e Varkizës përveçse ishte një kapitullim pa kushte i EAM-ELAS-it, ajo përcaktoi përfundimisht dhe fatin e popullsisë shqiptare çame në Greqi. EDES-i, si një forcë e cila udhëhiqej nga parime të theksuara nacionaliste dhe antikomuniste, prej kohësh kishte një vijë konstante antiçame dhe antishqiptare në përgjithësi. Në mars të vitit 1945, forcat zerviste të mbështetura dhe prej britanikëve krijuan një trupë ushtarake të veçantë, e cila mori emrin “Rojat Kombëtare”.
Detyrë parësore e këtij formacioni ushtarak paramilitar ishte eliminimi i kundërshtarëve të tyre politik, si dhe shfarosja e dëbimi në masë i popullsisë civile shqiptare nga Çamëria. Në 5 mars 1945, një trup ushtarake prej 200 ushtarësh zervistë, të veshur dhe armatosur me armatime britanike, zbarkuan nga Korfuzi në fshatin Sajadhë. Pasi rrethuan Filatin, Shqeparin dhe Spatarin, forcat edeiste të komanduara nga Kristo Kaca, Ilia Kaca dhe kol. Zotos rifilluan masakrimet e popullsisë civile çame. Në 8 mars, u vra Selam Izeti nga fshati Spatar, ndërsa në datë 9 mars, u vra Kadri Konduri nga Sollopia. Vetëm në datat 12 dhe 13 mars, nga trupat e komanduara prej gjeneralit zervist Zotos, në Filat u vranë 217 çamë, nga këta 120 burra, 60 gra dhe 15 fëmijë. Të dhënat e masakrave të kryera nga ushtria zerviste gjatë kësaj periudhe janë kontradiktore. Autorja greke E. Manda, e minimizon numrin e viktimave çame, duke e çuar atë në 60-70 vetë. Lidhur me numrin e të vrarëve në Filat nga forcat zerviste të udhëhequra prej kolonelit Zotos, në datën 12 dhe 13 mars, autori M. Mazower jep një numër prej rreth 60 të vrarë në radhët e popullsisë shqiptare.
Ndërsa numrin total të të vrarëve çamë gjatë masakrave të marsit të vitit 1945, ky autor e çon nga 70 deri në 100 burra çamë. Sipas tij, pjesa e mbetur e popullsisë së këtyre fshatrave, që u shpëtoi barbarisë së edeistëve, u largua për në Shqipëri nën shoqërimin e UNRRA-s dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare. Lidhur me masakrat e marsit në Filat kundër popullsisë çame, autorja greke E. Manda thekson se, “si pasojë e operacioneve të spastrimit të popullsisë çame në Filat, gjatë datave 12 dhe 13 mars u vranë rreth 60-70 çamë, e ndërsa pjesa tjetër u detyrua të largohet në drejtim të kufirit shqiptar”.
Në datën 14 mars, bandat zerviste të udhëhequra nga Ilia Kaca, vranë Haki Banon. Po në këtë datë, një grup familjesh çame teksa u detyruan të emigronin drejt kufirit me Shqipërinë u ekzekutuan gjatë rrugës. Nga dëshmitë e treguara nga të mbijetuarit, rezulton se nga forcat edeiste u vranë rreth 40 burra. Në 16 mars, forcat edeiste të udhëhequra nga Kosta Tasho dhe Fete Noti nga Smarta, ekzekutuan Hysen Shabanin së bashku me djalin e tij Jakupin dhe vëllanë Riza Shabanin. Pas ekzekutimit të burrave të familjes Shabani, pjesa tjetër e mbetur mori rrugën për në drejtim të kufirit me Shqipërinë, duke braktisur gjithçka. Autori grek J. Sharras, e përshkruan në këtë mënyrë eksodin e madh të refugjatëve çamë drejt kufirit me Shqipërinë; “Mijëra burra, gra e fëmijë, me dhimbje e keqardhje në fytyrat e tyre, niseshin me ç’mundnin të merrnin me vete, në rrugën e shpëtimit”.
Masakrat në shifra
Pasojat e masakrave të andartëve grekë ndaj minoritetit çam në Greqi ishin mjaft të rënda. Shifrat e shpërnguljes së popullsisë myslimane çame nga Çamëria, tashmë janë pranuar nga të gjithë organizmat ndërkombëtarë. Sipas të dhënave zyrtare, numri i refugjatëve çamë të shpërngulur me dhunë nga Greqia gjatë viteve 1944-45 është rreth 25 000 vetë. Të masakruar dhe të humbur gjithsej rezultojnë 2 300 persona, të vdekur rrugëve gjatë largimit për në Shqipëri e zona të tjera numërohen rreth 2 400 vetë. U dogjën tërësisht dhe u shkatërruan mbi 61 fshatra shqiptare të Çamërisë, ku numri i shtëpive të djegura e të plaçkitura shkon në 5800. U rrëmbyen mbi 17 000 krerë bagëti dhe mbi 110 000 të tjera humbën, apo ngordhën.
Për sa u përket prodhimeve bujqësore, rreth 1 730 000 okë drithëra dhe 620 000 okë vaj shkuan dëm, ose u rrëmbyen nga bandat greke. Në total, humbjet në produkte të prodhimeve bujqësore për vitin 1944-45 për bujqit çamë ishin 4 000 000 okë drithëra, 3 700 000 okë misër dhe 2 990 000 okë vaj. Pas çlirimit të Greqisë nga forcat nazifashiste, qeveria greke në detyrë miratoi një Kod Penal të Posaçëm, me qëllim ndëshkimin e të gjithë atyre që konsideroheshin bashkëpunëtorë me italianët, bullgarët dhe gjermanët. Nëpërmjet akteve kushtetuese dhe ligjeve, u rregulluan hollësitë e nevojshme për të përfshirë nën juridiksionin e Gjykatave Speciale, krimet që do të gjykoheshin prej tyre dhe dënimet që do të jepeshin në bazë të fajit të kryer nga individë apo grupe të ndryshme të popullsisë.
Nëpërmjet këtyre akteve e ligjeve, parashikohej se në varësi të shkallës së veprimit që kishte kryer i pandehuri, gjykata speciale do të shprehej për sekuestrimin e pjesshëm apo të plotë të pasurisë së personit. Ky ligj special, ndër të tjera ishte përgatitur prej qeverisë greke, me qëllim që të përfundonte njëherë e mirë punën e nisur për konfiskimin e pasurive të minoritetit çam në Greqi që pas vitit 1913. Në bazë të këtyre urdhëresave, më 23 maj të vitit 1945, Gjykata Speciale e Janinës dënoi me vdekje në mungesë 1930 çamë shqiptarë, të cilët sipas vendimit të kësaj gjykate, u cilësuan bashkëpunëtorë të pushtuesve.
Po nga kjo gjykatë, vetëm katër ditë më vonë, më 27 maj 1945, u dënuan me vdekje edhe 79 çamë të tjerë me të njëjtën akuzë. Si detyrim ndaj gjithë të dënuarve çamë me akuzën për bashkëpunim me armikun, u vendos masa e konfiskimit të pasurisë së tyre, përfshi dhe atë që ndodhej në duart e bashkëshortëve, fëmijëve dhe familjarëve të tjerë që kishin lidhje me ta. Në këtë mënyrë shteti grek sanksionoi në mënyrë ligjore, ashtu siç kishte vepruar dhe më parë, vjedhjen dhe konfiskimin e pasurive të minoritetit çam në Greqi. Zhdukja dhe spastrimi etnik me çdo kusht i shqiptarëve u bë ndër detyrat më të rëndësishme për andartët grekë. Dëbimi masiv dhe masakrat e kryera prej tyre mbi shqiptarët çamë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në përfundim të saj, përveçse solli dëme të pallogaritshme për minoritetin shqiptar, ai la gjurmë në marrëdhëniet midis dy popujve fqinjë.
Nacionalistët grekë u munduan të justifikonin masakrën e kryer ndaj popullsisë çame me pretekstin se, popullsia çame u largua me dëshirën e vet, pasi sipas tyre, kjo pjesë e popullsisë e ndjeu se i priste ndëshkimi për shkak të rolit si bashkëpunëtorë të nazistëve. Për ta, masakra e kryer ndaj popullsisë myslimane shqiptare kishte ndodhur më parë se ky territor të pushtohej nga trupat ushtarake qeveritare greke dhe para se në Çamëri të vendosej autoriteti shtetëror grek. Masakra e bërë nga shovinistët grekë ndaj popullsisë civile myslimane shqiptare, nuk ishte diçka e rastësishme. Kjo masakër ishte një vepër e kurdisur mjaft mirë në kuadër të politikave shoviniste greke të Megaliidesë. Napoleon Zerva e pohonte me gojën e vet një politikë të tillë të shtetit grek, teksa i shkruante një miku të tij disa vite më vonë se, “duhet t’u rikujtojmë bashkatdhetarëve tanë se kush e çliroi Çamërinë nga shqiptarët, të cilët për pesëqind vjet shkelnin në qafë helenizmin”.
Pa kaluar shumë kohë nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, autoritetet greke me kënaqësi të madhe njoftonin se, në qytetin e Pargës kishin mbetur vetëm 113 çamë, nga këta; 79 gra, 34 fëmijë dhe pjesa tjetër pleq në moshë të thyer. Si për të konfirmuar bilancin e viktimave të shkaktuara nga shteti grek dhe nga forcat nacionaliste greke ndaj popullsisë shqiptare çame në Greqi, autorja greke E. Manda shprehet se, “Në këtë mënyrë u mbyll një cikël i gjakderdhjes në Epir, cikël që kishte filluar shumë më herët, qysh prej vitit 1940”. / Lorenc Agalliu, Mapo